Mehdi Pogaçi: Ja si u cenua siguria juridike e ushtarakëve me Aktin Normativ

    390
    Sigal

     INTERVISTA/Flet Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezerve, Mehdi Pogaçi, pas raportit të KSHH

    Në raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, për të drejtat e njeriut për vitin 2012, theksohet se është shqetësues u vu në dukje se qeveria shqiptare ka miratuar aktet ligjore dhe nënligjore 30, të cilat vijnë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.33, datë 24.06.2010. Në lidhje me këtë çështje, në raport thuhet se është shumë shqetësues fakti se aktet ligjore dhe nënligjore të miratuara, pas dhënies së këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese, vijnë në kundërshtim të hapur me atë që kjo Gjykatë ka vendosur dhe argumentuar, duke cenuar sërish edhe për këtë shkak, parimin e sigurisë juridike. Por në lidhje me raportin e publikuar dhe me problemet e ushtarakëve ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë Mehdi Pogaçi. Sipas zotit Pogaçi, Akti Normativ ishte një kundërvënie e hapur e Qeverisë, jo thjesht ndaj të drejtave të ushtarakëve, por edhe ndaj pushtetit gjyqësor.

     -Zoti Pogaçi Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në raportin e bërë publik  për vitin 2012, ka folur edhe për problemet e ushtarakëve. Si e shikoni ju këtë raport dhe a janë trajtuar të gjitha problematikat?

    -Natyrisht e shikoj në mënyre pozitive, megjithëse një problem i tillë është paraqitur në raportin e KSHH edhe në vitin 2009, vit kur bashkëpunimi me Shoqatën tonë ka qenë i rregullt. Nga ai vit e në vazhdim problemi i sigurisë juridike ka lënë për të dëshiruar, pasi ka ardhur në përkeqësim. Kur problemi i ngrit në vitin 2009 ne kishim një vendim të Gjykatës Kushtetuese, vendimi nr.9 i vitit 2007, i cili nuk zbatohej. Në vitin 2009 Qeveria aktuale përgatiti dhe miratoi në Parlament ligjin nr. 10142, ligj i cili, jo vetëm nuk mbante parasysh vendimin në fjalë, por e përkeqësonte të drejtën e pensionit të ushtarakëve, duke shkelur me të dy këmbët sigurinë juridike aq  shumë të theksuar edhe në atë vendim.

      -Një ndër pikat që është evidentuar është edhe problemi për uljen e pensioneve të parakohshme nga ISSH-ja në vitin 2011. Çfarë po bëhet me  këtë çështje, a është bërë ndonjë hap pozitiv për këtë çështje?

    -Duke folur për shkeljen e sigurisë juridike kuptohet se fjala është pikërisht ulja e pensioneve në tërësi, duke mos i llogaritur ato sipas vendimit nr. 9 dhe të ligjeve të mëparshme dhe e pensioneve të parakohshme, në veçanti. Ne flasim për ISSH, por ligjet përgatiten nga Qeveria dhe miratohen nga Parlamenti, pra janë këto dy institucione të rëndësishme ose këto dy pushtete, të cilat i përgatisin dhe miratojnë ligjet, ndërsa ISSH është zbatues i ligjeve dhe vendimeve që nxjerr Qeveria për zbatimin e tyre.

     –Shkeljet më të mëdha që kanë të bëjnë me parimin e sigurisë juridike sipas raportit kanë ardhur si rrjedhojë e zbatimit të Aktin Normativ. Çfarë po bëhet për shfuqizimin e Aktit Normativ nga ana e ushtarakëve?

    -Kuptohet që Akti Normativ u  hartua dhe miratua  menjëherë pas vendimit nr. 33 të Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili kishte të bënte pikërisht me ligjin nr. 10142, të cilin Shoqata jonë e kishte apeluar atë në gjykatë. Ishte vendimi i dytë i Gjykatës Kushtetuese në favor të së drejtës së ushtarakëve dhe i cili ritheksonte domosdoshmërinë e garantimit të sigurisë juridike për ushtarakët për të drejta të fituara me ligj të mëparshme dhe me vendime të formës së prerë të gjykatave. Pra Akti Normativ ishte një kundërvënie e hapur e Qeverisë, jo thjesht ndaj të drejtave të ushtarakëve, por edhe ndaj pushtetit gjyqësor, në këtë rast Gjykatës Kushtetuese, duke demonstruar hapur se ajo ishte dhe ligji dhe Maliqi.

     -A do të vazhdoni përpjekjet për të rregulluar padrejtësitë që ju ka bërë Akti Normativ?

    -Patjetër, ky është objektivi ynë më imediat. Së pari, në do të kërkojmë  ndërprerjen e rillogaritje dhe uljen e pensionit të parakohshëm për një pjesë të penalizuar ushtarakësh, policësh, punonjës të shërbimit informativ, etj.. Së dyti, do të kërkojmë shfuqizimin e Aktit Normativ famëkeq dhe së treti, do të kërkojmë  me këmbëngulje zbatimin e ligjeve në fuqi dhe dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

     -Një pjesë e ushtarakëve kanë zgjedhur rrugën e proceseve gjyqësore për të kërkuar të drejtat e tyre. Sa po i gjejnë në fakt të drejtat e tyre  sot në këtë rrugë?

    -Në rastin e ligjeve të mëparshme pozitive, si një e drejtë e fituar, si dhe të dy vendimeve pozitive të Gjykatës Kushtetuese, ekzistojnë të gjitha mundësitë ligjore për ta fituar çështjen individualisht, duke filluar nga shkalla e parë, te apeli, te gjykata e lartë dhe ajo kushtetuese e deri te Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Dua të përshëndes, me këtë rast, pushtetin gjyqësor të të gjitha shkallëve për  vlerësimin e drejtë që u kanë bërë të drejtave të ushtarake të përftuara me ligje dhe vendime të mëparshme, duke qenë të bindura në garantimin e të drejtës së sigurisë juridike. Ushtarakët e cenuar padrejtësisht dhe anti-ligjërisht nga Akti Normativ kanë filluar të bëjnë gjyqe individuale, duke u bazuar veçanërisht të vendimi nr.33 i Gjykatës Kushtetuese, i cili thekson dhe mbron të drejtën e sigurisë juridike të ushtarakëve për të drejta të përftuara me ligje të mëparshme dhe vendime të formës së prerë të gjykatave.

     -Çfarë zgjidhje po u jepet ushtarakëve që u është bërë padrejtësi nga Akti Normativ?

    -Deri më sot, partitë politike i kanë shfrytëzuar ushtarakët si votues të thjeshtë ose si organizatorë për të realizuar votat deputetë të ndryshëm. Më tej ushtarakët, përjashto ata pehlivanë që hanë buke duke iu servilosur çdo lloj pushteti, kanë ngelur me gisht në gojë, duke mos zgjidhur as problemet e përbashkëta të ushtarakëve dhe as problemeve të veçanta të familjeve dhe familjarëve të tyre.

    -KSHH: Parimi i sigurisë juridike për ish-ushtarakët

    Nga jurisprudenca dhe doktrina tashmë është pranuar se një nga aspektet themelore të shtetit të së drejtës është dhe parimi i sigurisë juridike. Duke u nisur prej disa ankesave, që na u adresuan nga disa ish- ushtarakë, përfitues të pensionit të parakohshëm, të cilët ankoheshin se nga muaji Tetor 2011, Instituti i Sigurimeve Shoqërore u kishte ulur në mënyrë të konsiderueshme masën e pensionit të tyre, KShH kreu takime me përfaqësues të institucionit përkatës dhe shkëmbeu korrespondencë zyrtare me ta. Nga verifikimi rezultoi se, lidhur me këtë çështje, qeveria shqiptare ka miratuar aktet ligjore dhe nënligjore30, të cilat vijnë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.33, datë 24.06.2010. Lidhur me këtë çështje, është shumë shqetësues fakti se aktet ligjore dhe nënligjore të miratuara, pas dhënies së këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese, vijnë në kundërshtim të hapur me atë që kjo Gjykatë ka vendosur dhe argumentuar, duke cenuar sërish edhe për këtë shkak, parimin e sigurisë juridike.