Masa e re e përfitimeve për para/tetraplegjikët dhe të verbrit

    544
    Sigal

    Zbardhen udhëzimet që përcaktojnë masën e përfitimit që do të marrin PAK dhe kujdestarët e tyre

    Publikohet masa e re e përfitimeve që do të marrin personat me aftësi të kufizuar gjatë këtij viti. Kështu, në disa udhëzime të publikuara dje në “Fletoren Zyrtare” janë përcaktuar edhe masat e reja që do të marrin këta persona. Konkretisht, në udhëzimin mbi zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 31, datë 20.1.2001 “Për përfitimet nga statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar thuhet se “1. Masa e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të përcaktuar në pikën 4, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 31, datë 20.1.2001, bëhet 9 900 (nëntëmijë e nëntëqind lekë në muaj); 2. Masa e përfitimit për kujdestarinë e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të përcaktuar në pikën 4, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 31, datë 20.1.2001, bëhet 10 400 (dhjetëmijë e katërqind) lekë në muaj; 3. Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1 shtator i vitit 2014 dhe përballohen me fondet e akorduara për vitin 2014, për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”.

     Ndryshimi i përfitimit për para/tetraplegjikët dhe kujdestarët e tyre

    Deri më sot, në bazë të udhëzimit të vitit të kaluar të Ministrisë së Punës masa e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë ka qenë 9 750 lekë, ndërsa duke filluara nga 1 shtatori përfitimi është rritur në masën 9 900 lekë, pra 150 lekë më shumë. Masa e përfitimit për kujdestarin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik ka qenë 10 250 lekë, ndërsa duke filluar nga 1 shtatori përfitimi është rritur në 10 400 lekë, pra 150 lekë më shumë.

     Masa e përfitimit për PAK dhe kujdestarët e tyre

     Në udhëzimin mbi zbatimin e vendimit nr. 618, datë 7.9.2006 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve, të dokumentacionit dhe masës së përfitimit të pagesës për personat me aftësi të kufizuar”, të ndryshuar, thuhet se “1. Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, e përcaktuar në pikën 8, të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 618, datë 7.9.2006, bëhet 9 900 (nëntëmijë e nëntëqind) lekë në muaj për personat e përcaktuar në pikën 1 të vendimit. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i personit me aftësi të kufizuar; 2. Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, të përcaktuar në pikën 8 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 618, datë 7.9.2006, bëhet 9 900 (nëntëmijë e nëntëqind) lekë në muaj për personat e përcaktuar në pikën 2 të vendimit dhe 10 400 (dhjetëmijë e katërqind) lekë në muaj për kujdestarin; 3. Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1 shtatori i vitit 2014 dhe përballohen me fondet e akorduara për vitin 2014, për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”.

     Ndryshimi

    Deri më sot, në bazë të udhëzimit të vitit të kaluar të Ministrisë së Punës, për personat, të cilëve u është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore, të intelektit, psikike/mendore, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje, të përkohshme apo të përhershme, që nuk vijnë nga shkaqe, që lidhen me punësimin masa e përfitimit ka qenë 9 750 lekë, ndërsa duke filluara nga 1 shtatori përfitimi është rritur në masën 9 900 lekë, pra 150 lekë më shumë. E njëjta masë përfitimit është edhe për kujdestarët e këtyre personave me aftësi të kufizuar.

     Masa e përfitimit për personat me aftësi të kufizuar në shikim

    Në një tjetër udhëzim të publikuar në “Fletoren Zyrtare” në zbatim të pikës 16 të Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 277, datë 18.6.1997 “Për përfitimet nga statusi i të verbrit”, të ndryshuar thuhet se “1. Masa e përfitimit për shkak të verbërisë, të përcaktuar në pikën 4, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 277, datë 18.6.1997, bëhet 11.250 (njëmbëdhjetë mijë e dyqind e pesëdhjetë) lekë në muaj. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i të verbrit; 2. Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1 shtatori i vitit 2014 dhe përballohen me fondet e akorduara për vitin 2014, për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”.

     Ndryshimi

     Deri më sot, në bazë të udhëzimit të vitit të kaluar të Ministrisë së Punës masa e përfitimit për personat me aftësi të kufizuar në shikim ka qenë 11 100 lekë, ndërsa duke filluar nga 1 shtatori përfitimi është rritur në masën 11 250 lekë, pra 150 lekë më shumë. E njëjta masë përfitimi është edhe për kujdestarët e këtyre personave me aftësi të kufizuar.

    Grupet përfituese të pagesës së paaftësisë

    Grupet përfituese të pagesës së paaftësisë mbështetur në kuadrin ligjor janë:

    1-Personat, të cilëve u është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore, të intelektit, psikike/mendore, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje, të përkohshme apo të përhershme, që nuk vijnë nga shkaqe, që lidhen me punësimin, e vërtetuar kjo nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), përfitojnë pagese për shkak të aftësisë së kufizuar.

    2 -Personat paraplegjikë e tetraplegjikë, të cilët deklarohen, me vendim të Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha, përfitojnë pagesë për shkak të aftësisë së kufizuar.

    Personat me aftësi të kufizuara, të përcaktuar në pikat 1 e 2, të këtij vendimi, të cilët, me vendim të Komisioneve Mjekësore të Caktimit të Aftësisë për Punë, përcaktohen se kanë nevojë për përkujdesje, përfitojnë edhe një kujdestar me pagesë.

    Vlerësimi i gjendjes mjekësore të personave me aftësi të kufizuara, bëhet nga KMCAP-i, i cili është i ngritur dhe funksionon pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku merr pjesë, si anëtar me të drejtë vote, edhe mjeku, punonjës i Shërbimit Social Shtetëror.

    Shpenzimet për pagesën e anëtareve te KMCAP-it përballohen nga buxheti i Institutit Sigurimeve Shoqërore, përveç pagesës së mjekut, i cili është punonjës i Shërbimit Social Shtetëror. Invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë pajisen me dëshmi zyrtare identifikimi. Kriteret e dhënies se dëshmisë dhe forma e saj përcaktohen ne rregulloren e Institutit te Sigurimeve Shoqërore dhe te Shërbimit Social Shtetëror.

    Ndryshimet në masën e përfitimit

     Kategoritë e përfituesve          Ishte    U bë

    Para/tetraplegjikët       9.750 lekë        9 900 lekë

    Kujdestarët e para/tetraplegjikëve      10 250 lekë      10 400 lekë

    PAK    9 750 lekë        9 900 lekë

    Kujdestarët e PAK     9 750 lekë        9 900 lekë

    Të verbrit         11 100 lekë      11 250 lekë

    Kujdestarët e të verbërve        11 100 lekë      11 250 lekë

    Ledjana Saliu