McCain te Presidenti Thaçi: Kosovës i nevojitet më shumë përparim

    61
    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ndarë çmimin “Urdhri i lirisë”, senatorit amerikan, John McCain. Ky çmim atij i është ndarë për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe për thellimin e partneritetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    “Në botë ka pak njerëz si ju që mëshirojnë vlerat e lirisë. E tërë jeta e juaj është një moment i gjallë në përpjekjet e juaja për liri deri në vetëmohim”, ka thënë me këtë rast, Thaçi.

    “Në ditët tona më të vështira si komb, ne gjetëm frymëzim në shëmbëlltyrën tuaj. Ju u bëtë zëri ynë, kur ne nuk kishim zë”, theksoi tutje presidenti i Kosovës.

    “Ju me punën dhe angazhimin për çlirimin e Kosovës, dëshmuat se liria nuk është privilegj i të fortit, por e drejtë fundamentale e të gjitha kombeve, e të gjitha vendeve”, tha Thaçi, duke i ndarë medaljen presidenciale senatorit republikan, McCain.

    Në anën tjetër, MCain tha se ndihej i nderuar për këtë çmim që pranoi nga presidenti dhe populli i Kosovës.

    “Ndihem krenar që ndodhem këtu. Të gjithë e dimë se ka nevojë për më shumë punë dhe përparime, por ju keni arritur mjaft shumë”, tha McCain.

    “Jam këtu të tregoj mbështetjen dhe përkushtimin e Shteteve të Bashkuara që Kosova të mbetet një vend i lirë, i fuqishëm dhe i bukur siç është edhe sot”, ka thënë ndër tjera senatori amerikan.

    Senatori republikan ka nisur nga 7 prilli një turne në Ballkanin Perëndimor, rajon ky, ku Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin politik dhe ekonomik.

    Të enjten, ai është pritur në Prishtinë nga kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe ka vizituar ushtarët amerikanë të KFOR-it.

    Në një fjalim para Kuvendit të Kosovës, senatori John McCain ka premtuar vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën, si edhe për rajonin në përgjithësi.