Mbledhja e ‘Këshillit të Sigurisë’ për Kelmend Balilin, Presidenti refuzon Peleshin: Të vijë Edi Rama!

437
Një ‘përplasje’ e re po çel mes Kreut të Shtetit dhe Kryeministrit. Duket se refuzimi që kryeministri Edi Rama i bëri mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar nuk është pritur mirë nga Presidenti Bujar Nishani.
Rama deklaroi mbrëmë në një intervistë televizive se nuk do të jetë i pranishëm nesër në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar ku do të diskutohet kërkesa e Ilir Metës për moszbatimin e ligjit nga ana e institucioneve për arrestimin e Klement Balilit.
Por më herët se Rama ta deklaronte publikisht këtë gjë, Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi i kishte dërguar një letër homologut të tij në Presidencë, Ols Lafe ku e njoftonte për mungesën e Ramës. Në letër Agaçi kërkonte miratimin paraprak nga ana e kreut të shtetit që Rama të zëvendësohej në këtë mbledhje nga zv.kryeministri Niko Peleshi.
Por sot në mëngjes, Presidenti Nishani e ka refuzuar zëvendësimin e kryeministrit Edi Rama me zëvendësin e tij, Niko Peleshin. Në letrën që BalkanWeb disponon thuhet se nuk është paraqitur asnjë arsye objektive për zëvendësimin e Ramës.
“Në vlerësimin e Presidentit, prania e Kryeministrit, këshillimi me Të, dhënia e mendimeve si dhe fakti që kjo mbledhje kërkohet nga Kryetari i Kuvendit, zoti Ilir Meta, çmohen të nevojshme”, thuhet në letrën e sekretarit të kryeministrisë.
LETRA E PLOTË NGA PRESIDENCA
Në vijim të shkresës suaj nr.716/2, datë 01.02.2017, mbi dërgimin e autorizimit të Kryeministrit nr. 716/1, datë 01.02.2017, për zëvendësimin e Kryeministrit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ju bëjmë me dije se:
Presidenti i Republikës, Zoti Bujar Nishani, mbështetur në pikën 3, të nenit 168 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe pikës 5, të nenit 10, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” ka vendosur të mos japë miratimin, paraprak, për këtë autorizim, pasi gjykon se nuk është paraqitur asnjë arsye objektive, mbi bazën e të cilave të vendosë për zëvendësimin.
Në vlerësimin e Presidentit, prania e Kryeministrit, këshillimi me Të, dhënia e mendimeve, si dhe fakti që kjo mbledhje kërkohet nga Kryetari i Kuvendit, zoti Ilir Meta, çmohen të nevojshme. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,
Sekretari i Përgjithshëm
Florjan Nuri
Në mungesë dhe me porosi
Drejtori i Kabinetit
Ols Lafe
Sigal