Më 31 gusht përfundon rivlerësimi i pasurive të paluajtshme

    470
    Sigal

    Qytetarët:Ministria e Financave duhet të shtyjë afatin i rivlerësimit të pasurive tona

    Ministria e Financave bën të ditur për të gjithë qytetarët se afati i përfundimit  të rivlerësimit të pasurive të tyre të paluajtshme, ndërtesa dhe tokë, përfundon në datën 31 Gusht. Rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme ka përbërë një ndër dispozitat më me interes për  individët në kuadër të ligjit nr. 10418, datë 21.4.2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”. Shtyrja e afatit të zbatimit të ligjit nga data 31 Mars në datën 31 gusht rezultoi të ishte një masë e suksesshme e qeverisë. Gjate katër muajve te shtyrjes se afatit, Prill – Korrik, janë rivlerësuar rreth 10,628 pasuri të paluajtshme dhe tatimi i mbledhur nga rivlerësimi është 458 milion lek milion lek. Në total nga fillimi i zbatimit të ligjit të faljes deri tashme, në total janë rivlerësuar 57,603 pasuri dhe tatimi total i mbledhur është 2.55 miliardë lek. Ministria e Financave inkurajon të gjithë qytetarët e tjerë që të nxitojnë të bëjnë rivlerësimin e pasurisë së tyre me vlerën reale të tregut, ndërsa qytetarët nga ana e tyre kërkojnë nga qeveria që ajo të shtyjë edhe njëherë afatin e vendosur për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme deri më 31 dhjetor. Kjo shtyrje afati sipas tyre kërkohet sepse shumica e tyre janë emigrantë dhe periudhën më të përshtatshme e shohin në dhjetor që të kthehen në atdhe. Por, ka ndodhur që, edhe afatet që vendosin bankat, për të tërhequr paratë klientët, janë të gjata dhe kështu nuk kanë mundësi t’i tërheqin në kohën e duhur për të bërë pagesat e nevojshme dhe të detyrueshme. Kështu do të ishte në të mirën e qytetarëve dhe vetë suksesit të projektit që Ministria e Financave të shtynte afatin e rivlerësimit të këtyre pasurive.