Me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, “ngrin” projektligji për nënshtetësinë e brezit të dytë të emigrantëve

    424
    Sigal

             GREQI/ Nënshtetësia greke për brezin e dytë përsëri “në ajër”!

    Ja kush përfiton nënshtetësinë greke. Dokumentet kryesore nëse plotëson një nga këto kushte:

    A)I interesuari duhet të ketë mbaruar arsimin e detyrueshëm –fillore/gjimnaz baras me 6 vite shkollë.

    B)I interesuari duhet të ketë kryer 6 vite shkollë të arsimit të mesëm-gjimnaz/lice

    C)I interesuari duhet të jetë diplomuar nga lice grek dhe universitet AEI/TEI grek.

    “Ngrin” projektligji për nënshtetësinë e brezit të dytë të emigrantëve, me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Për pga.al, fati i projektligjit nuk përbën lajm, më shumë është një konstatim i situatës së përgjithshme dhe trajtimit indiferent të çdo çështjeje në favor të emigrantëve, nga sistemi politik grek

     Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk penguan thjesht miratimin e një projektligji favorizues e bashkëkohor për emigrantët. Në fakt, me zhvillimet e fundit politike në vend, këtyre dispozitave nuk i dihet më fati. Që do të thotë se përsëri brezi i ri i emigrantëve zhytet në pasigurinë e shoqërisë greke, një shoqëri që megjithëse arritëm në 2015-ën, akoma vështirësohet të unifikohet me tiparin e saj më karakteristik, dekada tashmë: atë të shoqërisë multikulturore. Të lindur apo të rritur në Greqi, nuk ka asnjë rëndësi për askënd, ishin e mbeten të huaj, pa shanse dhe pa atë fije drite shprese që ofron akoma pasaporta greke, si e një vendi anëtar të BE-së.  Padyshim që Greqia sot ka shumë tema kritike për t’u përballur, nuk vihet në diskutim prioriteti i çështjeve, për të dalë nga situata kaotike e krijuar. Vetëm se zgjedhjet e parakohshme, veç shumë e shumë minus-eve të tjera shënuan dhe një akoma: kohë të humbur kot për një numër mjaft të konsiderueshëm njerëzish të rinj, një brezi të tërë që njeh gjuhën e kulturën greke më mirë se këdo tjetër. Boshllëku i krijuar nga anulimi i neneve të 3838, pas vendimit absurd të Këshillit të Lartë të Shtetit, duhej mbuluar prej kohësh. Dhe kështu dukej se do bëhej, me depozitimin e këtij projektligji që hapte rrugë e që në dukje të paktën, kapërcente me dinjitet hendekun e hapur me zell nga ekstremistët. Apo ishte një tjetër “blof” politik? Periudha kohore që u paraqit e ngjall edhe këtë dyshim, dihej që dita e qeverisë Samaras/Venizelos do perëndonte herët!

    Gjithsesi, sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme, janë rreth 200.000 të rinj të lindur apo të rritur në Greqi që presin shansin për të marrë nënshtetësinë greke. Nga këta, plot 50.000 plotësonin të gjitha kushtet dhe do të përfitonin automatikisht këtë të drejtë, me miratimin dhe hyrjen në fuqi të projektligjit. Sot, këta të rinj mbeten me pikëpyetje, të shqetësuar nëse vërtet në axhendën e SYRIZA mbetet prioritet çështja e tyre, apo koalicionet e mundshme para e paszgjedhore do sjellin ndryshime? Nëse zgjedhjet afrojnë SYRIZA dhe “ANEL”-Grekët e Pavarur- që në vitin 2012 kërkuan anulimin e ligjit Ragusi nr. 3838, atëherë nënshtetësia do të jepet me përqindje, bazuar në shifrat e popullsisë greke, siç pretendojnë deputetët e ideve ekstremiste? Përveç disa pozicionimeve nga deputetë të veçantë, SYRIZA nuk ka marrë asnjëherë asnjë qëndrim zyrtar në lidhje me projektligjin. Nga ana e tyre, të rinjtë e shoqatave të ndryshme emigrante, si “Generation 2.0” theksojnë në çdo deklaratë zyrtare se: “në thelb projektligji me firmën e ministrit Argjiris Dinopulos përbën një zgjidhje të gatshme e të shpejtë, që duhet miratuar e hyjë në fuqi, për të mos humbur më kohë të vyer”.Por…!!!

    Çfarë parashikon projektligji i fundit për nënshtetësinë?

    Projektligji i ri, që nuk arriti të shikojë ditën e botimit në Fletoren Zyrtare, bazohej në tre kushte për nënshtetësinë greke:

    -Çdo i huaj, banor i përhershëm i Greqisë, i lindur në vend apo i ardhur në moshë të vogël, që edukohet në sistemin arsimor grek, përfiton nënshtetësinë greke, nëse plotëson një nga këto kushte:

    A)I interesuari duhet të ketë mbaruar arsimin e detyrueshëm –fillore/gjimnaz baras me 6 vite shkollë.

    B)I interesuari duhet të ketë kryer 6 vite shkollë të arsimit të mesëm-gjimnaz/lice

    C)I interesuari duhet të jetë diplomuar nga lice grek dhe universitet AEI/TEI grek.

    Kërkesat e të interesuarve do të pranoheshin nga mosha 16 vjeç  e do të miratoheshin deri në dy vite më pas, me mbushjen e moshës 18-vjeçare.

    Ndryshe nga ligji Ragusis, ku kriter bazë ishte shkollimi 6-vjetor dhe jo arsimi i detyrueshëm, apo lindja në Greqi nga prindër të ligjshëm 7-vitet e fundit, me këtë projektligj shansi i ofrohej të rinjve, brezit aktiv të emigrantëve që do të mund të përdornin këtë avantazh për të kontribuar konkretisht në progresin e shoqërisë greke, në ekonominë e vendit si dhe në ekonominë e BE-së. Vlen të përmendim faktin se sivjet në shkollat fillore e të mesme (fillore-gjimnaz-lice) të Greqisë studiojnë 75.000 fëmijë emigrantësh. Këtë fakt, vetëm një shoqëri e shëndoshë, me mendje të hapur e progresive mund të vlerësojë saktë. Sepse shifra që përcakton brezin që rritet e edukohet si dhe grekët, me vullnetin e zellin të programojnë jetën e tyre në dobi të këtij vendi, është veçse një privilegj i jashtëzakonshëm! Por a është gati shoqëria greke për një reagim të këtij niveli? Dhe më e rëndësishme akoma, do të jetë kaq vizionare dhe e civilizuar qeveria e ardhshme?

    Përgatiti: I. Londo-Greqi