Mehdi Pogaçi: “E vërteta e krijimit të partisë së ushtarakëve dhe sfidat që na presin”

    393
    Sigal

     INTERVISTA/Flet Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë

     Kategoria e ushtarakëve është një ndër kategoritë që nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga qeveria përsa i përket trajtimit të tyre. Ky trajtim jo i mirë ka shërbyer edhe si shkak për të hedhur idenë për krijimin e një partie nga kjo kategori. Në lidhje me premisat për krijimin e kësaj partie ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë Mehdi Pogaçi. Sipas zotit Pogaçi, kësaj kategori nuk i është dhënë asnjëherë ajo që meriton. Po ashtu ai shton se një problem i pazgjidhur mbetet edhe Akti Normativ.

     – Zoti Pogaçe, është folur për krijimin e partisë së ushtarakëve. Në çfarë faze ndodhen përgatitjet për këtë parti?

    – Në fakt, sidomos para Vitit të Ri është folur për krijimin e një partie politike. Krijimi i një partie politike ka qenë dhe është një presion i madh i anëtarësisë së shoqatës dhe më gjerë. Them dhe më gjerë, pasi ideja është pjesëmarrja në këtë parti jo vetëm e ushtarakëve në rezerve, por edhe e punonjësve të liruar të policisë së shtetit, shërbimit informativ, Gardës së Republikës, etj., dhe më tej akoma pjesëmarrja aktive e familjareve të këtyre kategorive, si dhe e të gjithë atyre shtresave, grupimeve e grupeve që aspirojnë për një shtet ligjor të së drejtës, ku mbi gjithçka të sundojë ligji. Askush nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin dhe në qeverinë e ardhshme duhet që sistemi gjyqësor të zbatojë ligjin, vetëm ligjin dhe jo vendimet dhe urdhrat politike. Këtij presioni nga poshtë ne përpiqemi t’i japim një zgjidhje, në përputhje me interesat e grupimeve të mësipërme, por edhe të interesave më të gjera të ligjit, të shtetit dhe kombit. Ushtarakët, si një nga shtresat më patriotike, më të përgjegjshme për interesat e vendit dhe të sigurisë kombëtare të tij, për një demokraci reale dhe jo virtuale, si një nga shtresat më të ndershme të popullit shqiptar kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë të shqetësuar për fatet e demokracisë dhe të interesave të vendit, prandaj kërkojnë gjithmonë zgjidhje të reja, të ndryshme nga ato që ka sjellë dhe mbartur politika jonë e këtyre më shumë se 20 vjetëve. Nisur nga përvoja e deritanishme, ushtarakët janë të bindur se vetëm pjesëmarrja aktive në politikë, ku ata të kenë përfaqësuesit e tyre në parlament, do të bëjë të mundur realizimin e objektivave të mësipërme. Kur them përfaqësuesit e tyre në Parlament, kuptohet se dëshirojnë të jenë nga ai kontingjent që lufton dhe përballet pa frikë për interesat e shtresës dhe të vendit, por jo nga ai kontingjent, miq apo të afërm të drejtuesve të partive të ndryshme, të cilët janë të paaftë të ngrenë zërin dhe të kundërshtojnë me forcë për problemet e ushtarakëve, duke u katandisur në servilë pa vlerë e pa ngjyrë. Ka deputetë në Parlamentin e sotëm, të cilëve nuk u është dëgjuar zëri në këto 8 vjet dhe, një ditë, u çudita në një aktivitet të një shoqate krahinore kur u anonçua se merr pjesë dhe deputeti X, të cilin nuk e kam dëgjuar asnjëherë. Por kështu ka mjaft, nga të dy anët e politikës.

     -E çfarë spektri do i përkas kjo parti dhe a do të jetë e gatshme për në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

    – Nëse do të krijohet një parti e tillë, kuptohet që do i përkasë spektrit të majtë. Por, jemi ende në dilemë, pasi në disa aspekte edhe vetë Shoqata mund ta luajë një rol të tillë, ku mund të bëjë marrëveshje edhe politike, me njërën ose tjetrën anë të spektrit politik, i cili merr përsipër të realizojë objektivat e ushtarakëve, përfshi këtu edhe kandidatura për deputetë dhe punësim për moshat e reja. Një bashkëpunim dhe marrëveshje e tillë është parashikuar edhe në statutin dhe rregulloren e shoqatës. Kjo na jep mundësi që të bëjmë marrëveshje me atë krah të politikës që organet drejtuese dhe anëtarësia e shoqatës do ta shikojnë më të mundshme dhe më të domosdoshme.

     -Çfarë zgjidhje po u jepet ushtarakëve që u është bërë padrejtësi nga Akti Normativ?

    – Krijimi i një partie politike, jo thjesht si parti, por si mundësi për të marrë pjesë në parlament me kandidatura dhe deputetë të drejtpërdrejtë, siç e shpjegova më lartë. Deri më sot, partitë politike i kanë shfrytëzuar ushtarakët si votues të thjeshtë ose si organizatorë për të realizuar votat deputetë të ndryshëm. Më tej ushtarakët, përjashto ata pehlivanë që hanë buke duke iu servilosur çdo lloj pushteti, kanë ngelur me gisht në gojë, duke mos zgjidhur as problemet e përbashkëta të ushtarakëve dhe as problemeve të veçanta të familjeve dhe familjarëve të tyre.

     -Një pjesë e mirë ushtarakësh ankohen se po sorollaten nëpër zyra pafund për marrjen e pensionit. A do të ketë ndonjë zgjidhje për të këtë kategori?

    – Ushtarakët e cenuar padrejtësisht dhe anti-ligjërisht nga Akti Normativ kanë filluar të bëjnë gjyqe individuale, duke u bazuar veçanërisht të vendimi nr.33 i Gjykatës Kushtetuese, i cili thekson dhe mbron të drejtën e sigurisë juridike të ushtarakëve për të drejta të përftuara me ligje të mëparshme dhe vendime të formës së prerë të gjykatave.

     -A po vijojnë përpjekjet për të ndrequr padrejtësitë që u solli Akti Normativ?

    – Është e vërtetë se ushtarakët po sorollaten mjaft për të bërë dokumentet përkatëse dhe për të përftuar pensionin e pleqërisë dhe atë suplementar. Për këtë ankesat janë të shumta dhe të përditshme. Për këto arsye, qysh në muajin tetor të vitit të kaluar i jemi drejtuar me një letër Ministrit të Mbrojtjes, por nuk kemi asnjë lloj përgjigje, qoftë duke na thënë se nuk kemi të drejtë. Mjaft ushtarakë, pasi kanë përftuar pensionin e pleqërisë, për muaj e muaj të tërë e deri vite, nuk marrin dot pensionin suplementar, kur asgjë nuk pengon që të dyja këto pensione të llogariten dhe merren së bashku. Ashtu siç ka mjaft padrejtësi në rillogaritjen dhe dhënien, sidomos, të pensioneve suplementare, dukë u bërë atyre vetëm një rritje 5-7 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që duhet të arrijë deri në 50% të masës së pensionit të pleqërisë.

    -Sa i vlerësoni përpjekjet e qeverisë për zgjidhjen e problemit të ushtarakëve?

    – Jo të mjaftueshme, për të gjitha ato arsye që thashë me lartë, përfshi këtu dhe përkeqësimin e vazhdueshëm të ligjeve për pensionet e ushtarakëve.

    Faleminderit!