Mbrojtja dhe ringritja e simboleve historike, detyrë atdhetare

    431
    Sigal

    Veteranët e Vlorës i drejtohen veteranëve të LANÇ të Gjirokastrës

    Po përjetojmë një kohë paradoksesh e padrejtësish të mëdha që solli ndryshimi i sistemit politiko-shoqëror në vendin tonë. Tranzicioni famëkeq, i stërzgjatur në pafundësi, nuk ishte një kalim normal nga një sistem në tjetrin, siç u bë në shtetet e tjera të Evropës Lindore, por një shkatërrim i plotë ekonomik, moral, kulturor, historik etj.

    Forcat e djathta politike që erdhën në fuqi, nxorën në krye udhëheqës sharlatanë, antikombëtarë, hakmarrës e profashistë. Këto forca dhe drejtuesit e tyre, të tërbuar nga mllefi që kishin për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare që bëri populli shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë, që në fillim u hodhën në sulm të papërmbajtur dhe vazhdojnë edhe sot për baltosjen denigrimin e shtrembërimin e asaj lufte të lavdishme dhe të drejtuesve të saj, si dhe prishjen e dëmtimin e simboleve të LANÇ. Por LANÇ, e organizuar dhe e udhëhequr nga Partia Komuniste Shqiptare me Enver Hoxhën dhe figurat e tjera të shquara në krye, i sollën vetëm nder e lavdi Shqipërisë, sepse e çliruan atë, duke e rreshtuar në krah të koalicionit të madh antifashist Anglo-Sovjeto-Amerikan.

    Ndërsa ata që e turpëruan vendin, bashkëpunëtorët e pushtuesve të huaj, tradhtarët e kriminelët me damkë që iu kundërvunë popullit e luftës çlirimtare të tij, po rehabilitohen, dhe cilësohen patriotë të mëdhenj nga forcat e djathta në pushtet, po u ngrihen buste e shtatore, në kohën që bustet, shtatoret e lapidarët e Heronjve të Popullit dhe të dëshmorëve të LANÇ po prishen apo priten për skrap, siç po ndodh me monumentin e Heronjve të Vigut etj. etj. Po u hiqen rrugëve, shkollave e objekteve të tjera publike emrat e tyre dhe po u vihen emra të atyre që në krah të pushtuesve të huaj masakruan popullin, duke lyer duart me gjakun e bijve e bijave të tij.

    Fushata e nxitur nga kryeministri i çartur e pa ekuilibër, Sali Berisha, për rishikimin e rishkruarjen e historisë ka vetëm një qëllim, atë të përligjjes së veprimeve antikombëtare të lartpërmendura. U arrit deri aty sa të zbehej edhe figura e ndritur e atdhetarit të madh Ismail Qemali në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë prej tij dhe të nxirrej në plan të parë e të nderohej figura e urryer tradhtare e satrapit të vetëshpallur mbret, Ahmet Zogollit, sikur ta kish shpallur ai Pavarësinë. Është absurde dhe psikopatike që në kuadrin e 100-vjetorit, evidentimi i historisë e i figurave të ndryshme historike të bëhej nga viti 1912 e deri më 1939 dhe pastaj të kalohej në vitet pas përmbysjes së sistemit të mëparshëm. Po gjatë viteve 1945-1990 nuk ka pasur histori, shtet dhe drejtues shteti  Shqipëria?! Nuk ka pasur zhvillim e përparim vendi ynë brenda këtij harku kohor kaq të madh?! Kjo është padrejtësi historike dhe nihilizëm i paskrupull.

    Pikërisht për këtë padrejtësi, nisur nga misioni dhe ideali ynë atdhetar si veteranë të         LANÇ për mbrojtjen e vlerave historike të kësaj lufte që bëmë e simboleve të saj,  Kryesia e komitetit të veteranëve të LANÇ Vlorë, në emër të veteranëve të rrethit, ju drejtohet Juve, të dashur shokë veteranë dhe Komitetit tuaj të veteranëve të rrethit Gjirokastër, me thirrjen që të ndërmerrni nismën dhe të bëni të gjitha përpjekjet për të ringritur në qytetin tuaj me histori shtatoren e birit të shquar të atij qyteti e të gjithë Shqipërisë, Enver Hoxha, udhëheqësit të lavdishëm të LANÇ e të ndërtimit të Shqipërisë së pasluftës, komandantit tonë, ish partizanëve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Për këtë do të keni mbështetjen tonë morale e financiare të mundshme. Njëkohësisht u bëjmë thirrje komiteteve të veteranëve të LANÇ të të gjitha rretheve të solidarizohen me këtë thirrje dhe të japin mbështetjen e nevojshme.

    KRYESIA E KOMITETIT TË VETERANËVE TË LANÇ,VLORË