Mbyllet (përsëri) kufiri për fëmijët

    401
    Sigal

    Greqi/ Nuk është respektuar nga pala greke premtimi i dhënë për datën 30 shtator

    Toponimet pengojnë qarkullimin e lirshëm…

     Nuk është respektuar nga pala greke premtimi i dhënë për datën 30 shtator. Përkundrazi, nga data 10 shtator, pikat kufitare ven­dase nuk lejojnë kthimin e fëmijëve të lindur në Greqi, disponues të pasa­portës shqiptare, nëse toponimet nuk janë shkruar sipas kërkesës së palës greke këtu e shumë muaj. Duke besuar se të gjitha këto shpjegime janë tash­më të tepërta, pak a shumë të gjithë e njohin çështjen e “famshme” të to­ponimeve, e në pamundësi të botimit të një lajmi të ri, më shpresëdhënës, informojmë lexuesit se ndryshimi i datës ka qenë shokues për të gjithë ne, përderisa prej javësh kudo në median shqiptare (edhe vendase fillimisht) si afat i fundit ishte dhënë 5 shtatori e më pas 30 shtatori. Fatkeqësisht, pak ditë më parë telefonat kenë rënë nga prindër të shqetësuar, që duhet të rik­theheshin në Shqipëri, pa shpresë ka­limi të kufirit. Disa prej tyre, gjithsesi, kanë bërë menjëherë kërkesën për pasaporta të reja në qytetin ku ban­ojnë e me këtë vërtetim kanë mundur të hyjnë në vend. Disa të tjerë kanë preferuar pikat kufitare të Bullgar­isë, apo kanë udhëtuar deri në Itali, domethënë i janë drejtuar shteteve të BE-së për të arritur pas shumë peripecive në destinacion. Gjithsesi, asnjë nga këto zgjidhje nuk të garan­ton kthimin 100%, fati duhet të jetë gjithnjë me udhëtarët se nuk i dihet… Megjithë diskutimet pafund, kërkesat e shumta të qeveritarëve shqiptarë e takimeve të zgjatura, TOPONIMET mbeten pika më e errët e historisë së emigracionit shqiptar në Greqi-që ka kaluar shumë faza të vështira, për vetë faktin se këtë radhë “sulmi” i drejtohet fëmijëve, e madje atyre të lindur e të rritur në Greqi, që normalisht, në një shtet tjetër, do të ishin pajisur automa­tikisht me pasaportën vendase. Së fundi, se, sidomos në këtë rast, fjalët e shumta janë vërtet fukarallëk, duke ndjekur reagimet e shumta në faqen e gazetës në “Facebook” mund të shtojmë se pak rëndësi ka se cili vend është fajtor, kush e nisi dhe kush (nuk) do të përfundojë këtë çështje. Logjika e thjeshtë thotë se asnjërës palë nuk i intereson të ushqejë ter­rorin, frikën, urrejtjen në shpirtin e një fëmije që ndjek skena të tilla gjatë ud­hëtimit drejt vendlindjes së tij (i kam parë të qajnë e të fshihen pas fustanit të mamasë, të frikësuar e të habitur nga irritimi i të mëdhenjve). Asnjë el­ement pozitiv nuk mund të presim në shoqërinë e nesërme, nëse fëmijët e sotëm i… mbrusim me të tilla ndjenja, reagime, eksperienca, vetëm e vetëm se…lindën në vendin fqinj me atë të prindërve të tyre. Do të shkojë dëm çdo marrëveshje ekonomike, sho­qërore, çdo aleancë fqinjësie… nëse brezi trashëgues do të jetë kundër që në djep… E nuk do të kenë asnjë faj për këtë!

    Ira Londo

    GREQI/ Komunikimi i vendimit të refuzimit të kërkesës do t’ju bëhet nëpërmjet Bashkisë ose Komunës

     Si legalizohem përsëri pas refuzimit të lejes së qëndrimit, si legalizohem përsëri?

     Pyetje

    Përshëndetje. Për 15 dite marr “aporiptiki apofasi” vendim re­fuzues për lejen e qëndrimit (jam ne Krete) dhe pastaj per 30 dite duhet te kthehem në Shqiëri. Kështu me thanë në Periferi. Ajo punonjësja më këshilloi të bëj “en­stasi” (ankesë ligjore, mospranim të vendimit) e të drejtohem në Ministrinë e Brendshme për një vërtetim, me të cilin mund të ud­hëtoj, sepse kam qene për shumë vite me dokumente këtu. Si funk­sionon kjo procedura dhe çfarë të bëj që të mos më ndjekin nga Greqia?

    ***

    Përgjigje

    Komunikimi i vendimit të refuzimit të kërkesës do t’ju bëhet nëpërmjet Bashkisë ose Komunës në të cilën keni aplikuar për rinovimin e lejes së qën­drimit.

    Së bashku me vendimin e refuzimit, do t’ju komunikohet edhe akti i riat­dhetësimit, afat ky 30-ditor për t’u larguar me vullnet të lirë nga shteti Helen. Gjithashtu, me komunikimin e vendimit starton afati 60-ditor për ankesën kundër vendimit të Periferisë në lidhje me refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit.

    1. Afati 30-ditor për riatdhesimin, mund të shtyhet për arsye madhore deri në 1 vit pasi të aplikoni pranë Bash­kisë ose Komunës shoqëruar me do­kumentacionin përkatës, i cili duhet të justifikojë plotësisht arsyet e mos largimit tuaj në kohë. Para skadencës së afatit të ri kohor ju duhet të largo­heni nga shteti Helen.

    2. Gjithashtu, nga dita e komunikimit të vendimit, ju lind e drejta e ankimim­it pranë Gjykatës Administrative, afat ky 60-ditor. Me ankesën e paraqitur në këtë Gjykatë kërkoni pezullimin si dhe anulimin e ekzekutimit të vendimit të Periferisë.

    Gjykata Administrative, fillimisht shqyrton dhe vendos për pezullimin e vendimit të Periferisë, përkohësisht. Duke përfituar pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të vendimit, përfitoni të drejtën e pajisjes me leje qëndrimi 1-vjeçare (Vërtetim i Veçantë Qëndrimi Legal).

    Kjo leje qëndrimi, ju siguron të njëjtat të drejta që gëzonit më parë si disponues i lejes së qëndrimit, përsa i përket qën­drimit në Greqi, transaksionet dhe pro­cedurat e tjera me shërbimet publike si dhe udhëtimet në atdhe.

    Theksohet se për rinovimin e lejes së qëndrimit 1-vjeçare nuk kërkohen ditë-pune sigurimi dhe rinovohet përsa kohë do të jeni në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Administra­tive.

    3. Gjithashtu, keni të drejtë të ap­likoni pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme për leje qëndrimi, e cila lëshohet prej këtij organi për motive të veçanta. Kjo kërkesë është person­ale dhe shoqërohet me pullë takse të vlerës 300 Euro. Derisa të shqyrtohet kërkesa tuaj, ju nuk konsideroheni person i ligjshëm në Greqi. Pajiseni vetëm me një vërtetim të bardhë në të cilin shënohet se nuk përbën titull qëndrimi në shtetin Helen.

    BRUNABEQIRI

    Asistente Avokate në “Zyrë

    Avokatie Janis Buras”

    ITALI/ Dokumentacioni përfundimtar për marrjen e bursës dhe vizës për studime

    Si sigurohen dokumentet origjinale që keni bërë në Tiranë

    Ju duhen për të paraqitur përfundimisht për Bursën pranë institucionit që jep bursat (shembull Torino ka EDISU).

    1-Vërtetimi që keni kaluar provimin e gjuhës.(Regjistrimi më saktë)
    2-Dokumentet origjinale që keni bërë në Tiranë.(Ato që do paraqisni te CAAF)
    3-Të ardhurat që CAAF llogariti për familjen tuaj.(Jua japin ato max 10 min punë, por ka shumë radhë, prandaj  mundohuni të prenotoni)
    4-Ricevuta që morët në Kuesturë (Fotokopje,mos jepni origjinalen)
    5-Fotokopie e Diplomës. (N.q.s nuk e keni duhet ta kërkoni në sekretarin e studentëve të huaj. Ato kanë dokumentet që ju keni futur për të aplikuar në Ambasadë. Fotokopjen e Diplomës merreni me Vulë të bashkangjitur me Valutazione di Valore që Ambasada jua ka dhënë juve ose e ka dërguar në këtë sekretari)
    6-Formulari i plotësuar.(Janë katër faqe formular të cilin e tërhiqni në institucionin që jep bursën.)
    Në Formular do të keni 4 opsione.
    1-Bursë
    2-Konvikt (Posto letto)
    3Mensa
    4-Përgjysmim taksash (Riduzione tasse)

    Ndërkaq të gjithë studentët e tjerë që kanë aplikuar kushtin për marrjen e vizës, është pranimi i kërkesës së pararegjistrimit nga ana e universitetit të zgjedhur. Dokumentet e dyta:
    1) Pasaportë
    2) Fotokopje pasaporte
    3) Fotografi
    4) Sigurim shëndetësor pranë njërave nga shoqëritë e mëposhtme të sigurimit:
    • Insig
    • Sigma
    • Interalbanian
    • Sicred
    • Intersig
    • Sigal
    • Atlantik
    • Albsig
    5) Fotokopje të sigurimit shëndetësor
    6) Deklaratë mikpritjeje nga ana e pritësit në Itali, shoqëruar me kopje të lejes së qëndrimit ose me kopje të një dokumenti identifikimi n.q.s është shtetas italian
    ose
    deklaratë e studentit mbi hotelin ku do të qëndrojë (e kompletuar me emrin e hotelit, adresën)
    7) Urdhër xhirimi i përhershëm dhe i pakthyeshëm (Banka Italo-Albanese) prej 4 500 euro.
    8) Formulari i plotësuar në çdo pjesë të tij dhe i firmosur nga studenti.