Mehdi Pogaçe: Përqendrimi i armëve të Sirisë, një rrezik i madh për territorin tonë të vogël

    443
    Sigal

    Intervistë/Flet Kolonel Mehdi Pogaçe, Kreu i SHKURSH-it: Gërdeci, pasojë e përqendrimit të armëve tona

    Vendosja e municioneve luftarake kimike të Sirisë të përqendruara, do të kërkonte një territor relativisht të madh dhe një rreze shumë të madhe sigurie të popullsisë dhe ambientit. Kështu shprehet në një intervistë për  “Telegraf”,  Kolonel Mehdi Pogaçe, Kreu i SHKURSH-it. “Shqipëria, për pamundësi realizimi të ruajtjes së municioneve luftarake të trashëguara nga e kaluara, bëri përqendrimin e tyre dhe vetëm nga këto veprime të lëvizjes së municioneve, u shkaktuan disa aksidente ose më mirë shpërthime municionesh si në Picar të Gjirokastrës, në Dhemblan të Tepelenës e deri te shpërthimi apokaliptik i Gërdecit” shprehet Pogaçe.

     Kolonel, kryefjala e ditës sot është pikërisht, mundësia e ardhjes tek ne e armëve kimike për asgjësimin e tyre. Si e shohin ushtarakët këtë problem?

     Është e vërtetë se kjo çështje është bërë kryefjala e ditës, ku specialistë e jo specialistë, ushtarakë apo civilë, analistë e gazetarë, politikanë të opozitës, por dhe të pozitës, shoqëria civile, etj. kanë hyrë në një garë shpjegimesh e kundër shpjegimesh, duke krijuar çoroditje në trurin dhe imagjinatën e njerëzve të thjeshtë, ku dikush shikon “fundin e botës” në këtë veprim, ndërsa dikush tjetër e trajton si një “ekskursion” të thjeshtë dhe “turizëm” të këtyre municioneve me LHL, ku nuk do të ngelet asnjë shenjë, duke dhënë deri garanci absolute. Ajnshtajni ka thënë se asgjë nuk është absolute, përveç ligjit tim mbi relativitetin. Pra, jo vetëm thjesht gabimi njerëzor është i mundshëm, por edhe kushtet e transportit, ruajtjes, magazinimit, mbetjeve të llojeve të ndryshme mbas procesit të djegies, apo shpërbërjes së tyre me lëndë të tjera kimike, mund të lenë pasoja të dëmshme për njerëzit, faunën dhe florën.

    Ushtarakët, si gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, e shikojnë me shqetësim këtë problem, sepse ndërkohë që presim zhdukjen e pasojave të armëve dhe municioneve tona, duhet të merremi me ato të një vendi të Lindjes së Mesme. Bëjmë mirë që mendojmë për popullin sirian, por do të ishte absurde të mos mendonim për popullin tonë, për të cilin jemi përgjegjës. Është interesante, se ne shqiptarët vuajmë shumë nga ksenofilia dhe admirimi për të huajt. Ne kemi mbi 15 vjet dhe nuk përfundojmë dot së asgjësuari municionet dhe armatimet tona konvencionale, ndërsa ato jo konvencionale, si në rastin e armëve apo lëndëve kimike, nuk i realizojmë dot as me forcat dhe as me mjetet tona.

     A na detyron dot NATO, si anëtare e saj, për të kryer këtë operacion?

    Jo, as NATO, as OKB-ja dhe askush tjetër nuk detyron dhe nuk e ka në natyrën e vet detyrimin e anëtarëve për probleme të tilla. Kështu që, as ne nuk mund dhe nuk na detyron ta bëjmë këtë veprim. Për më tepër, ky problem nuk është se ekziston në ndonjërin nga vendet e NATO-s, por është jashtë saj, në një shtet të Lindjes se Mesme. NATO, ashtu si OKB-ja, diskutojnë problemet dhe bëjnë oferta, ndoshta dhe duke orientuar, por asnjëherë nuk mund të imponohen dhe të detyrojnë për gjëra që anëtarët e vet nuk e ndjejnë se janë në gjendje të bëjnë, apo realizojnë.

     Përsa i përket burimeve njerëzore, a i kemi specialistët e duhur për kryerjen e këtij operacioni?

    Lidhur me burimet njerëzore të specializuara, për asgjësimin e këtyre armëve kimike, ne nuk disponojmë, përveçse disa elementeve të Forcave të Armatosura dhe disa oficerë në rezervë dhe në pension, të cilët mund të japin vetëm këshilla, apo të drejtojnë dhe kontrollojnë ata që do të mund të punonin direkt, por asnjëherë ta realizojnë vetë procesin. Kjo është tepër e pamjaftueshme, sidomos për atë sasi municionesh kimike me lëndë helmuese luftarake që është në diskutim. Për realizimin e tërë procesit nevojiten, forca, mjete dhe specialistë të huaj.

     Po vendin e duhur e kemi për të bërë këtë operacion?

    Edhe ky është një problem i madh. Ndërkohë që Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28 mijë kilometrash katrore, vetë Siria ka një sipërfaqe mbi 180 mijë kilometra katrorë, pra, më shumë se 6 herë më e madhe se e jona. Gjithashtu, këto municione luftarake kimike ndodhen në mbi 23 qendra në Siri, gjë e cila do të kërkonte që edhe ne t’i dispononim kaq vende të sigurta në çdo pikëpamje. Por, një shpërndarje e tillë do të kërkonte forca të shumta thjesht për ruajtjen e tyre. Shqipëria, për pamundësi realizimi të ruajtjes së municioneve luftarake të trashëguara nga e kaluara, bëri përqendrimin e tyre dhe vetëm nga këto  veprime të lëvizjes së municioneve, u shkaktuan disa aksidente ose më mirë shpërthime municionesh si në Picar të Gjirokastrës, në Dhemblan të Tepelenës e deri te shpërthimi apokaliptik i Gërdecit. Vendosja e municioneve luftarake kimike të Sirisë të përqendruara do të kërkonte një territor relativisht të madh dhe një rreze shumë të madhe sigurie të popullsisë dhe ambientit.

    Duhet kuptuar se ato nuk janë thjesht lëndë helmuese luftarake, por armë, duke qenë të përbërë kështu, përveç lëndëve helmuese, edhe me predhën, me djegoren e pjesë të tjera të municionit. Pra, para asgjësimit të lëndës helmuese luftarake, duhet të bëhet demontimi i predhave të artilerisë apo aviacionit, ku kjo lëndë është vendosur.

     Legjislatura jonë, a e lejon?

    Legjislatura aktuale e jona, duke përfshirë këtu edhe ligjin themelor të shtetit, Kushtetutën, nuk e lejon një veprim të tillë. Neni 12, paragrafi 3 i Kushtetutës përcakton se: “Asnjë forcë e huaj ushtarake nuk mund të vendoset dhe të kalojë në territorin shqiptar, si dhe asnjë forcë ushtarake shqiptare nuk mund të dërgohet jashtë, përveçse me ligj të miratuar me shumicën e gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Natyrisht, ky nen, aktualisht ka rënë për forca dhe mjete të traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO-s, nga momenti, kur ne jemi bërë anëtare të kësaj Aleance, pasi vendimet për forcat dhe mjetet ushtarake të vendeve të NATO-s i merr direkt Qeveria, por për ato të vendeve jashtë NATO-s, siç është dhe rasti i municioneve luftarake kimike të Sirisë, apo për forca të mundshme nga vende të tjera jashtë traktatit, vendimi merret nga Kuvendi.

     A është vendimi i duhur, për t’u marrë nga politika, asgjësimi i armëve kimike, apo do një përfshirje më të gjerë kjo vendimmarrje?

    Ne flasim dhe unë fola sikur e gjithë kjo sasi municioni luftarake kimike do të trajtohet në vendin tonë, gjë e cila do të krijonte vështirësi dhe probleme të shumta. Realisht, ne nuk dimë me saktësi se çfarë kërkohet dhe çfarë angazhimesh mund të marrim. Pikërisht, kjo i takon politikës, si qëndrim politik dhe në këtë aspekt ne kemi detyrime, si në kuadrin e NATO-s, por edhe të sigurisë globale. Ndërsa, për çështjet teknike dhe sesa ne “na mbajnë shpatullat” kërkohet një konsultim më i gjerë me specialistët dhe organizmat e specializuara civile dhe ushtarake, para marrjes së angazhimeve. Kjo çështje është si problemi i kontributit tonë në Afganistan, Irak e gjetkë, ku ky kontribut, i krahasuar me atë të vendeve të tjera të mëdha të NATO-s është modest, por dinjitoz. Por, ka edhe vende anëtare të NATO-s, të cilat nuk kanë dërguar aq forca sa Shqipëria, megjithëse mund të kenë potenciale njerëzore e monetare më të mëdha. Gjithashtu, dua të theksoj se, sensibiliteti dhe shqetësimi i natyrshëm e i ligjshëm i masave të gjera nuk duhet të përdoret nga politika, as kundër aleatit tonë strategjik, SHBA-së, as kundër NATO-s, por dhe as për përfitime politike opozitare.