Mehdi DEMA:Lulzim Kodra, shembulli tipik i persekutimit komunist

    647
    Sigal

    Historia e internimit të familjeve të burrave të pushkatuar, për të ashtuquajturën “bombë” në ish- ambasadën sovjetike

    Ishte data 3 mars e vitit 1951. Kamioni i Ministrisë së Brendshme, me hijen e tij të rëndë, detyrohet të ndalojë udhëtimin nga alarmimi i grave të disa familjeve që bartte në karrocerinë e tij, për diku në Jug të Shqipërisë, në kampin famëkeq të internimit në Tepelenë. Ishin gratë dhe fëmijët e pesë familjeve të burrave të pushkatuar, pa gjyq e pa faj, për të ashtuquajturën “bombë” në ish- ambasadën sovjetike. I vetmi faj i tyre ishte geni dhe formimi i tyre i nderuar dhe shumë respektuar. Nënë Hazbija, e hutuar nga tronditja prej gjëmës që i kish ndodhur, kur kamioni arrin në Vorë dhe policët shoqërues bëjnë apelin, sapo thërritet emri Lulzim Kodra, kujtohet se në rrëmujën e gjithë orendive të shtëpisë në Tiranë, kish harruar djalin e saj të vogël, Lulin. U alarmuan edhe policët, sepse u mungonte një “armik”. Nuk e dinin ata se “armiku” s’ishte veçse një fëmijë që s’kish mbushur akoma vitin. Mbasi sollën edhe bebin e harruar, kamioni nisi sërish rrugën e gjatë, shoqëruar nga zhurma e fërkimit të ganxhave që lidhnin spontet e karrocerisë së tij të vjetër, duke u lëkundur sa në njërën anë në anën tjetër të rrugës me zhavorr e gropa, e duke përplasur me të njëjtin ritëm edhe atë komunitet me gra e fëmijë mbi shasinë e tij. Shtrëngonin nënat në prehrin e tyre fëmijët, si klloçka të vegjlit e saj, që të mos vriteshin, por nga lëkundjet dhe errësira e natës, shpesh ndodhte që fëmijët e një nëne të gjendeshin në prehrin e një nëne tjetër. Një nënë thërriste fëmijën e saj që s’e shihte, një tjetër nënë e siguronte të mos mërzitej se e kish në duart e saj.

    Veç të tjerash, edhe kamioni sikur të mos deshte t’i dërgonte këto të pafajshëm në destinacion, filloi të shfaq defekte serioze. Mbas shumë peripecish mundën të arrinin deri në Vlorë.

    Një magazinë qymyri, me derë pa derë e dritare pa xhama, qe bujtina mikpritëse për këto gra e fëmijë të pambrojtur në atë fillim marsi. Ndoshta qe shkaku i mungesës së transportit që këto familje të mos vazhdonin udhëtimin më tej për në Tepelenë. Mbas disa ditësh “pushimi” mes lagështirës dhe pluhurit të qymyrit, do të ndaheshin me këtë magazinë për në  tjera magazina, ku gratë dhe fëmijët më të rritur do t’i “gëzonin” punës në bujqësi në fshatrat e Vlorës.

    Në gjithë atë zallamahi Luli, bashkë me vëlla Rexhepin dhe dy motrat, Tefta e Violeta, po rriteshin. E ëma s’po arrinte as t’i ushqente, shpesh linte veten të pangrënë për të kompensuar një minimum të ushqyeri për fëmijët. Rëndom mendonte ajo për amanetin e imagjinuar të babait të fëmijëve të saj, Hakiut, për shkollimin aq të dëshiruar për fëmijët e tyre. Thash “amanetin e imagjinuar”, sepse atij nuk iu krijua mundësia as për t’i lënë amanetet të shoqes. Por ç’të bënte e gjora nënë në këto kushte? Si romët shtegtarë që ndërrojnë shpesh vendbanimet e tyre, ndodhte me familjet e internuara; herë në një vend, herë në një tjetër vendbanim. Në vitin 1958 nënë Hazbijes me fëmijë i u imponua të ngrinin kasollen e tyre të banimit në fshatin Otllak të Beratit, duke u ndarë kështu me vajzën e madhe, Teftën, që u martua sa ish në Vlorë. Me shpresën e vendosjes përfundimtare në këtë fshat, geni u impononte të mos ndienin lodhje për të krijuar, brenda mundësive të lejuara, një mjedis sa më të pranueshëm jetese.

    “Zemërgjerësia ” e partisë-shtet lejoi më të vegjlit, dy djemtë, të mund të shkonin tek të afërmit e tyre në Dibër për banim të përkohshëm; Rexhepi tek halla e tij dhe Luli tek daja. U krijua kështu edhe mundësia për të mbaruar shkollën shtatëvjeçare, Luli në Gjoricë dhe Rexhepi në Shupenzë të Dibrës. Pas disa vitesh djemtë rikthehen sërish në Otllak. Me shumë përpjekje, sikur të notosh kundër rrymës së një lumi, mundën të regjistrohen dhe të mbarojnë edhe shkollën e mesme në Berat. Për të lehtësuar barrën e familjes, Rexhepi, që pa mbaruar shkollën e mesme, fillon të jetojë më vete i ndihmuar edhe nga shoqëria e tij. Diktuar nga kushtet e jetës, ndonëse akoma e re, edhe motra e vogël, Violeta, martohet. Me fantazinë e adoleshentit të ndrydhur, me këmbënguljen dhe përkushtimin që e karakterizonte, me muskujt akoma të paformuar mirë, Luli ia ndryshoi pamjen shumë shpejt mikromjedisit që i caktuan të banonte, aty në Otllak. Puna e tij, si të ish specialist aredimi, zgjoi kureshtjen dhe ambicien edhe të komunitarëve që e rrethonin, ndaj filluan të shëmbëllejnë me të. Mbasi mbaroi shkollën e mesme, për të plotësuar një minimum ekonomik, ai i u afrua kantiereve të ndërtimit. Për shkak të biografisë, që e ndiqte si hije kudo, nuk e pati të lehtë të mundësojë punësimin si punëtor krahu në ndërmarrjen e ndërtimit në Berat.

    Shumë shpejt bëri emër si punëtor i sjellshëm e i palodhur. Me opinionin që krijoi, mundësoi të ndjekë kursin e elektricistit; profesion që e ushtroi deri në fund të viteve tetëdhjetë. Me ndërmarrjen e ndërtimit Berat, ngaqë u aftësua shpejt si ndër më të mirët elektricist, punoi në kantiere ndërtimi edhe jashtë rrethit; në Elbasan, Fierzë, etj. Kudo hija e biografisë qe gjithmonë frenuese për të mos e lënë të marrë meritat e punës. Mbasi bëri emër të mirë si specialist dhe punëtor i palodhur, më 1987-ën, kur sistemit komunist kishin filluar t’i lëkundeshin themelet, i mundësuan të ushtrojë profesionin e elektricistit në një sektor me rëndësi në fermën e Otllakut, në Berat. Puna e tij e lavdëruar, sjellja dhe fisnikëria e tij, bëri të mos ngurojë vajza korçare, Vera, t’i përgjigjej pozitivisht simpatisë së tij dhe për të krijuar më pas një familje shembullore. Duhet të vinin proceset e rrënimit të sistemit komunist, që Luli të mund të gjente minimalisht atë që i takonte. I çliruar nga mungesa e fjalës së lirë, ai mori pjesë aktive në procesin e lëvizjeve antikomuniste për propagandimin e demokratizimit të vendit. Fillimisht u angazhua fuqishëm në strukturat e Partisë Demokratike në Berat. Me të njëjtin përkushtim vazhdoi edhe mbasi u zhvendos në qytetin e tij të lindjes, në Tiranë, në vitin 1993. Nuk arriti të gëzojë këto ditë të shumëpritura vëllai i tij më i madh, Rexhepi. Shumë parakohe, ai ndërroi jetë, duke mos gëzuar, bashkë me dashurinë e tij të jetës, lumturinë e vajzës dhe djalit të tyre. Të njëjtin fat pati edhe motra e tij e vogël, Violeta. Ajo e mbylli jetën e saj pa u sistemuar akoma mirë atje ku kish parë për herë të parë dritën e diellit, atje ku qe ndarë përgjithmonë me babain, idhullin e saj, që aq shumë e kish dashur. Me ardhjen në Tiranë, Lulit iu krijua mundësia të kualifikohej më tej; mbaroi Akademinë e Rendit dhe më pas Fakultetin Juridik. Strukturat e Partisë Demokratike, duke vlerësuar angazhimin dhe aftësitë e tij, e ngarkuan me detyra të rëndësishme në administratën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, që nga viti 1993.

    Ndonëse pa i shpëtuar oscilacioneve të ndërrimit të pushteteve nga partitë politike, edhe këtu rezultatet e punës së tij kanë reflektuar gjithmonë veçse pozitivitet. Si nëndrejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, është i nderuar dhe i respektuar, falë korrektesës, përgjegjshmërisë dhe përkushtimit të tij në punë. Në zgjedhjet vendore të vitit 2003, kandidoi për kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 7, në Tiranë, si kandidat i Partisë Demokratike, duke marrë numër të konsiderueshëm votash më shumë se kandidatët paraardhës. Sot ai, bashkë me nikoqiren e tij, gëzojnë frytet e punës, mundit e sakrificës ndër vite, të rrethuar me djem, nipër e mbesa, që rriten të lumtur e pa kufizime dhe krenarë për prindërit dhe gjyshërit e tyre.