MASH: Shtohet numri i konvertimit të diplomave, ja procedurat që duhen ndjekur

    60

    Formulari për konvertimin e një diplome dhe tarifa që duhet paguar nga personat 

    Këtë vit në ndryshim nga vitet e kaluara është shtuar ndjeshëm numri i rasteve të konvertimit të diplomave të studentëve shqiptarë që kanë studiuar në universitetet jashtë vendit. Burime nga MASH, kanë bërë të ditur për “Telegraf” se, ka një dyndje kryesisht të të rinjve që janë kthyer nga Italia apo Greqia. “Deri tani është bërë konvertimi i 1200 diplomave, ku 525 prej tyre janë përfunduar, ndërsa një vit më parë numri ka qenë më i ulët”, bëhet e ditur nga MASH. Sipas rregullores së MASH, çdo student që kërkon t’i konvertohet diploma, duhet të ketë diplomën, listën e notave, fotokopje të pasaportës dhe mandat pagesën prej 2500 lekësh. Ndërkohë që burimet pranë Ministrisë së Arsimit kanë theksuar se një ndër shkaqet për rritjen e numrit të kërkesave për konvertim diplomash është dhe kriza ekonomike, referuar dy shteteve që kanë numrin më të madh të studentëve ku kanë përfunduar studimet. Sipas informacioneve të marra nga MASH, bëhet e ditur se, për periudha të caktuara  ka pasur dyndje për konvertimin e diplomave të huaja dhe, kryesisht, janë studentë të kthyer nga shtetet fqinje si Italia apo Greqia. Ndër të tjera, specialistët thonë se për t’u ardhur në ndihmë të rinjve të sapokthyer që duan të punësohen në vend apo të vazhdojnë studimet, procedurat për njohjen e diplomave kryhen në një kohë më të shkurtër se 45-ditëshi, ndërsa për rastet që dyshohen se kanë dokumente të falsifikuara, procedurat zgjasin.

    Si bëhet aplikimi për konvertimin

    Sipas udhëzimit më të ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, dosja e aplikimit duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme:

    a) Formatin e aplikimit të plotësuar;

    b) Diplomën ose certifikatën/vërtetimin e diplomimit;

    c) Listën e notave ose suplementin e diplomës;

    d) Dokument zyrtar identiteti: fotokopje e pasaportës dhe kartës së identitetit për shtetasit shqiptarë dhe të huaj;

    e) Mandat-pagesën.

    Dokumentet pranohen origjinalë ose fotokopje të noterizuara. Ndërsa për shtetasit e huaj, dokumentet duhet të jenë me përkthim të vërtetuar. Sipas udhëzimit të MASH-it, të paktën një nga dokumentet bazë që konfirmon diplomimin apo mbarimin e suksesshëm të kursit të studimit që do njihet, duhet të jetë i legalizuar me Vulën Apostille ose nga Ambasada Shqiptare, ose nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë. Në rast pamundësie të marrjes së legalizimit, aplikimi do të pranohet edhe pa dokument të legalizuar. Aplikimi duhet të dërgohet me postë në Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun të MASH. Brenda 3 (tre) ditësh, Sektori i Njohjes së Diplomave (SENJOD) informon aplikantin për mbërritjen dhe plotësinë e dosjes. Sipas udhëzimit, aplikimi nuk quhet i plotë nëse mungon një nga dokumentet e cituara më sipër. informimi mund të bëhet me e-mail ose postë të zakonshme. Nëse komunikimi bëhet me e-mail, duhet të konfirmohet marrja e tij nga aplikanti.

    Dokumentet që shqyrtohen

    Burime pranë MASH-it konfirmojnë se fusha e veprimtarisë së njohjes së kualifikimeve të fituara kryhet nga Drejtoria e Politikave të Arsimit të Lartë dhe ka për qëllim:

    a) Të administrojë dhe të kryejë procedurat për të gjitha aplikimet për njohje të diplomave të përfunduara të ciklit të parë, të ciklit të dytë, të diplomave Master i Nivelit të Dytë si dhe certifikatave të specializimit të fituara jashtë shtetit;

    b) Të kryejë procedurën verifikuese për vërtetësinë e certifikatave apo diplomave të tjera universitare të fituara jashtë shtetit kur kërkohet nga institucione të tjera;

    c) Të kryejë procedurën verifikuese për vërtetësinë e certifikatave apo diplomave universitare të fituara në Republikën e Shqipërisë, kur kërkohet nga institucione të tjera jashtë shtetit. Ndërkohë, MASH-i nuk do të shqyrtojë diploma dhe kualifikime të fituara nga institucione të akredituara në Republikën e Shqipërisë, kurse studimi të paplotësuara. Këto shqyrtohen nga institucioni i Arsimit të Lartë, ku aplikanti kërkon të vijojë/përfundojë studimet në përputhje me statutin/rregulloren e tij; certifikata për kurse të vetme si gjuhë e huaj, kompjuter, diploma ose certifikata lëshuar nga institucione të huaja që nuk kanë legjitimitetin e duhur; dokumentet që nuk janë origjinale apo të njëvlershme me to, diploma ose certifikata të fituara në shkolla të larta ushtarake, përjashtuar diplomat për drejtime civile të studimeve, si dhe diploma dhe certifikata të fituara në shkolla të larta fetare, përjashtuar diplomat për drejtimet civile të studimeve.