Matura Shtetërore/ Degët me konkurs, përcaktohen datat

    449
    Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit përcaktohen datat e konkurseve dhe rëndësia që do të kenë rezultatet e Maturës Shtetërore për të qenë fitues në universitet me konkurs. Në Universitetin e Arteve të Tiranës si edhe në programet “Pedagogji muzikore” dhe “Pikturë e grafikë” në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, rezultatet e shkollës së mesme do të llogariten në masën 30 për qind, ndërsa konkursi do të ketë 70 për qind. Në Universitetin e Sporteve të Tiranës, rezultatet e shkollës së mesme do të zënë 50 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit 50 për qind. Në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër dhe universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte”, rezultatet e shkollës së mesme llogariten në masën 50 për qind dhe konkursi po në atë masë. Në programet e studimit në FASTIP në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, rezultatet e shkollës së mesme llogariten në 40 për qind dhe konkursi 60 për qind. “Universiteti i Arteve në Tiranë do të zhvillojë konkursin nga data 26-29 gusht 2015. Universiteti i Sporteve në Tiranë 19-27 gusht 2015. Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër, për programin e studimit edukim fizik dhe sporte 19-24 gusht. Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, për programin e studimit edukim fizik dhe sporte 19-24 gusht 2015. Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës 19-21 gusht 2015″, thuhet në udhëzim. Rezultatet e pranimit do të hidhen online në portalin e Maturës Shtetërore dhe më pas do të dërgohen në MAS dhe AKP në formë shkresore. Rezultatet e Maturës Shtetërore dhe konkursi do të jenë përcaktuesit që do të vendosin nëse një kandidat pranohet ose jo në Universitetin e Arteve dhe të Sporteve. 

    Sipas udhëzimit të Fakultetit të Arteve thuhet se provimet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masë 30 për qind, ndërsa rezultatet e konkursit të pranimit do të zënë 70 për qind. Pikët maksimale që mund të fitojë një kandidat në konkurrim në një program studimi në vitin akademik 2015 – 2016, në programet e studimeve të ciklit të parë me kohë të plotë në fakultetet e UART, janë 240. Kandidati, që nuk arrin të fitojë pikët minimale, prej 60, nuk fiton të drejtën e studimit. Veç kësaj theksohet se “Konkurset e pranimit për në fakultetet e Universitetit të Arteve, zhvillohen nga data 26/08/2015 deri në datën 29/08/2015, në ambientet e fakulteteve; Tarifa e regjistrimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit, në të gjitha programet e studimit në fakultetet e Universitetit të Arteve është pesë mijë lekë. Tarifa e regjistrimit për konkurrim, në programet e studimit të ciklit të parë në fakultetet e UART, arkëtohen nëpërmjet sistemit bankar ose zyrave të Postës Shqiptare”. Për sa i përket regjistrimit të kandidatëve, ai bëhet pranë sekretarive të fakulteteve, duke filluar që nga data 12 gusht e deri më 18 gusht. Veprimet e regjistrimit kryhen nga ora 8:30 deri në orën 18:00. Për t’u regjistruar kandidatët që jetojnë në Shqipëri duhet të kenë këto dokumente: “letërnjoftimit; fotokopje e diplomës dhe listës së notave të shkollës së mesme të noterizuar; transfertë bankare, pagesa e tarifës së regjistrimit, në llogari bankare të UART”. Për shqiptarët jashtë kufijve, përveç dokumenteve të mësipërme është domosdoshmëri edhe pasaporta për jashtë shtetit. Sekretaritë e FAB, FAS dhe FM, në momentin e regjistrimit të kandidatit për konkurrim në një nga programet e studimit, e pajisin konkurrentin me ‘Fletën e Regjistrimit”. Fleta e regjistrimit përgatitet në 2 kopje dhe firmoset nga kryesekretarja e fakultetit dhe kandidatit për konkurs.
    Sigal