Mbledhja e KLD-së, Naço kërkon shkarkimin e inspektorit Arjan Qafa

640
Sigal

 Propozimet e Ministrit të Drejtësisë z. Nasip Naço, lidhur me rendin e ditës së mbledhjen së datës 23.07.2014

Përmes një shkrese zyrtare, ditën e djeshme Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço i ka propozuar Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Elvis Çefa përfshirjen në rendin e ditës të mbledhjes së 23 Korrik 2014 të tre çështjeve, shqyrtimi i të cilave konsiderohet si prioritar.

 Në këtë kërkese zyrtare, drejtuar z. Çefa, në mbështetje të nenit 22, të ligjit nr.  8811, datë 17.05.2001, “ Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ”, i ndryshuar, ministri Naço sugjeron që në rendin e ditës të mbledhjes së KLD-së që pritet të zhvillohet ditën e nesërme, të përfshihen nisja e procedurave për shkarkimin nga detyra të inspektorit të KLD-së, Arjan Qafa, mbi bazën e materialit të ILDKPI-së si dhe zhvillimi i procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

 Gjithashtu, pjesë e propozimit të ardhur nga ana e z. Naço është që në mbledhjen e kësaj të mërkure, të bëhët gjithashtu edhe shqyrtimi i kërkesës së ish-Kryetares së Gjykatës së Lartë, znj. Shpresa Beçaj, për emërimin e saj në detyrën e gjyqtares së Gjykatës së Apelit Tiranë.