Mbi 2 mijë dosje nga Durrësi, me shkelje ligjore

    379
    Sigal

    Verifikim dosjeve dhe titujve të pronësisë nga strukturat e ZRPP-së dhe pushtetit vendor

    Paralajmërimi i Kryeministrit Rama për verifikimin me urgjencë të titujve të pronësive dhe abuzimeve me trojet në bregdet, ka vënë në pozita pune strukturat e ZRPP dhe institucioneve të tjera të pushtetit vendor në Durrës, duke nisur nga Prefektura. Duket se janë rindezur shpresat e ish -pronarëve për të marrë tokat në breg të detit. Të njëjtën shpresë kanë edhe ish pronarët e trojeve brenda në qytet, siç do të mund të kompensohen po në bregdet. Një pjesë e tyre do të marrë para në dorë për tokat e zaptuara prej të tjerëve. Vendimi i qeverisë për heqjen e titujve ekzekutivë mbi tokat e ndara me ligjin 7501 në kundërshtim me ligjin, ka hapur një kapitull të ri në Durrës. Të drejtën për heqjen e titujve të pronësisë e kanë prefektët e vendit sipas vendimit të qeverisë. Në Prefekturën e Durrësit kanë nisur nga puna për zbatimin e këtij vendimi të qeverisë. Janë 2 mijë dosje, të cilat presin të trajtohen nga ana e agjencisë përkatëse. Momentalisht kjo agjenci nuk ka një pëllëmbë tokë të lirë. Nëse prefekti, do të vendosë heqjen e titujve të pronësisë mbi tokat e ndara padrejtësisht ato automatikisht do të kalojnë në favor të pronarëve, të cilët pretendojnë pronësinë në tokat e bregdetit.

    Komisioni në Prefekturë

    Në Prefekturën e Durrësit deklaruan se,  “po punojmë për të ngritur komisionin i cili do të ketë në përbërje juristë dhe agronomë, ky komision do të ketë tagrin, që të kontrollojë në të gjithë qarkun e Durrësit,  procesin e ndarjes së tokave me ligjin 7501, që ditën që ai ka hyrë në fuqi”. Objekti kryesor i kontrollit të këtij komisioni, do të jetë vija turistike e  Durrësit, e cila nis në Kep të Rodonit e përfundon te Derdhja e Përroit të Agait në afërsi të Golemit. Kjo vijë është e gjatë 43 km e gjatë dhe 1 km e gjerë. Komisioni ka pasur për një kohë të gjatë të gjitha vendimet e komisioneve të ndarjes së tokave me ligjin 7501 që nga viti 1992.

    Abuzuesit në Prokurori

    Meqenëse vija bregdetare ka qenë e përjashtuar për t’u trajtuar si tokë bujqësore, atëherë në rastet kur do të konstatohen sipërfaqe të tilla të trajtuara me 7501, ato do t’ i hiqen pronarëve të tyre e do të jenë në dispozicion të pronarëve të vërtetë. Tjetër objekt i punës së këtij komisioni do të jenë tokat e fermave bujqësore, të cilat gjithashtu gjenden në zona të lakmuara prej pronarëve të cilët kanë vite që qëndrojnë në pritje të kompensimit. Burime zyrtare deklaruan se, “mënyra e veprimit në rastet kur zbulohen tituj të dhënë jashtë ligjit dhe toka i është nënshtruar transaksioneve më shumë se 1 herë, në këtë rast haraçin do t’ a paguajë pronari i parë i cili ka marrë tokë padrejtësisht. Ai do të paguajë tokën me vlerën reale të tregut dhe këto para do të shkojnë në favor të pronarëve të vërtetë”. Dhjetëra raste të abuzimit me trojet bregdetare priten të dërgohen në organet e drejtësisë, për të ballafaquar shkelësit dhe grabitësit e tyre me ligjin.