MASH: Rregullat e Kodit të Etikës që duhet të zbatojnë mësuesit në arsimin parauniversitar

    3829
    Sigal

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë publik Kodin e Etikës që duhet të zbatojnë pa përjashtim mësuesit në sistemin parauniversitar privat dhe publik. në njoftimin e ministrisë bëhet e ditur se mësuesi merr përgjegjësinë t’i përkushtohet nxënësit dhe profesionit, të jetë mishërim i standardeve më të larta etike dhe model i sjelljes, që buron prej tyre. Parimet bazë mbi të cilat hartohet kodi i etikës së mësuesit janë:

    -Parimi i përkushtimit ndaj nxënësit, mbi bazën e të cilit përcaktohen sjelljet që priten nga mësuesi në lidhje me procesin e të nxënit.

    -Parimi i përkushtimit ndaj profesionit, mbi bazën e të cilit përcaktohen sjelljet që priten nga mësuesi për përsosjen e cilësive të tij personale në funksion të të nxënit dhe të mjedisit arsimor që e mbështet atë në të gjitha drejtimet.

    Sipas këtij kodi të gjitha institucionet arsimore kanë si detyrë:

    -Të mirinformojnë dhe të trajnojnë të gjithë stafin mësimor për parimet dhe qëllimin e kodit të etikës.

    -Të nxisin angazhimin dhe përkushtimin ndaj këtij kodi të të gjithë punonjësve të arsimit (mësues, drejtues, nxënës etj).

    -Të përkthejnë kodin e etikës në udhëzime, rregullore etj për sjelljet që duhen krijuar e mbështetur, në kushtet e veçanta të mjedisit të tyre arsimor.

    -Të ofrojnë shembuj konkretë për zbatimet në praktike të kodit të etikës.

    -Të monitorojnë dhe kërkojnë zbatimin e kodit të etikës nëpërmjet funksionimit të një komisioni të etikës dhe sjelljes aktiv dhe efektiv.

    Komisioni i etikës dhe i sjelljes, i përbërë nga mësues, prindër dhe nxënës, që funksionon në institucionin arsimor (neni 33 i Ligjit për arsimin parauniversitar) ka për detyrë të shqyrtojë ankesat e nxënësve, të prindërve e të punonjësve të institucionit, për sjellje që mendohen jo në përputhje me parimet e këtij Kodi dhe e fton punonjësin për sqarim dhe këshillim.