Mehdi Pogaçi: “E vërteta e bashkëpunimit me Partinë Socialiste dhe angazhimi për zgjedhjet e 2013-ës”

    390
    Sigal

    Intervista/Flet në një intervistë për “Telegraf” Presidenti i Shqoqatës së Ushtarakëve Mehdi Pogaçi

     Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë, është e vendosur për tu përfshirë në fushatën zgjedhore. Për këtë  Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë, pret të marri një përgjigje pozitive nga Partia Socialiste për bashkëpunim, në të kundërt ato do të bashkëpunojnë me parti të tjera. Në lidhje me përfshirjen e ushrtarakëve në politikë ka folur në një intervistë për “Telegraf” Presidenti i Shqoqatës së Ushtarakëve Mehdi Pogaçi. Zoti Pogaçi është shprehur se: “Në rast se PS nuk do u përgjigjet kërkesave tona, ne do të shikojmë bashkëpunimin me parti të tjera, të cilat janë të rëndësishme dhe mund të realizojnë kërkesat e ushtarakëve, në rast se do të jenë në qeverisje”.

     – Zoti Pogaçi, çfarë është duke bërë Shoqata e Ushtarakëve në Rezervë, për një bashkëpunim me partitë politike, sidomos me PS?

    -Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë është në pritje të një përgjigje pozitive të PS për realizimin e një marrëveshje lidhur me atë çfarë ajo angazhohet të bëjë për ushtarakët, kur të vijë në pushtet. Kuptohet që kjo marrëveshje do të duhet të përfshijë gjithçka që ka të bëjë me atë që premtimet të mos mbeten premtime, por të  gjejnë zbatim, mbas zgjedhjeve. Në përputhje me këto angazhime, ne do të marrim angazhimet tona, duke filluar nga ato të fushatës  parazgjedhore, të fushatës zgjedhore dhe gjatë procesit zgjedhor. Në rast se PS nuk do u përgjigjet kërkesave tona, ne do të shikojmë bashkëpunimin me parti të tjera, të cilat janë të rëndësishme dhe mund të realizojnë kërkesat e ushtarakëve, në rast se do të jenë në qeverisje. Gjithashtu ne do shikojmë edhe për opsione të tjera, në vartësi të kohës në dispozicion deri në zgjedhjet politike të 23 Qershorit. Ndërkohë ne po punojmë për fuqizimin e metëjshëm të shoqatës, nëpërmjet bashkëpunimit e bashkimit të shoqatave të tjera të ushtarakëve me shoqatën tonë, bashkëpunimit me shoqata të punonjësve të policisë së shtetit, të shërbimeve informative, të gardës së Republikës, etj., të cilat ndjejnë përgjegjësinë për ushtrimin e një presioni ndaj politikës së sotme, jo vetëm për interesat e tyre, por për interesat e vendit dhe të kombit, për ndërtimin e një shteti ligjor, ku ligji, të jetë mbi gjithçka. Tranzicioni mbi 20 vjeçar e ka lodhur se tepërmi popullin tonë, e ka bërë indifernet dhe pesimist per të ardhmen, me këtë  politikë të korruptuar e nepotiste.

     – Në Konventën e PS, një ushtarakë në rezervë foli në emër të ushtarakëve, a ishte ai një anëtar i Shoqatës tuaj apo ndonjë shoqate tjetër?

    – Ai nuk ishte as i shoqatës tonë dhe as i ndonjë shoqate tjetër ushtarakësh, punonjësish policie, shërbimi informativë, veteranësh, etj. Por, në këtë situatë, vërejmë se ka disa ushtarakë, si mjaftë njerëz të tjerë, të cilët, për interesa personale, sabotojnë, me dashje apo pa dashje,  çështjet e bashkëpunimit të ushtarakëve me partitë politike. Këta lloj ushtarakësh, frikacakë dhe të pa aftë, egoistë dhe karieristë, në vend që të marrin pjesë e të angazhohen në shoqatë për të mbrojtur interesat e tyre dhe të kolegëve të tyre, gjejnë rrugën me të shkurtër atë të përfitimit personal, duke shkelur mbi kolegët e tyre dhe bëjnë deklarata apo rrinë pranë klubeve të partive, ku dhe i peshkojnë. Këta ushtarakë, janë mësuar të jetojnë në një simbiozë me partitë politike, ashtu siç jeton këpusha te disa qënie të gjalla, siç jetojnë disa lloje kërpudhash në trungun e pemëve të ndryshme, apo dhe si jeton miza e kalit, pranë vrimes  poshtë bishtit të kalit. Ajo vrimë është habitati i tyre, ku ato ushqehen, riprodhohen e jetojnë. Ata, duke shkelur interesat e grupimit të madh jo vetëm të ushtarakëve për interesa të tyre, janë gati të bëjnë dhe karagjozin e t’u bëjnë hosanara partive, të cilat, në të ardhmen do t’i quajmë “hekuranra” apo “hasanra” dhe jo hosanara.

      -Po kjo kategori njerëzish ku i ka prekur interesat e shoqatës sipas jush?

    -Këta njerëz, nuk  mund ta kuptojnë se, duke vepruar jashtë kontekstit të përgjithëshëm të shoqatës, e bëjnë si grupi i ushtarakëve që iu drejtua Gjykatës Kushtetuese dhe mori atë përgjigje që e dimë tashmë, përgjigjen më të zezë për problemet e pensioneve të ushtarakëve.  Ata janë të gatëshëm t’i lëpihen një partiaku të çfardoshëm që e fton të “thotë një fjalë” diku, se sa të bashkëpunojnë me kolegët e tyre për interesin e përgjithëshëm. Duke përfituar nga rasti, dua  t’ju them këtyre biçimëve se ne do t’i diskretitojmë dhe do t’i tregojmë me gisht të ushtarakët që ata të mbajnë përgjegjësinë e veprimeve dhe deklarimeve të tyre të papërgjegjëshme. Shpresoj se ushtarakë të tillë, të dalin kundër interesave të kolegëve të tyre, duke vepruar individualisht, të mos ketë në të ardhmen.

     -Në këto ditët e fundit janë vrarë tre komisarë policie, cili është mendimi i juaj?

    -Fatkeqësisht, është e vërtetë vrasja e vazhdueshme e punonjësve të policisë apo punonjësve të shërbimit informativë dhe shërbimeve të tjera që kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit, ndaj trafiqeve ilegale, ndaj terrorizmit lokal, rajonal apo global. Kjo tregon se mafia  dhe të gjitha organizatat kriminale e ndjejnë vehten të fuqishme, për arsye se në këto 20 vjet kanë krijuar rrjetin e tyre te fuqishëm, por, njëkohësisht ato mbështeten nga mjaft politikanë, të cilët qëndrojnë mbas tyre. Dua të kujtoj këtu një porosi që na jepnin në vitin 1992 ushtarakë të lartë, gjatë një kursi në Shkollën e Oficerëve të Karabinierisë në Romë, se ruajni që mafja dhe malavita të mos hyjë në politike se do jetë tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur për t’u luftuar. Asgjë nuk mund të bëjë as një polic apo drejtues policie, asnjë punonjës i shërbimit informative apo drejtues i tij, etj. Në rast se politika e jonë nuk do të pastrohet nga elementët dhe veprimet mafioze. Dhe kjo është për të gjithë spektrin politik.

    Falemnderit.