Mehdi HOXHA/Veli Alla i Selitës së Malit, heroi i një heroizmi të lëne në harresë

    795
    Sigal

    Dokumentet e kohës flasin për aktivitet patriotike të Benasve duke filluar nga shek. XV në luftë kundër Turqve

    Këngët patriotike të popullit tonë kanë përjetësuar gjithmonë bëmat dhe trimëritë e bijve, që me heroizmat e tyre ja rritën nderin dhe lavdinë kombit. Këto këngë janë të shumta, por bëmat dhe trimëritë më të shumta. Të gjithë banorët e Selitës, Bendes, Tamadhesë dhe të Kurbinit (pasi në këto krahina njihet deri tani heroizmi në fjalë) kur dëgjojnë këngën “Mbeçë more shokë mbeçë”, e gjejnë veten në vargjet e këngës, pasi mjaft bashkëfshatar të tyre mbeten në Anadoll e shkretëtirat e Arabisë pa u kthyer dhe pa varr. Po këta banorë, kënga “Te rrapi në Mashkullore”, i bën krenarë, por krenohen edhe me “Çerçizin” e tyre, Veli Allen. I pari vrau Bimbashin te rrapi, i dyti ” Bimbashin” tjetër në Selite Malit. Historia jonë, nga jugu në veri, është e mbushur me Çerçizë dhe Veli, që me heroizmat e tyre kishin mbushur vendin me çallma Bimbashësh. Ndërsa për Çerçizin e Mashkullores është shkruar dhe e njohur bëma, për “Çerçizin e Selitës së Malit”, për Veliun, bëma e tij njihet vetëm në krahinat përreth, kjo jo për fajin e Veliut, pasi ai e kreu mirë detyrën e tij, por të brezave pas tij që u kujtuan me kaq vonesë. Duke u mbështetur në thënien e popullit: “Më mirë vonë se kurrë”, menduam të shkruajmë edhe për këtë heroizëm, që për nga rëndësia, koha, kushtet, shkaqet, dhe efektet, nuk ka vlera personale, nuk është si ngjarje e izoluar brenda një fshati a krahine. Ajo mbart vlera kombëtare dhe bën pjesë në Heroizmat e heronjve tanë kombëtarë. Më lart përmendëm emrin e tre krahinave ku është e njohur ngjarja. Është me vlerë të sqarojmë shkurtimisht shtrirjen dhe historinë e tyre. Këto tre krahina shtrihen njëra pas tjetrës duke filluar nga fshatrat e Çermenikës dhe të Elbasanit në Jug e deri në brigjet e lumit Mat në Veri. Nga lindja vargmalet e Skënderbeut i ndajnë këto krahina me Martaneshin e fshatrat e Matit, ndërsa nga perëndimi, kufi natyror shërben vargu malor Krujë-Dajt. Në hapësirën midis këtyre kufizimeve, shtrihen këto krahina njëra pas tjetrës. Duke u nisur nga Jugu, pas fshatrave të Çermenikës dhe të Elbasanit, fillon Krahina e Tamadhesë, e cila vjen deri pranë rrugës automobilistike Tiranë-Bize, nga ku fillon Krahina e Bendës. Kjo krahinë ndahet me atë të Kurbinit në Qafështame. Te tria këto krahina sot bëjnë pjesë në malësinë e Tiranës dhe të Krujës. Duke qenë pranë Krujës, ato kanë pasur një aktivitet të madh dhe të rëndësishëm në luftën kundër pushtuesve turq. Ato nuk kanë shërbyer thjesht si prapavijë e Skënderbeut, por kanë qenë pjesëmarrëse aktive e kësaj lufte. Në botimet e historianëve për luftën Shqiptaro-Turke, është e pasqyruar dhe e dokumentuar përfshirja aktive e këtyre krahinave në këtë luftë. Në këtë përshkrim të shkurtër historik e gjeografik, do të ndalemi më gjerë në Krahinën e Bendës, pasi ngjarja që do të trajtojmë ka ndodhur në këtë krahinë. Siç treguam me lart, Benda, shtrihet midis Tamadhesë nga Jugu dhe Kurbinit nga Veriu. Në përbërje të kësaj krahine janë fshatrat: Selita e Malit, Bastari, Vilza, Mneri, Shëngjini i vogël, Dajti, Shupali, Beshi, Bulçeshi, Bruzi. Benda është një krahinë me histori të pasur që në lashtësi e deri në ditët tona. Dokumentet e kohës flasin për aktivitet patriotike e luftarake të benasve duke filluar nga shekulli i XV në luftë kundër Turqve e deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. E pa shkëputur nga historia e kësaj krahine është edhe fshati i Selitës së Malit si pjesë përbërëse e krahinës. Pushtuesit e ndryshëm që nga Osmanët dhe të tjerët pas tyre, asnjëherë nuk janë ndjerë të qetë në Bende. Zjarri i urrejtjes ndaj pushtuesit në Bende dhe fshatrat e saj është ndezur qysh në shekullin e XV dhe nuk u shua për 500 vjet. Çdo fshat, çdo rrugë, çdo luginë, çdo kullë e shtëpi mbart pjesëza historike e patriotizmi, që të tëra bashkë plotësojnë historinë e plotë të kësaj krahine. Kjo ishte Benda dhe Selita e Bendës ku u lind dhe u rrit Veli Alia. Ai mendohet të këtë lindur rreth vitit 1830, në lagjen Kutrreq, të Selitës së Malit. Familja ku u lind dhe u rrit, fshati i tij Selita, dhe krahina e tij Benda, në shekuj se kishin duruar pushtimin, por ishin të mbushur me urrejtje ndaj pushtuesit. Këtë urrejtje ato e kishin transmetuar dhe edukuar nga brezi në brez. Me këtë “ushqim” u rrit Veli Alia. Të gjitha nënat shqiptare, përfshi dhe ato të Bendës e Selitës kështu i rritnin bijtë. “Nënat shqiptare që fëmijët lindnin,/ Me qumështin e gjirit,/ Ithnim për armikun qitnin.” Ky qumësht, me këtë ithnim brenda, u kishte nxjerrë telashe të mëdha sulltanëve të Stambollit dhe megjithëse ishin munduar shume, nuk kishin arritur kurrë ta helmonin këtë qumësht. Krahas shumë formave të tjera, sulltanët praktikuan edhe marrjen e djemve të rinj nga Shqipëria për në Anadoll e më tej, për të mos i pasur ato kundra në Shqipëri, por për t’i përdorur si mish për top në vende të tjera. Kjo praktikë nuk i kishte dhënë rezultat dikur me djemtë e Gjon Kastriotit, por mendonin se, ai, ishte një rast i veçantë dhe që s’duhej përgjithësuar. Insistimi i turqve në këtë variant qe i madh. Ky insistim detyroi banorët e Bendës, Tamadhesë, Kurbinit dhe më tej, të regjistronin të gjithë djemtë e lindur si vajza. Ky veprim i “Arnautëve” zemëroi pa masë Sulltanë, vezirë e bimbashë, të cilët menduan si zgjidhje, ngritjen e një komisioni, për verifikimin në vend duke kontrolluar fizikisht çdo fëmijë të lindur, për t’i përcaktuar saktë gjininë që kishte. Ngjarja mban vitin 1859, pas lindjes së Reformave të Tanzimatit dhe përpjekjeve të Turqisë për aplikimin e këtyre reformave dhe në Shqipëri. Aplikimi i këtyre reformave në vendin tonë kishte ngjallur kundërshtim dhe reagim të mbarë shqiptarëve. Në të gjitha krahinat e vendit ishte ndezur lëvizja kundër këtyre reformave dhe po kundërshtohej me armë rekrutimi i djemve si nizam. Kjo ishte arsyeja që turqit kërkonin të bënin regjistrimin e fëmijëve me komision të posaçëm. Menjëherë filloi puna për ngritjen e komisionit. Në krye të këtij komisioni u zgjodh “Besniku” i perandorisë Haxhi Ali Beshiri dhe dy ndihmës të tij. Por puna nuk mbaronte me kaq dhe këtë turqit e dinin mirë. Ato prej kohesh kishin dëgjuar për një far Gjergj Elez Alia, që me nëntë plumba në trup, ishte ngritur si dragua dhe kishte shembur për tokë Balozin e Zi për të mbrojtur nderin. Atyre akoma nuk u ishin mbyllur plagët e të plagosurve dhe korbat s’kishin mbaruar së ngrëni mishin e të rënëve në Grykë të Gjoricës. Si për fat të keq ato ditë Valiut i kishte rënë në dorë dhe një dokument me emrin Kanuni i Bendës, ku në kapitullin për nderin, në pikën e parë, kishte lexuar se: “Erzi e burrnia janë nderi i shtëpisë. Po nuk i pate këto, kot je gjallë”. Dy rreshta më poshtë, ai kishte lexuar se: “Nderi i merret burrit, po i dhunoi kush gruan, nënën, motrën e gocën”. Të gjitha këto e kishin vënë në siklet Valiun. Kontrollin duhej ta bënte, por dhe një parandjenjë e keqe ja turbullonte mendjen. Urdhrin që i kishin dhënë dhe vendimin që kishte marrë nuk mundi ta anulonte, prandaj vendosi që në mbështetje dhe në mbrojtje të komisionit të dërgonte një tabor ushtarësh. Sufarija do t’i paraprinte komisionit dhe sipas mendjes së tij, kjo sufari do të shërbente edhe për të mos u frikësuar komisioni, por edhe si presion ndaj malësorëve arnautë. Pas kësaj zgjidhje, Valiu menjëherë hartoi grafikun e kontrollit për çdo fshat e krahinë dhe shpërndau njoftimet tek çdo kryeplak për tu bërë të ditur ditën se kur do mblidhnin gratë me fëmijë për kontroll. Me të mbërritur ky njoftim në Selitë, selitasit u mblodhën burrë për shtëpi. Ato ishin mbledhur dhe herë të tjera tek Kuvendi i Vjetër dhe kishin marrë vendime të rëndësishme për të mirën e vendit, Bendës e Selitës. Ato s’mund ta pranonin këtë komision dhe s’mund t’i bindeshin këtij urdhri. Nderi nuk mund të dilte në shesh për të madh e për të vogël. Njëzëri u vendos që fëmijët të mos i sjellin për kontroll dhe ndaj komisionit të qitej pushkë. Aty u vendos se kush do të qëllonte mbi Komisionin, në mbrojtje do t’i dilte e gjithë Selita. Këtë fakt na e dëshmon vete Veliu, i cili kur po e merrte sufarija të lidhur mbas vrasjes së Haxhi Aliut, i këndon vetes: “Për një pushkë që shtjeu Veli Alia, plot me burra u mbush Shkalla”. Ky vendim i selitasve, në kuvendin e tyre, u mor vesh në të gjithë fshatrat e Bendës dhe të Tamadhesë. Kjo tregon se ngjarja e Selitës nuk ishte reagim momenti, por i parapërgatitur. Krahina e Tamadhesë kur mësoi për vendimin që kishte marrë Selita, i ofroi Veli Allës 40 qese me kusht që Veliu të qiste pushkë kundër komisionit, kur ky i fundit të shkonte në krahinën e Tamadhesë për regjistrim, por Veli Alia u përgjigjet se nuk është vrasës me pagesë, por me nder. Haxhi Aliu me anëtarët e komisionit dhe sufarin, pasi kryejnë regjistrimin në fshatrat e Tamadhesë, vijnë në Selitë për kontroll. Aty gjejnë burrat e Selitës të mbledhur, por asnjë grua me djep. Menjëherë kryetari i komisionit i drejtohet popullit: “Sillni këtu gratë me djepa”. Veli Alia, ngrihet dhe prerë përgjigjet: “Jo”. Në debat e sipër me Haxhi Aliun, Veliu nxjerr alltinë nën xhuli dhe ja numëron Haxhi Aliut duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë hidhen xhandarët dhe e lidhin duke e nisur për Shkallë të Tujanit. Selitasit dhe Bendasit zënë Shkallen e Tujanit për të mos e lënë Veliun ta merrte sufarija. Turqit të informuar për bllokimin e Shkallës së Tujanit, e kthejnë Veliun dhe e kalojnë nga Qaf-Priska për në Elbasan, pa e ndaluar fare në Tiranë nga frika se mos populli i Selitës dhe i Bendës do ta ndiqte birin e vet edhe në Tiranë. Veliun e mbajnë një natë në Elbasan dhe të nesërmen e nisin për në Ohër dhe më tej në Anadoll apo shkretëtirat Arabe, ku vdiq pa varr. Krisma e alltisë se Veliut gjëmoi fort. Ajo u ndje jo vetëm në Selitë dhe Bende, por dhe në Tamadhe e Kurbin. Atë e dëgjoi Çerçizi në Mashkullore, e dëgjoi Sulltani në Stamboll. Jehonën e kësaj krisme na e tregon populli i Selitës nëpërmjet këngës që i thuri birit të vet: “Në Stamboll këndon fermani,/ U vra Haxhi Aliu n’Selit Malit,/Ka shku zani e ka shku fjala,/ Vra e paska ky Veli Alia.”