Mehdi Pogaçi: “Qeveria Berisha e trafikut të armëve, shiti mbi 670 prona të ushtarakëve”

    363
    Sigal

    INTERVISTË/ Mehdi Pogaçi, Kryetar i SHKURSH-it: Besojmë se qeveria e Ramës do t’i anulojë vendimet në dëm të ushtarakëve

    Dje shoqatat e ushtarakëve organizuan një tubim proteste kundër Vendimit të qeverisë, të datës 7 Gusht 2013, për ndryshimin e destinacionit të Shtëpisë së Ushtarakëve në Tiranë, duke ia kaluar atë PD-së për seli të vetën. Të indinjuar nga ky vendim, “ushtarakët shprehën protestën e tyre, pasi vendimi është në kundërshtim me destinacionin për të cilin, prej vitesh, është konceptuar, ndërtuar dhe shfrytëzuar Shtëpia e Ushtarakëve” u shpreh në një intervistë për “Telegraf”, Mehdi Pogaçi, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë. Sipas Pogaçit, ky vendim është i fundit në vazhdën e veprimeve anti-kushtetuese të qeverisë Berisha. “Qeveria Berisha: ka shitur, falur e zhbërë të gjitha shtëpitë e ushtarakëve; ka shpërbërë, shitur e falur spitalin ushtarak; ka tjetërsuar dhe shitur mbi 670 prona ushtarake; ka kryer trafiqe ilegale armësh dhe municionesh, duke shkaktuar deri tragjedinë e Gërdecit; ka ulur në mënyrë drastike dhe antiligjore pensionet e parakohshme; ka përdorur forcat dhe mjetet ushtarake, në mënyrë të kundërligjshme, për fushatën elektorale të PD” shprehet, kreu i SHKURSH-it. Megjithatë Pogaçi shprehu besimin se qeveria e ardhshme e Kryeministrit Edi Rama do ta anulojë këtë vendim, ashtu si mjaft vendime të tjera të mbrapshta.

    Çfarë do të thotë për ushtarakët vendimi për ndryshimin e destinacionit të SHQUP-t?

    Ushtarakët shprehën protestën e tyre, pasi vendimi është në kundërshtim me destinacionin për të cilin, prej vitesh, është konceptuar, ndërtuar dhe shfrytëzuar Shtëpia e Ushtarakëve. Kjo qendër është qendra e fundit që qeveria Berisha ka transformuar, shitur apo falur  në serinë e të gjitha shtëpive të ushtarakëve nëpër rrethe. Gjithashtu, ky vendim është vazhdë e tërë vendimeve të padrejta që kjo qeveri ka lëshuar kundër ushtarakeve dhe të drejtave të tyre, për shkatërrimin dhe përvetësimin e vlerave dhe pronave ushtarake, si dhe të gjithçkaje të vënë me djersë e mund dhjetëra vjeçar në interes të këtij komuniteti.

    Ju u shprehët se ky vendim është vazhdë e vendimeve të padrejta që kjo qeveri ka ndërmarrë në dëm të ushtarakëve. Çfarë doni të thoni me këtë?

    Po, u shpreha kështu se që nga momenti i riardhjes në pushtet në vitin 2005, qeveria Berisha: ka shitur, falur e zhbërë të gjitha shtëpitë e ushtarakëve; ka shpërbërë, shitur e falur spitalin ushtarak, duke u hequr mundësinë e vetme të gjithë ushtarakëve për t’u vizituar e kuruar falas, si të gjithë kolegët e tyre të forcave të armatosura të vendeve të tjera të NATO-s; ka tjetërsuar dhe shitur mbi 670 prona ushtarake ku përfshihen vendkomanda ushtarake, ish-shtëpi pushimi, ish-ndërmarrje ushtarake, etj. ; ka kryer trafiqe ilegale armësh dhe municionesh ose të përbërësve të tyre, duke shkaktuar deri tragjedinë e Gërdecit; ka ulur në mënyrë drastike dhe antiligjore  pensionet e parakohshme, si dhe duke mos paguar ushqimin për ushtaraket aktivë, ka financuar, sipas medias, fushatën e PD-së me 1 miliardë lekë; ka përdorur forcat dhe mjetet ushtarake, në mënyrë të kundërligjshme, për fushatën elektorale të PD, e të tjera veprime si këto.

    Mbi kë bie përgjegjësia e gjithë këtyre shkeljeve që ju sapo përmendët?

    Përgjegjësinë për lejimin e të gjitha këtyre shkeljeve të rënda e flagrante e kanë, së pari, ministrat e mbrojtjes, sidomos “gjenerali’’ i protestave të ’97-ës dhe tashmë servili e beniamini i Berishës, Arben Imami, i cili mund të ketë qenë gjithçka, por vetëm ministër mbrojtjeje, jo. Përgjegjësi mbajnë gjithashtu ish-Shefat e Shtabit të Përgjithshëm, të cilët, nga paaftësia dhe servilizmi nuk u janë kundërvënë asnjëherë veprimeve të qeverisë ndaj ushtarakëve. Por përgjegjësinë më të madhe e ka Shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi, i cili, përveç përmendjes se tij nga Weekyleaks për veprime të padenja ndaj ushtarakëve, ka përdorur dhe mjetet ushtarake në fushatën e fundit zgjedhore dhe ka firmosur për zhbërjen dhe transformimin e pronave ushtarake. Veprimi i tij një javë para zgjedhjeve, siç ishte nënshkrimi i një marrëveshje me një grup ushtarakësh ne pension, që luajnë me shumë pole, për të çuar vota te PD-ja ishte një veprim antiligjor, pasi si ushtarak aktiv nuk mund dhe nuk duhet as të shprehet, e jo më të ndërmarrë veprime pro apo kundër njërit apo tjetrit grupim politik.

    Megjithatë, lidhur me këtë vendim të qeverisë, z.Gjunkshi është shprehur se nuk është firmëtar i këtij turpi.

    Po, po e di, edhe gjatë tubimit të protestës, beniaminë  të tij, të cilët e ndihmuan në realizimin e marrëveshjes para zgjedhore, u përpoqën ta përkrahnin, duke ia veshur tërësisht fajin qeverisë apo Imamit, të cilët patjetër që kanë përgjegjësinë kryesore, duke e justifikuar atë si një person i cili “nuk paska firmosur”, por “ia kanë vjedhur firmën”?! Si ka mundësi që një Shefi Shtabi t’i vjedhin firmën? Çfarë bën ai, përse nuk e deklaron para masmedias dhe të kërkojë hetimin e këtij veprimi? Megjithatë unë, në emër të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, e denoncova  prononcimin në mbështetje të tij, sepse asgjë nuk mund të bëhej me pronat  ushtarake, përfshi dhe Shtëpinë e Ushtarakëve, pa firmën e tij si Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Përgjegjësi direkt, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm,mban edhe Presidenti i Republikës, zoti Nishani, i cili gjithashtu duhet të prononcohet direkt dhe të mos lejojë veprime të tilla kundër interesave të ushtarakëve.

    Sa gjasa ka që e gjithë kjo të ndodhë në ndonjë nga vendet anëtare të NATO-s?

    S’ka asnjë lloj përqasje. Kjo që po ndodh në Forcat e Armatosura shqiptare nuk ndodh në asnjë nga vendet e tjera anëtare të NATO-s. Në të gjitha vendet anëtare, forcat e armatosura kanë shtëpitë e ushtarakeve, shtëpitë e pushimit, spitalet ushtarake, etj. të cilat u shërbejnë të gjithë kategorive të ushtarakëve, duke filluar nga ata aktivë e deri te ata në rezervë e në pension, ku një pjesë e mirë e shpenzimeve subvencionohet nga shteti. Nëse kafja në lokale të tjera kushton 50 lekë, në Shtëpitë e Ushtarakëve nuk duhet të kushtojë më shumë se 20 lekë dhe po kështu me të gjitha asortimentet e tjera, për shkak të subvencionit.

    Çfarë mesazhi erdhi si rezultat i këtij tubimi?

    Nga tubimi, nisur dhe nga deklaratat e Ministres së ardhshme të Mbrojtjes, Zonjës Mimi Kodheli dhe të disa deputetëve të majtë në masmedia, gjatë këtyre ditëve, u shpreh besimi se qeveria e ardhshme e Kryeministrit Edi Rama do ta anulojë këtë vendim, ashtu si mjaft vendime të tjera të mbrapshta dhe do ta rikthejë këtë shtëpi ushtarakësh, por edhe ato në rrethe, në identitet dhe në shërbim të të gjithë ushtarakëve.

    Ish-ushtarakët në protestë: Të anulohet vendimi i qeverisë për kthimin e SHQUP-it në seli të PD-së

    Ish-ushtarakët kanë protestuar dje për vendimin e firmosur pak ditë më parë nga qeveria “Berisha” për të transformuar Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, nga një institucion ushtarak në seli të Partisë Demokratike. Të ndodhur përpara godinës së SHQUP-it, ish-ushtarakët shprehen se kjo është shtëpia e tyre dhe i bëjnë thirrje ushtarakëve në nevojë të ngrenë zërin për të ruajtur këtë institucion ushtarak. “Kulmi i poshtërsisë që u vuri kapak është vendimi për të marrë shtëpinë e përbashkët për seli partie të PD. Ne protestojmë me forcë, hiqni duart nga shtëpia jonë”, tha në nisje ish-zëvendës ministër i Mbrojtjes, Bajram Mane. Sipas tij, “ne s’do lejojmë kurrë që ky vendim të zbatohet e bëhet realitet”. Ish- ushtarakët më tej i kanë kërkuar ministrit në ikje të Mbrojtjes të anulojë vendimin e qeverisë dhe të mos e miratojë atë në fletoren zyrtare. Më tej, ata i kanë bërë thirrje edhe presidentit të Republikës, Bujar Nishani të reagojë për këtë rast. Ata kanë kërkuar që kjo shtëpi të bëhet qendër memoriale dhe historike për ushtrinë.