Mbërrin në të gjithë Italinë, lejeqëndrimi i ri elektronik

    106
    Në brendësi të mikroprocesorit janë regjistruar të dhënat personale të mbajtësit, fotografia e tij dhe shenjat e gishtërinjve
    Pas një periudhe eksperimentimi, tani të gjitha Kuesturat lëshojnë dokumentin e ri, më të sigurt se i mëparshmi. Fotografia, shenjat e gishtërinjve dhe të dhënat personale janë të fshehura në një chip të padukshëm, por që mund të lexohet nga Policia. Në mbarë Italinë, të huajve po u lëshohet tashmë lejeqëndrimi i ri. Edhe ky është elektronik, por më modern se ai i tanishmi e mbi të gjitha, më i sigurt. Pas eksperimentimit të nisur në fund të vitit 2013, dhe që ka përfshirë dalëngadalë 13 Kuestura, përfshirë ato të Romës dhe të Milanos, nga 10 nëntori, ministria e Brendshme e ka shtrirë në të gjitha Kuesturat e Italisë lëshimin e dokumentit të ri. Me kalimin e kohës do të zëvendësojë dokumentet që u janë lëshuar deri më sot imigrantëve. Risia kryesore e dokumentit të ri është një mikroprocesor, i fshehur brenda teserës plastike dhe i padukshëm nga jashtë. Në brendësi të mikroprocesorit janë regjistruar të dhënat personale të mbajtësit, fotografia e tij dhe shenjat e gishtërinjve. Të dhënat personale dhe fotografia do të vazhdojnë të shtypen edhe mbi dokument, por me teknikë të re që ofron siguri më të lartë kundër falsifikimit. Forcat e rendit, italiane dhe evropiane, janë të pajisura me një aparat që mund të lexojë përmbajtjen e mikroprocesorit. Në këtë mënyrë do të mund të verifikojnë menjëherë, në rast kontrolli, nëse përputhet me atë çka është regjistruar në bankat e tyre të të dhënave. Dokumenti i ri u lëshohet të gjithë të huajve që kanë kërkuar, nga 10 nëntori, lëshimin ose përtëritjen e një lejeqëndrimi të vlefshëm për më shumë se 90 ditë. Praktikisht do të jenë në formatin e ri lejeqëndrimet më të përhapura si ato për punë apo motive familjare, por edhe lejeqëndrimet BE për qëndruesit afatgjatë, të ashtuquajturat “karta qëndrimi”. Zyrat e të huajve do të përdorin teknika të reja për të marrë fotografitë dhe shenjat e gishtërinjve, edhe të miturve. Për kërkesat e paraqitura para 10 nëntorit dhe akoma të pambyllura, do të lëshohet modeli i vjetër i lejeqëndrimit, por ministria u ka kërkuar Kuesturave t’i mbyllin “patjetër brenda 6 muajve”. E kush ka në xhep një leje qëndrimi akoma të vlefshëm? Asgjë (nuk jemi në Shqipëri e para pak viteve që, kur qeveria vendosi të ndërrojë pasaportën, nxori jashtë qarkullimit të gjitha pasaportat e modelit të mëparshëm). Lejeqëndrimet akoma të vlefshme mbeten të tilla deri në datën e skadencës. Kur mbajtësi të kërkojë përtëritjen apo përditësimin e dokumentit do të marrë lejeqëndrimin e ri elektronik.
    E. P
    ********************************
    Janë 524.674 sipërmarrjet e administruara nga persona që kanë lindur jashtë Italisë
    31 mijë shqiptarë me ndërmarrje individuale në Itali
    Çdo 12 ndërmarrje italiane, njëra ka për administrues një person që nuk ka lindur në Itali. Sipërmarrjet e të huajve janë në 80% të rasteve individuale, e nga këto të fundit, vetëm 7,3% janë të shqiptarëve. Kanë më shumë ndërmarrje të tilla marokenët, kinezët dhe rumunët.
    – Praktikisht, ndër 12 ndërmarrje italiane, një drejtohet nga një i huaj. Sipas Raportit të fundit mbi Imigracionin e Sipërmarrjen, i realizuar nga qendra studimore IDOS, janë 524.674 sipërmarrjet e administruara nga persona që kanë lindur jashtë Italisë. Vitin e shkuar janë shtuar me 28 mijë, ndërkohë që ato të administruarat nga italianë janë pakësuar me 48 mijë. Ato të imigrantëve janë shpesh ndërmarrje të vogla, në fakt 80,2% e tyre ose 421.004 janë ndërmarrje individuale e këto përbëjnë 1 ndër 8 të të gjitha sipërmarrjeve individuale në Itali. Sipas raportit, ndërmarrjet individuale të shqiptarëve në fund të vitit 2014 janë 31.016. Shpërndarja krahinore e ndërmarrjeve të shqiptarëve përputhet me shpërndarjen krahinore të komunitetit. Kështu, krahina që ka më shumë sipërmarrës shqiptarë është Lombardia (5.910 ose 19,1% e të gjitha ndërmarrjeve të shqiptarëve). Në vend të dytë renditet Toskana (5.460, 17,6%), në vend të tretë Emilia Romagna, (4.604, 14,8%) e më pas Piemonte (3.451, 11,1%), Liguria (2.962, 9,5%), Veneto (2.094, 6,8%) dhe Lazio (1.209, 3,9%). Sektori ku janë më të pranishëm sipërmarrësit shqiptarë është ndërtimi (75,8%). Pas tij vjen ai i shërbimeve (17,8%), ku futet tregtia, turizmi, hoteleria, etj. Bujqësia shënon një përqindje vërtet të ulët (1,9%). Sipas raportit, gratë shqiptare që kanë ndërmarrje janë rreth 9%,megjithëse përbëjnë thuajse gjysmën e komunitetit shqiptar në Itali. Për sa u përket grupmoshave, të dhënat tregojnë se shqiptarët sipërmarrës janë të rinj, ose të rritur që nuk e kalojnë moshën 50 vjeçare. Gjatë viteve të krizës (2008 – 2014) numri i tyre ka qenë në rritje, por gjithsesi ritmi i rritjes së tyre ka qenë më i ngadaltë se mesatarja e imigrantëve në përgjithësi. Për një analizë të hollësishme dhe dritëhijet e kësaj dukurie mund të lexoni shkrimin e sociologut Rando Devole në blogun Peizazhe të Fjalës me titull “Sipërmarrësit shqiptarë”.
    ******************************
    Nënat e reja përfitojnë 340 euro në muaj, për pesë muaj pas lindjes apo birësimit të një fëmije
    Çeku i komunave për nënat e reja. Karta e qëndrimit nuk nevojitet
    Edhe gjykata e Milanos hedh poshtë si diskriminues kriterin e lejeqëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë. Dhe urdhëron komunën e Milanos dhe INPS-in ta heqin nga faqet e tyre internet
    Rreth 340 euro në muaj për pesë muaj pas lindjes apo birësimit të një fëmije.
    Është çeku i mëmësisë i komunave, një ndihmë për nënat në gjendje jo të mirë ekonomike që nuk përfitojnë kompensime të tjera (për shembull, lejen e lindjes të paguar që gëzojnë punonjëset e varura). Kërkesa paraqitet në Komunën e rezidencës brenda gjashtë muajve nga lindja apo birësimi i fëmijës. Çeku u takon qytetareve italiane, atyre të BE-së dhe shtetaseve jokomunitare, por për këto të fundit, ligji që e ka parashikuar këtë çek (dekreti legjislativ 151/2001) kërkon që të kenë lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë, të ashtuquajturën kartë qëndrimi. Pikërisht ky kriter është hedhur poshtë si diskriminues nga gjykatës të ndryshëm, që kanë urdhëruar komunat e INPS-in të paguajnë çekun edhe nënave të huaja që kanë një lejeqëndrim “normal”, për shembull për punë apo për motive familjare. E para disa ditëve në të njëjtin përfundim arriti edhe gjykata e Milanos. Gjykatësja Paola Di Lorenzo pranoi ankesën e paraqitur nga një grua egjiptiane e mbrojtur nga avokatët Livio Neri dhe Alberto Guariso të ASGI-t. Meqë nuk kishte kartën e qëndrimit, Komuna e Milanos nuk i kishte lejuar as të paraqiste kërkesën për çekun pas lindjes së fëmijës së katërt. Qëndrimi i Komunës që lexohet në urdhëresën e 6 nëntorit, është “qartësisht diskriminues” ndaj duhet të ndalojë menjëherë. Gjykatësja kujton parimin e barazisë të garantuar nga Kushtetuta italiane dhe nënvizon se, nuk ka asnjë arsye pse të lidhet një ndërhyrje në mbështetje për nënat me shtetësinë apo me kartën e qëndrimit. Ndaj vendosi: Komuna duhet të pranojë kërkesën, t’ia përcjellë INPS-it, që duhet t’i paguajë gruas çekun e mëmësisë, me interes për vonesën. Gjykatësja ka urdhëruar gjithashtu Komunën dhe INPS-in të heqin kriterin e kartës së qëndrimit nga portalet e tyre në internet, në faqet ku shpjegojnë kush ka të drejtën e çekut.