Mehdi Pogaçi: “Ushtarakët nuk dorëzohen edhe pas vendimit të Kushtetueses, do shkojmë edhe në Strasburg!”

    332
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë Mehdi Pogaçi

     Rrëzimi i padisë së ushtarakëve nga Gjykata Kushtetuese, për pensionet është një padrejtësi për ushtarakët. Në lidhje me vendimin e gjykatës ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, Mehdi Pogaçi. Sipas zoti Pogaçi, çështjet gjyqësore do të ndiqen dhe të zhvillohen procese të reja, sepse, në fund të fundit, proceset  individuale mundësojnë t’i drejtohesh deri Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

     -Zoti Pogaçi Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e ish- ushtarakëve për pensionet. Si e shikoni ju këtë vendim?

    -Gjykata Kushtetuese nuk rrëzoi pensionet e ushtarakëve, por ruajti Status Quo-në për rillogaritjen e pensioneve të ushtarakëve, punonjësve të policisë së shtetit, shërbimit informativ, etj.. Vendimi është një e drejtë e Gjykatës dhe nuk mund të diskutohet. Por mendoj  se shkak ishte edhe  paraqitja e pamjaftueshme dhe i paargumentuar plotësisht i  cenimit të parimit të sigurisë juridike nga ana e kërkuesve.

      -Herë pas here është folur për Aktin Normativ që ju kërkonit që ta shfuqizonit, por ndodhi e kundërta. Çfarë masash do merrni pas këtij  vendimi?

    -Ne nuk mendonim se me këtë maxhorancë do të shfuqizonim Aktin Normativ, prandaj edhe nuk iu drejtuam gjykatës. Në kushtet aktuale ne kërkonim dhe kërkojmë zbatimin në kohë dhe  rigoroz të tij, pasi kanë kaluar me shumë se dy vjet nga miratimi i tij dhe rillogaritja për të gjithë ushtarakët nuk ka përfunduar, kur parashikimi ishte të përfundonte në 6 mujorin e parë të vitit 2010. Është e qartë se, në këtë zbatim ligji, duhej të mbahej dhe të mbahet parasysh vendimi n.33 i gjykatës kushtetuese për sigurinë juridike, një e drejtë e patjetërsueshme kjo për aq kohë sa  shteti dhe qeveria Berisha nuk ka shpallur krizë ekonomiko-financiare dhe nuk ka ulur as pagat dhe as pensionet e tjera.

     -Ushtarakët kanë rendur nëpër gjyqe për vite të tëra, a do të ndiqet sërish kjo çështje?

    -Patjetër që çështjet gjyqësore do të ndiqen dhe të zhvillohen procese të reja, sepse, në fund të fundit, proceset  individuale mundësojnë t’i drejtohesh deri Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Është për të ardhur keq se, disa ditë pasi raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit fliste për shkeljen e të drejtës së sigurisë juridike për ushtarakët, del një vendim i cili e justifikon këtë shkelje. Duket si karrshillëk ndaj çdo kritike që i bëhet qeverisë dhe jam i sigurt se i tillë është.

      – Sa i dëmton financiarisht ushtarakët kjo masë pensioni që u është hequr padrejtësisht sipas ushtarakëve?

    -Për dëmin financiar ne kemi folur vazhdimisht se arrin deri 40% e masës së të gjitha pensioneve, por më të penalizuar janë ushtarakët në pension të parakohshëm, të cilët janë ulur në masën e pensionit minimal. Dhe kjo bëhet ndërkohë që, i ashtuquajturi pension i parakohshëm nuk është pension, por pagesë mujore e pjesshme për shkak të nxjerrjes në lirim para kohe, si pasojë e reformave në forcat e armatosura. Këta ushtarakë janë relativisht të rinj, janë të papunësuar në asnjë vend tjetër, kanë familje dhe fëmijë në shkollë për të mbajtur me atë pension minimal, ndërkohë që janë shpallur edhe debitorë, duke e ulur më tej masën e pensionit të tyre. Është një gjë e paimagjinueshme, irrituese, çnjerëzore që ky grup i popullsisë, këta njerëz të ndershëm dhe të sakrificës të keqtrajtohet. Durimi i tyre ka arritur kulmin, prandaj në kushtet e zgjedhjeve të reja politike ato duhet dhe do të dinë të bëjnë zgjedhjen e tyre.