Mbi 200 pedagogë firmosin memorandumin kundër ligji për Arsimin e Lartë

    418
    Projektligji për Arsimin e Lartë i propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit ( MAS), vijon të kundërshtohet njëzëri nga përfaqësues të Universiteteve Publike të Tiranës, pedagogë dhe studentë. Dje në Komisionin e Medias, Forumi për Liri Akademike gjatë seancën dëgjimore, dorëzoi një memorandum me 211 firma nga pedagogë të universitetit të Tiranës, për të shprehur kundërshtitë e tyre në lidhje me projektligjin mbi arsimin e lartë. Memorandum është firmosur nga më shumë se 200 pedagogë të Universitetit të Tiranës, Universiteti Politeknik dhe Universiteti Bujqësor në Kamëz, ku kërkojnë kryesisht shfuqizimin e neneve që financojnë universitete private. Të pranishëm dhe pjesë e forumit ishin Artan Fuga, Mark Marku, Zyhdi Dervishi, Andi Pinari, Bledi Ceka dhe përfaqësues të tjerë. Gjatë fjalës së tij, Prof. Fuga paraqiti argumentet në kundërshtim me projektligjin. “Nuk mund të aplikohet një projektligj nëse profesorati nuk është diskutuar me të, pasi janë ata që do ta aplikojnë. Ne jemi të interesuar bashkë me MAS t’i japim shtetit tonë një kuadër ligjor sa më të përparuar’, tha Fuga. Sipas tij, problemi i parë i projektligjit është se fryma e projektligjit është e prapambetur. “Fryma e projektligjit na duket e prapambetur sepse karakterizohet nga një pozitivizëm i shekullit 19, i tejkaluar në tre drejtime kryesore.
    E para sepse flitet për standarde të unifikuara të vlerësimit të cilësisë, me idenë e shekujve të kaluar, që e vërteta është unike dhe nuk është ashtu siç konsiderohet e vërteta sot në botë, si një vend dialogu, pluralizëm të vërtetash të pjesshme, të cilat diversifikohen dhe që duhen mbajtur parasysh. Ideja e një standardi unik, të cilit i duhet vendosur përballë institucionet dhe të gjitha agjencitë që prodhojnë dije dhe kërkim shkencor, kjo lloj ideje që dominohet nga strukturat shtetërore bie në kundërshtim me parimin e parë të arsimit të sotëm europian që është pluralizmi dhe alternativat e ndryshme të prodhimit të shkencës”, nënvizoi Fuga, duke shtuar se në këtë ligj dominon ideja se organizimi i brendshëm universitar duhet të ndërtohet në mënyrë të izoluar. Pra, mendohet se organizimi institucional i shkencës do të vazhdojë të bëhet me departamente. Në këtë mënyrë mohohet kryqëzimi i disiplinave dhe krijohet në një pikë të nenit ku thuhet se “mund të krijohen edhe njësi bazë ndërdisiplinore por këto njësi nuk llogariten për të akredituar një program mësimorë’, ndërkohë që bota e sotme po ecën në drejtimin e kundërt’. Gjithashtu Fuga foli edhe për mungesën e një modeli që ky projektligj përfaqëson. “Është një koncept i prapambetur i kulturës. Shteti merr përsipër sikurse thuhet në nenet e këtij projektligji që të jetë garanti i cilësisë të punës shkencore dhe i programeve mësimore. Në këtë mënyrë, ne na vjen ideja e konceptit hegelian i shtetit se shteti është instanca më e lartë që ka autoritetin për të gjykuar shkencën. Shqetësimi ynë i madh është se cili është modeli që ne po ndjekim. 
    A është modeli i një vendi europian brenda hapësirës të shkencës dhe arsimit europian? Ne na rezulton që në asnjë frazë nuk gjendet se nga cili model merret ky projektligj. Ka një zhvendosje të idesë së modelit sikur kërkohet një model por nuk gjendet”, nënvizoi Fuga. Gjithashtu në komision u diskutua edhe për një material prej 280 faqesh të paraqitur nga Forumi për Liri Akademike që kontestonte projektligjin dhe që nuk ishte marrë parasysh në ndryshimet që bëri MAS. Përfaqësuesit e Forumit për Liri Akademike, insistuan gjatë gjithë mbledhjes së Komisionit të Medias se ky projektligj nuk zgjidh problematikat që ka sistemi universitar, por e rrezikon më shumë atë. Ndërkohë vazhdimisht janë zhvilluar protesta nga pedagogët dhe studentët rreth këtij projektligji, i cilësuar nga ana e tyre si “ligji i zhvatjes së xhepave të studentëve dhe familjarëve të tyre”.
    Sigal