Më shumë mjete private, sesa furgona të licencuar nga bashkia për transportin e fëmijëve

    377
    Në mbledhjen e organizuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me 24 administratorët, disa ditë përpara se të fillonte viti i ri shkollor, u vendosën disa rregulla të reja në lidhje me transportin e fëmijëve në shkolla. Këto rregulla, sot kur kanë kaluar më shumë se dy javë nga fillimi i viti të ri shkollor, duket se ende nuk po vihen në zbatim ashtu siç dhe u vendos në këtë mbledhje, të organizuar nga kreu i Bashkisë së kryeqytetit. Problematika e transportit të nxënësve në shkolla është një problematikë e cila haset çdo ditë, por sa po vihen në funksion këto rregulla në lidhje me disiplinimin e transportit të nxënësve në shkollat publike, ende mbetet për tu parë, pasi deri tani asgjë nga ato që u fol në këtë mbledhje nuk është vënë në zbatim. Problematikën e transportit e vuajnë 114 mijë nxënësit e kryeqytetit, të cilët përballen çdo ditë me vështirësinë e transportit dhe rrezikun e përditshëm sa i përket trafikut të rënduar të Tiranës. Në mbledhjen e drejtuar nga kreu i Bashkisë, u fol për vënien në zbatim të një urdhri të ri, i cili nuk do të lejonte mjetet të cilat bëjnë furnizimin e marketeve apo mjetet e tonazheve të rënda të qarkullonin në disa akse për disa orë, ku trafiku është tejet i rënduar. Por deri më tani ky urdhër i dalë nga zyrat e bashkisë, duket se nuk po shkon ashtu siç duhej, pasi ende ka biznese të cilat bëjnë furnizimin gjatë orëve të ditës, kur me urdhrin e ri nuk duhet të bëhej, madje as qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë. Më problematike paraqitet situata në lidhje me vendosjen e standardit të ri, sa i përket mjeteve të cilat do të lejoheshin të përdoreshin për transportin e nxënësve, të cilat sipas urdhrit të ri duhet të jenë të licencuara nga bashkia.

    A do të respektohet urdhri i bashkisë në lidhje me licencimin e mjeteve për transportin e nxënësve në shkolla 

    Urdhri i nxjerrë nga bashkia në lidhje me licencimin e mjeteve të cilat do të kryejnë funksionin e transportimit të nxënëseve në shkolla, ende është në proces, pasi deri më tani nuk është parë ndonjë automjet, i cili përmbush kriteret e vendosura nga kreu i Bashkisë, si marrja e certifikimit nga bashkia, pajisja me sinjalistikën e duhur dhe lyerja me ngjyrë të verdhë në portokalli. Ajo që shfaqet më problematike në këtë pjesë, ka të bëjë me rregullat e reja të transportit të nxënësve, të vendosura nga bashkia, rregulla të cilat pritet të shkaktojnë jo pak probleme. Kjo, sepse mjetet aktuale të cilat kryejnë privatisht këtë shërbim me shumë mundësi nuk do të pranojnë këto rregulla të reja, duke lënë mundësinë e dështimit të këtij urdhri të shumë përfolur nga kreu i Bashkisë së Tiranës, pasi shumica e automjeteve që kryejnë këtë funksion janë private. Përveç furgonave që kryejnë këtë shërbim në punë për kryerjen e këtij transporti janë dhe shumë automjete private, 4+1 apo 6+1, të cilat nuk kanë asnjë farë licencimi apo sinjalistikat e duhura për të përmbushur urdhrin e dalë nga bashkia dhe nuk dihet nëse do të pranojnë urdhrin e ri apo do të vazhdojnë të kryejnë të njëjtën rutinë të përditshme si tani, duke lënë situatën të vazhdojë në kushte të njëjta, duke rrezikuar çdo ditë jetën e fëmijëve në rrugët e “pushtuara” nga trafiku mbytës i Tiranës. 
    Sigal