Mehdi Pogaçi: “Strategjia e ushtarakëve dhe aleancat për t’u futur në politikë”

    416
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Mehdi Pogaçi, Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë

     Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë para dy ditësh zhvilloi një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës, me qëllim diskutimin e situatës parazgjedhore në vend. Shoqata e Ushtarakëve kërkon që të shfrytëzojë në interes të saj situatën zgjedhore për të zgjedhur disa çështje të të drejtave financiare të munguara prej vitesh të ushtarakëve. Në lidhje me situatën aktuale dhe me përfshirjen e ushtarakëve në politikë ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Mehdi Pogaçi, Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë. Sipas zotit Pogaçi synimi i ushtarakëve është që të përfshihen në politikë nëpërmjet marrëveshjeve me parti të ndryshme. “Përpjekjet do të vazhdojnë se, siç  u theksua edhe nga Këshilli, zgjidhja reale dhe më e sigurt e problemeve të ushtarakëve bëhet vetëm nëpërmjet kandidaturave për deputetë dhe deputetëve përfaqësues të Shoqatës”, u shpreh zoti Pogaçi.

     -Zoti Pogaçi dy ditë më parë zhvilluat një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të shoqatës, cili ishte qëllimi i kësaj mbledhje?

    -Po, ne zhvilluam një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës, ku bën pjesë Bordi Ekzekutiv, kryetarët e degëve të Shoqatës në 11 Njësitë Bashkiake, kryetarët e degëve në qarqe dhe disa rrethe, gjithsej 38 vetë. Qëllimi i mbledhjes ishte diskutimi i situatës parazgjedhore dhe shfrytëzimi i saj në interes të zgjidhjes së të drejtave financiare të munguara prej vitesh të ushtarakëve. Po ashtu, festuam 17- vjetorin e krijimit të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, e cila është themeluar në 8 prill 1996.

      -A u diskutua për përfshirjen e ushtarakëve në politikë, nëse po, cilat ishin vendimet që u morën?

    -Pikërisht, duke diskutuar për situatën parazgjedhore e zgjedhore, synimi ishte të shikoheshin mundësitë e përfshirjes së ushtarakëve të shoqatës sonë në politikë nëpërmjet bashkëpunimit dhe marrëveshjes me parti të ndryshme politike. Anëtarët e Këshillit theksuan, me të drejtë, se ushtarakët, në tërësi, janë të majtë dhe janë anëtarë e simpatizantë të Partisë Socialiste, prandaj dëshira, këmbëngulja dhe vendimi ishte që, ne të vazhdojmë të shtojmë kontaktet dhe negociatat me drejtuesit dhe organet e zgjedhura të kësaj partie, por pa lënë pas dore edhe partitë e tjera të koalicionit opozitar. Për këtë u ngarkua Bordi Ekzekutiv dhe Presidenti i Shoqatës të shikojnë dhe studiojnë të gjitha mundësitë. Theksoj se, Këshilli i dha mbështetjen dhe besimin e plotë Bordit dhe Presidentit në përpjekjet e tyre. Gjithashtu, në përputhje me ecurinë e këtyre negociatave, deri në fund të muajit prill mund të mblidhet Asambleja e jashtëzakonshme e Shoqatës për të vendosur për ecurinë e  mëtejshme të koalicioneve të mundshme.

     -Cila është e ardhmja e ushtarakëve në këto zgjedhje parlamentare?

    -Këtë nuk mund ta them, por përpjekjet tona do të vazhdojnë. Përpjekjet do të vazhdojnë se, siç  u theksua edhe nga Këshilli, zgjidhja reale dhe më e sigurtë e problemeve të ushtarakëve bëhet vetëm nëpërmjet kandidaturave për deputetë dhe deputetëve përfaqësues të shoqatës. Kjo për arsye se, pas zgjedhjeve, për shkak të morisë së problemeve dhe situatave që kanë qeveritë, harrojnë me apo pa dashje ose anashkalojnë të drejtat e ushtarakëve, të fituara me ligje. Nga ana tjetër, ushtarakët i përkasin asaj kategorie atdhetarësh, shtet e ligjdashës, të cilët mund të vetësakrifikohen për arritjen e tyre. Kontributi i tyre do të ishte i madh në realizimin e një shteti ligjor të të drejtës, ku mbi gjithçka të sundojë ligji, në realizimin e ndarjes së pushteteve, por duke pastruar politikën, nga mungesat dhe veset e së cilës lindin të gjitha mangësitë e të tre pushteteve dhe e  organizmave që varen prej tyre.

     -A do të kenë kandidatin e tyre në këto zgjedhje ushtarakët?

    -Me siguri që po. Në rast se nuk do të kenë në partitë kryesore, do të shikohet mundësia shpërndarja e tyre në parti të tjera opozitare, duke i dhënë secilit prej tyre ndihmesën tonë dhe të të gjithë ushtarakëve në zonat, ku ata do të kandidojnë. Kjo në rast të dështimit të negociatave me PS-në.

     -Programet që janë paraqitur nga partitë politike sa bindëse u duken dhe sa e gjejnë veten ushtarakët në këto programe?

    -Nuk mund të them asgjë për programet, pasi asnjë parti nuk na i ka ofruar. Megjithatë, Këshilli vlerësoi se programet ngelen programe dhe mund edhe mos të zbatohen plotësisht. Për këtë partitë mund të japin llogari vetëm para anëtarësisë dhe organeve të tyre të zgjedhura. Më detyruese janë marrëveshjet dypalëshe me firmat e titullarëve dhe ndoshta edhe të noterizuara.

    Faleminderit!