Më 17 maj, Vasil Laçi plumba mbi Perandorin pushtues, fjala e fundit para varjes: Më jepni një krëhër”

    867
    Sigal

    Sot asnjë përkujtim për 72-vjetorin e atentatit të Vasil Laçit kundër Viktor Emanuelit të Tretë

    “Sot e kam radhën unë që të përcjell Perandorin”. Kështu është shprehur “Heroi i Popullit”, Vasil Laçi, atë ditë të 17 majit, kur doli për të qëlluar mbi Viktor Emanuelin  e Tretë. Ka shumë ngjarje dhe emra luftëtarësh për të cilët politika e sotme shqiptare ka mendime të ndryshme. Po për Vasil Laçin të gjithë janë në një zë: Ai është “Heroi i popullit” që i shtoi fisnikërinë dhe dinjitetin kombit shqiptar. Sepse  72 vjet më parë, në 17 maj të vitit 1941, teksa mbreti i Italisë, Viktor Emanueli III, që pretendonte se ishte edhe mbret i shqiptarëve, u prit me plumba në Tiranë. Emaneli sapo kishte mbaruar vizitën e tij njëjavore në vendin tonë e po ikte si triumfator drejt aeroportit. Ndërkaq, disa njerëz kishin dalë, ose ishin nxjerrë me zor që  ta përshëndesnin. Por aty, midis turmës, 19 vjeçari Vasil Laçi e qëlloi disa herë me revolver. Mbreti shpëtoi, por akti i këtij heroi të madh ishte një përgjigje për pushtimin. Vasil Laçi ishte nga Piqerasi i Sarandës. Menjëherë, pas atentatit, djaloshin që punonte si shegert në një hotel  modern të Tiranës, e arrestuan. Ndërkaq, mbreti shpëtoi, por plumbat e fshikulluan lehtë Kryeministrin  Shefqet Vërlaci që ishte në të njëjtën makinë me të.

    Gjyqi

    Gjyqi, i qeverisë kolaboracioniste vendosi më 26 maj, pra 9 ditë pas atentatit, që Vasil Laçi të varej në litar. Në çastin e varjes xhelati e pyeti se përse bëre atentat kundër perandorit? Vasili iu përgjigj: “E bëra me vetëdije për Shqipërinë”. Por para varjes, Vasil Laçin  e torturuan dhe e masakruan. Në çastin e varjes, kur e pyetën për fjalën e fundit, Vasil Laçi u kërkoi një krehër për të krehur flokët. Dhe ashtu si një simbol fisnikërie për Shqipërinë, para se të binte në litar thirri: “Poshtë fashizmi! Rroftë Shqipëria e lirë”!

    Revolveri

    Vasil Laçit revolverin ia dha Genc Koka, i cili ishte djali i një familjeje patriotësh. Vasili kishte shkuar në familjen e tyre për të punuar, pas një rekomandimi që i kishte dhënë dr. Mokini, i cili i kish’ folur fjalët më të mira për atë djalë. Vasili shërbeu aty për ca kohë dhe iku vetë që andej, 2 javë para se të bënte atentatin, Vasili filloi punë në hotelin “Internacional”, ku pas atentatit u arrestua dhe u ekzekutua me varje në litar. Qeveria kolaboracioniste shqiptare kishte frikë që ët thuhej e vërteta, prandaj propaganda zyrtare paraqiti atë, sikur Vasili kishte qëlluar mbi Kryeministrin Shefqet Vërlaci për çështje të hasmërisë. Ky ishte versioni zyrtar që u dha nga propaganda zyrtare e qeverisë dhe ajo e partisë fashiste. Por në fakt, Vasil Laçi qëlloi me vetëdije mbi drejtuesit e lartë të shtetit Italian që kishte pushtuar Shqipërinë. Sot fatkeqësisht, në Tiranë nuk ka asnjë përkujtim për aktin trimëror të këtij heroi shqiptar.

    Ditari i Konti Çianos, si e përshkruan atentatin e Vasil Laçit

     Më poshtë po japim variantin që paraqet Konti Çiano, dhëndrri i Duçes, në lidhje me atentatin e Vasil Laçit, ndaj Mbretit Italian dhe shqiptar.

    “…17 Maj 1941. Një incident gjatë largimit të Mbretit nga Tirana, ishte njolla që e shfytyroi kuadrin e mirë të udhëtimit. Një djalë nëntëmbëdhjetvjeçar, një farë Mihailoff, me origjinë greko-maqedonase, qëlloi disa herë gjatë kalimit të veturës Mbretërore. Duket se është fjala për një njeri gjysëm të çekuilibruar, i cili me këtë gjest ka dashur të manifestojë indinjatën e vet, që s’është marrë në konsideratë si poet nga autoritetet lokale! Është e kotë të thuhet se poemat e tij vlejnë shumë më pak nga lirat që kishte marrë disa herë si ndihmë. Mbreti nuk i dha peshë kësaj gjëje dhe qëndroi shumë i qetë. Thonë se i ka thënë Vërlacit, që ishte ulur në krah të tij: “Gjuan mjaft keq, ai djalë”.

    Çfarë u tha për Vasilin pas luftës

    Ndërsa disa vite më vonë, historia jonë shkruante për Vasil Laçin se lindi në vitin 1923 në Piqeras të Sarandës. Si mbaroi shkollën fillore, e la fshatin dhe shkoi në Tiranë. Donte të vazhdonte shkollën. Po kjo mbeti vetëm një ëndërr për të. Akoma i mitur, i hyri luftës së jetës. Punoi herë shërbëtor e herë argat, gjithnjë nevojtar e i varfër. Në fund shërbeu në një hotel. Vasili ishte mjaft guximtar dhe për këtë kishte dhënë prova. Një herë tregojnë se ai rrahu në oborrin e hotelit dy milicë, madje njërit prej tyre ia hodhi revolen në pus. Ditën që do largohej Perandori nga Shqipëria, Vasili ishte zgjuar që me natë dhe i kishte thënë një shoku të tij: “Sot e kam radhën unë ta përcjell Perandorin”. Kishte përqafuar shokun fort dhe kishte dalë nga hoteli. Kudo vërtiteshin spiunë, milicë, karabinierë. Pritej nga çasti në çast të kalonte Perandori. “Filloi kortezhi i veturave. Sovrani, në një veturë të hapur, kalonte përmes batalioneve të këmbësorisë, të kalorësisë, të formacioneve fashiste të ndarë më tresh-kolonë në të dyja anët e rrugëve, ndërsa sipër fluturonin skuadriljet e aeroplanëve.”. Në këtë atmosferë pasigurie e frike, rrethuar kudo me helmeta dhe armë, i riu patriot, Vasil Laçi, hyri në mes të turmës dhe priti rastin e volitshëm. Ai ngriti dorën e lidhur me fasho mbi helmetat dhe grykët e armëve fashiste dhe qëlloi pesë herë në drejtim të Perandorit. Populli shqiptar me dorën e njërit prej bijve të tij, e përcolli me plumb Perandorin Viktor Emanuelin e Tretë”. Në historinë e pasluftës heroi i Popullit Vasil Laçi ka zënë vendin e merituar në panteonin e lavdisë. Përveç të tjerave disa rrugë e shkolla kanë marrë emrin e tij në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë për të janë shkruar plot vepra letrare dhe janë realizuar piktura, portrete apo buste të ndryshme. Një prej veprave më të rëndësishme është edhe filmi  “Plumba Perandorit” i regjisorit Mevlan Shanaj i cili është xhiruar në vitin 1980. Këtu rolin kryesor të Vasil Laçit e ka luajtur Kastriot Çaushi.