Mbretëria ‘Lazarat”, tani dhe qendër trafikimi klandestinësh

622
Sigal

Gjirokastër/Grumbullohen, në fshat e shoqërohen me kamionë. Implikohet dhe policia

Pasi ka fituar ‘pa konkurrent’ statusin e “Mbretërisë” së kultivimit dhe trafikimit të dregës, duke pushtuar prej kohësh faqet e gazetave e televizioneve më prestigjioz të botës, Lazarati, fiton dhe ‘tenderin’ e grumbullimit të klandestinëve dhe nisjen e tyre për në destinacion, në Malin e Zi dhe në Itali. Ditën e djeshme, në një komunikatë zyrtare të policisë, u konfirmua se janë bllokuar në të dalë të Lazaratit 35 klandestinë sirianë. Ata, po sipas të njëjtit burim, ishin vendosur në një kamion të mbuluar dhe kishin synim udhëtimin në drejtim të veriut të vendit, me synim Malin e Zi. Policia thotë se, ka ndaluar tre trafikantët (nga Lazarati e Tepelena) dhe po punon për zgjerimin e hetimeve. Burimet për “Telegraf” shtojnë se, dyshohet që në këtë pistë të aktivitetit kriminal, janë përfshirë dhe persona e segment nga policia.

OPERACIONI

Zyrtarisht, policia jep dhe detaje të operacionit. “Rreth orës 04:00 të mëngjesit të datës 13.01.2014, gjatë një operacioni të zhvilluar  në aksin rrugor Gjirokastër Tepelenë, është bllokuar një automjet Benx Kamjon, i cili transportonte 35 shtetas të huaj klandestinë të cilët kishin hyrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit me shtetin grek gjatë orëve të mbrëmjes së datës 12.01.2014. Janë shoqëruar 3 persona në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër. Të arrestuarit janë A. Gjonaj, 35-vjeç, lindur e banues në Laç; K. Qebini, 22-vjeç, lindur e banues në Tepelenë dhe S. Qebini, 26 vjeç, lindur e banues në Tepelenë. Këta, në bashkëpunim me njëri tjetrin do të realizonin transportin e klandestinëve drejt Malit të  Zi kundrejt fitimit 350 Euro për person…”,-thuhet në komunikatën e policisë.

TRAFIKU I KLANDESTINËVE

Burimet e mësipërme shtojnë se trafikimi i klandestinëve nga Lazarati, është një praktikë që po aplikohet kohët e fundit. “Pasi priten në kufi nga Trafikantët, ata dërgohen në Lazarat ku janë të sigurt, pasi shteti prej kohësh e ka jashtë kontrollit ‘mbretërinë e drogës’. Nga këtu, në bashkëpunim me njerëz që punojnë në polici, ata transportohen kundrejt parave në bregdet me synim Italinë, ose në zonën veriore, me synim Malin e Zi. Në vartësi të destinacionit, është dhe kosto financiare për çdo klandestin që varijon nga 350 deri në 700 euro,- shtojnë burimet e mësipërme.