Mbivendosje, tjetërsime trojesh, zhvatje pronash

    218
    Për vitin 2013-2014, numërohen mbi 800 vendime gjyqësore pronash, të anuluara nga Gjykata e Apelit në Durrës, vetëm nga Elbasani. 
    Gjykatat dhe Zyrat e Përmbarimit sorollatin pronarët e vërtetë
    Ish-pronarët apo ndryshe pronarët e ligjshëm të Elbasanit, të cilët kanë afro 2 dekada që merren me problemin e pronave të tyre, për t’i njohur, regjistruar dhe marrë, duke trokitur në Zyrat e Përmbarimit, kanë rikthyer në Gjykatën e Shkallës së Parë, vendimet që janë cilësuar të “pambështetura në ligj” nga kolegët e tyre të Apelit. Sipas një pronari elbasanas M.K. që ka prona dhe troje pothuajse në të gjitha zonat, ku shtrihen ndërtimet sot në këtë qytet “vendimet e gjyqësorit në Shkallën e Parë, lidhur me pronat e mia, duke nisur nga periferia pranë stacionit të trenit e duke u shtrirë tek tregu fruta-perimeve e pastaj tek ish-lulishte Odesa, janë prishur nga Apeli në Durrës, janë rikthyer pasi janë quajtur si të padrejta”. 
    Mbivendosje pronash, jo me dokumente origjinale, por me vendime gjykate
    Në vargun e gjatë të mbi 800 vendimeve, të cilat në 2 vitet e fundit janë rikthyer në Gjykatën e Elbasanit për rigjykim, në lojën e pistë janë edhe ZRPP, KKKP, pasi me firmën e regjistruesve janë kryer katrahurat, mbivendosur pronat dhe tjetërsuar emrat e pronarëve legjitimë. Skandalet me pronat janë flagrante, aq sa për një truall 3 mijë metra katrore pothuajse në qendër të Elbasanit, dalin 3 pronarë; legjitimi, një farefis i tij dhe personi që nuk ka lidhje gjaku fare, por që ka nisur ndërtimin, duke deklaruar se “kam vendim gjykate dhe e kam blerë”. Fakti është se në dhjetëra raste pala e tretë, ka madje edhe certifikatë pronësie, e marrë në ZRPP e Elbasanit, me firmë dhe vulë të këtij institucioni, duke u bazuar jo në ligj, jo në dokumente origjinale, por në vendime gjykate. Fakti është se ky lëmsh i ngatërruar keq, ka sjellë telashe dhe probleme të shumta për pronarët legjitimë të Elbasanit, që kanë vite që sorollaten me dosje në duar në zyra dhe salla gjykatash, për të marrë pronën që u takon. Por ajo faktikisht ,ose i është “kthyer” me vendim gjyqi një tjetri, ose ka vite që rri e paprekur dhe shteti nuk e jep. Një tjetër rast skandaloz mbetet ai me trojet ku ndodhen ende sot ish- ndërmarrjet e shtetit të para 1990-s. Pronari i ligjshëm disponon dokumentacionin e rregullt, origjinal ku shihet qartë blerja nga të parët e tij qysh në 1931 dhe kur çështja shkon në Gjykatën e Elbasanit, ai truall rezulton se është me “probleme”. Burime nga ZRPP e Elbasanit thanë se “nga Drejtoria e Përgjithshme dhe KLSH janë evidentuar të gjitha këto raste dhe se janë marrë të gjitha masat për penalizimet e regjistruesve dhe personave, që kanë firmosur dhe vulosur akte të tilla të pambështetura në ligj, gjithçka ka vajtur në Prokurori”. 
    Pushtetarët kanë pronat dhe bllokojnë zgjidhjen
    Pronarët e Elbasanit akuzojnë jo vetëm gjyqtarët, por edhe regjistruesit e ZRPP-së, rezultojnë që kanë qenë palë me ata që sot u kanë zaptuar trojet e tyre. Ata deklarojnë se “në gjithë këtë katrahurë, e cila kërkon ndoshta vite që të zgjidhet, pasi nuk funksionon shteti, më e fuqishme mbetet dora e padukshme e njerëzve me pushtet, pasi në të gjitha rastet kur jemi ankuar deri lart, ka rezultuar se politikanë, ministra e kryetarë partish, janë ortakë me zaptuesit e pronave tona”. Lidhur me kthimin për rigjykim nga Apeli i çështjeve të tyre drejt Gjykatës së Elbasanit, ata sërish shprehen skeptikë dhe të pashpresë për zgjidhje të drejtë e ligjore, duke thënë se “gjithsesi në betejën ligjore do ta vazhdojmë, po qe nevoja deri në Strasburg”.