Mehdi Pogaçi: Qeveria të mbajë premtimet elektorale. Të shfuqizojë, menjëherë, Aktin Normativ

    382
    Sigal

    Flet Kolonel Mehdi Pogaçi, President i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë

    Shfuqizimi i menjëhershëm i Aktit Normativ është në radhën e parë të kërkesave të ushtarakëve në rezervë dhe lirim, për qeverinë shqiptare. “Duhet të shfuqizohet menjëherë Akti Normativ, sepse çdo ditë vazhdon rillogaritja dhe ulja e pensionit të parakohshëm të ushtarakëve, duke i çuar ata në nivelin e pensionit minimal dhe duke i shpallur ata debitorë me 8, 9 apo 10 milionë lekë të vjetra”, shprehet në një intervistë për “Telegraf”, Kolonel Mehdi Pogaçi, President i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë. Rikthimi i pensionit, tashmë i ulur; anulimi i debiteve të prapambetura; rikthimi gradual i debiteve të ushtarakëve në rezervë; përgatitja dhe zbatimi i një ligji të ri për pensionin e ushtarakëve, në përputhje me statusin e ushtarakut të vitit 2004, janë kërkesat që i drejtohen qeverisë nga ushtarakët në rezervë dhe në lirim. “Çdo zgjidhje tjetër do të jetë antiligjore dhe do të cenojë sigurinë juridike të ushtarakëve mbi të drejtat e fituara me ligj”, shprehet Pogaçi. Gjithashtu, në këtë intervistë, ai përgëzon znj. Kodheli, ministren e Mbrojtjes,  për guximin e treguar, në kryerjen e padisë ndaj ish ministrit të Mbrojtjes, z. Imami. Sipas Pogaçit, “të gjithë fajin e korrupsionit e ka politika dhe po nuk u stigmatizuan dhe dënuan politikanët e korruptuar, nuk mund të luftohet asnjëherë korrupsioni në asnjë fushë”. Përsa i përket premtimeve elektorale të PS-së, Pogaçi shpreh besimin se Qeveria do t’i realizojë të gjitha premtimet e bëra në fushatë, ndërsa shton se “nga disa përfaqësues të shoqatave të ndryshme kam patur propozime për të dalë në protesta, fillimisht te sigurimet shoqërore dhe pastaj më gjerë. Ne jemi gjithmonë në pritje dhe në mirëbesim të fjalës së dhënë”.

    1) Z. Pogaçi, është zbardhur padia e ministres aktuale të Mbrojtjes ndaj ish ministrit Imami, padi që bazohej në “Shpërdorim detyre”, “Shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti”, si dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik”, ku flitet për tenderin e reklamave me vlerën 1.2 milionë USD? Cila do të ishte analiza juaj?

    Dëshiroj ta përgëzoj zonjën Kodheli për punën e bërë dhe guximin e treguar për të qenë në krye të luftës ndaj korrupsionit. Korrupsioni në këto 20 e ca vjet tranzicion, e ka gllabëruar pothuajse tërësisht politikën shqiptare dhe, për pasojë, të gjitha strukturat dhe hallkat e tjera. Kur flasim për korrupsionin në drejtësi, lodhemi kot, kur flasim për korrupsionin në shëndetësi, lodhemi kot, kur flasim për korrupsionin në dogana, lodhemi kot e kështu me radhë. Të gjithë fajin e korrupsionit e ka politika dhe po nuk u stigmatizuan dhe dënuan politikanët e korruptuar, nuk mund të luftohet asnjëherë korrupsioni në asnjë fushë. Dua të kujtoj se në vitin 1992 ndodhesha me një grup oficerësh të policisë ushtarake në një kurs në Shkollën e Oficerëve të Karabinierisë në Romë dhe porositë që na jepnin pedagogët, oficerë të karabinierisë dhe titullarë të drejtësisë ishin: – Mos lejoni që mafia të kapë politikën, se atëherë do e keni të pamundur ta luftoni atë. Jemi në mundësitë e fundit për ta mundur mafien, ndryshe do të jetë ajo që do të na nënshtrojë, do të na shtypë dhe do të na shfrytëzojë.

    2) A mund të mbështetej padia edhe në akuza të tjera, sipas jush?

    Këtë unë nuk e di, se nuk jam pjesë e strukturave të mbrojtjes, por mendoj se është detyrë e Prokurorisë të hetojë, nëse ka ku të thellohet. Megjithatë, mendoj se të gjitha akuzat janë të mjaftueshme për të dhënë një dënim të merituar. Ka ardhur koha t’i jepet fund kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj kujtdo qoftë.

    3) Në fushatë elektorale PS, sot në qeveri, ju premtoi që do të anulonte vendimin për SHQUP-in, por në fakt ç’po ndodh?

    Vendosja e dhënies në mënyre antiligjore të SHQUP-it, si një ndër akuzat ndaj Imamit, mendoj se ka të bëjë pikërisht me rëndësinë që Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria i japin këtij objekti. Nuk mund të ketë zgjidhje më të mirë se sa një zgjidhje ligjore. Arbitrariteti ishte atribut i Imamit dhe PD-së që e kryen një veprim të tillë, duke dashur të provokojnë ushtarakët  dhe të shkaktonin ndoshta edhe trazira.

    4) Qeveria e sotme ju ka premtuar shumë në fushatë zgjedhore, por a keni parë predispozicion nga ana e saj, në përmbushjen e tyre?

    Ushtarakët besojnë dhe shpresojnë vazhdimisht në realizimin e premtimeve të bëra nga përfaqësuesit e Qeverisë dhe të maxhorancës aktuale, gjatë fushatës para dhe asaj zgjedhore. Çdo ditë kam mesazhe dhe mjaft ushtarakë më ndalojnë rrugës për të ditur çfarë po bëhet. Le të shpresojmë më të mirën. Bile, nga disa përfaqësues të shoqatave të ndryshme kam patur propozime për të dalë në protesta, fillimisht  te sigurimet shoqërore dhe pastaj më gjerë. Ne jemi gjithmonë në pritje dhe në mirëbesim të fjalës së dhënë.

    5) Çfarë lëvizje pretendoni ju nga qeveria aktuale, apo më saktë nga ministrja e re e Mbrojtjes?

    E kam theksuar disa herë se, së pari, duhet të shfuqizohet menjëherë Akti Normativ, sepse çdo ditë vazhdon rillogaritja dhe ulja e pensionit të parakohshëm të ushtarakëve, duke i çuar ata në nivelin e pensionit minimal dhe duke i shpallur ata debitorë me 8, 9 apo 10 milionë lekë të vjetra; Së dyti, të rikthehet pensioni, tashmë i ulur, në nivelin e mëparshëm dhe të anulohen debitet e shpallura të prapambetura; Së treti, të merren masa për rikthimin gradual të debiteve të ushtarakëve në rezervë të shpallura dhe; Së katërti, të përgatitet dhe të zbatohet një ligj i ri për pensionin e ushtarakëve, në përputhje me statusin e ushtarakut të vitit 2004. Çdo zgjidhje tjetër do të jetë antiligjore dhe do të cenojë sigurinë juridike të ushtarakëve mbi të drejtat e fituara me ligj, edhe pse hallka të korruptuara të sistemit tonë gjyqësor i kanë bërë tashmë veprime të tilla antiligjore dhe antikushtetuese, duke shkelur edhe mbi vendimet e veta të mëparshme!?