Masakër mbi kafshët, Dogana e Durrësit mbyll sytë për gjuetarët italianë     

    457
    Sigal

    Dogana e Durrësit duket sikur ka mbyllur sytë kur vjen momenti për të kryer detyrën dhe zbatuar ligjet e shtetit për gjuetarët e shumtë që vijnë të deklaruar edhe si turistë. Prej afro 5 vitesh shoqata e Gjuetarëve në Durrës, ka ngritur shqetësimin e saj mbi masakrën ndaj kafshëve dhe shpendëve të rrallë, nga persona dhe grupe personash në pyjet e zonave malore dhe kodrinore. Pavarësisht se Ministria e Mjedisit  ka deklaruar bllokimin e çdo lloj gjuetie, pothuajse çdo javë regjistrohen raste nga Shoqata e Gjuetisë Ilegale dhe veçanërisht nga ata të huaj. Problemet kanë të bëjnë me rritjen gjithnjë e më shumë të shqetësimit të vrasjes së kafshëve e shpendëve të rrallë në Durrës. Shqetësimi është ngritur  edhe  nga  Drejtoria e Shërbimit  Pyjor,  të cilët kanë organizuar  shpesh takime  për të parandaluar gjuetinë e paligjshme. Gjuetia  për një periudhë 3 -vjeçare mbetet e ndaluar  ndërkohë që  këto javët  ka pasur  të dhëna  për  vrasje pa kriter të kafshëve.  Në Qarkun e Durrësit ndodhen 8 zona gjuetie, nga e gjithë sipërfaqja që ka qarku me pyje e shkurre, vetëm  dy prej tyre  janë caktuar si të mundshme për gjuetinë sportive, por  sipërfaqja e të dy këtyre  zonave  është jo më shumë se 8 mijë ha dhe shtrihet në zonën kodrinore e malore të Ishmit e të Krujës. Për të shmangur zhdukjen e disa kafshëve, shoqata ka vënë në dijeni  gjuetarët e licencuar për listën e gjitarëve. Sipas Shoqatës së Gjuetarëve, “zhdukja e shumë llojeve shpendësh dhe kafshësh të egra është tashmë kryefjalë në tryeza e takime, ndaj  lypset më shumë vëmendje dhe ndëshkim ndaj keqbërësve”. Shoqata e gjuetarëve po bashkëpunon me Policinë Pyjore për shtimin nga ana e saj të kontrollit ndaj gjuetisë abuzive dhe ajo ka marrë përsipër që ta vendosë situatën nën kontroll të plotë. Nga 5000 gjuetarë që ka Durrësi, shumica e tyre nuk kanë paguar detyrimet dhe kjo e vështirëson edhe më tej harmonizimin e kontrollit. Shtimi i gjuetisë pa leje  ndodh edhe aktualisht dhe kjo javët e fundit edhe nga gjuetarë të huaj.  Statistikat flasin për dhjetëra lloje gjitarësh, që janë zhdukur plotësisht, ndërsa  disa  lloje shpendësh nuk bëjnë më fole në rezervate, pyje e shkurre, si dy apo tridhjetëvjeçarë të kaluar. Shqiponjat e detit, karabullaku i vogël, i cili është zhdukur plotësisht nga ligatinat, ariu i murrmë, derri i egër, lepuri i egër, pelikani dalmat, gjeli i egër, kaprolli, lopa e egër, si dhe gjallesat e detit, si: karkaleci i detit, korali i kuq, por edhe lloje të ndryshme peshqish, molusqesh, amfibësh dhe reptilësh kanë mbetur vetëm në kujtesën e gjuetarëve. Shërbimi Pyjor dhe ARM duhet të ndalin çdo rast të gjuetisë së paligjshme dhe të zbatojnë ligjin  për çdo gjuetar vendas apo italian qoftë, kurse Dogana e Durrësit të ushtrojë maksimalisht  kompetencat e saj për të mos lejuar daljen nga Shqipëria të asnjë kafshe të vrarë apo të gjallë.

    A.A