Marsida Simo/Si e zgjedhin profesionin femrat?

    459
    Sigal

    *Psikologe, 

    Besoj se shumë prej nesh kur kemi qenë të vegjël na kanë pyetur se çfarë do të donim të bëheshim kur të rriteshim. Shpesh, përgjigjet që jepnim kanë qenë lidhur me ato profesione që sillnin më tepër të ardhura. Ne këtë nuk e kemi ditur, por ka qenë e mësuar nga prindërit. Me të tilla informacione dhe mësime jemi rritur dhe do ia transmetojmë edhe fëmijëve tanë. Megjithatë, deri në këtë pikë nuk vërehet ndonjë problem. Momenti ku prindi gabon, qëndron tek stimulimi i dëshirave të çfarëdo lloji, i ndarë në gjini. Në momentin që fëmijët fillojnë të luajnë, ata marrin dhe një mësim tjetër. Djemtë luajnë me makina, lojëra ndërtuese dhe paralelisht i ngulisin në mendje të zgjedhin profesione tipike mashkullore. Vajzat priren të luajnë me kukulla duke mësuar kështu që edhe profesioni i tyre të lidhet me përkujdesjen. Këto ndarje në profesione mund të ndryshojnë nga njëra shoqëri në tjetrën, por në vendin tonë ende janë të dukshme. Nëpër auditoret e universiteteve ku zhvillohen degë të shkencave shoqërore janë të mbushura me vajza dhe tek tuk mund të zërë syri ndonjë djalë. Ndërsa në universitetet me degët të shkencave natyrore do të gjeni pothuaj vetëm djem. Nëse do të vazhdojmë me këto shembuj mund të përmendim edhe fakte të tjera. Shpesh herë ne dimë se, mësimdhënia si profesion kryesohet nga gratë, ndërsa drejtuesit më së shumti janë burrat. Njëkohësisht jemi të vetëdijshëm që edhe gratë mund të jenë drejtuese shumë të mira, por gjithmonë janë të pakta në numër. Nga ky shembull i thjeshtë mund të shpjegohen shumë pyetje të cilat kalojnë në avantazh të gjinisë tjetër, si p.sh: burrat mendohen se janë më të aftë në poste drejtuese; burrat kanë qenë dhe janë ata që kanë drejtuar gjithmonë; burrat kanë qenë dhe janë më të suksesshëm sesa gratë. Historikisht faktet të përcjella në shifra tregojnë se burrat kanë qenë të punësuar në profesione që sjellin më shumë të ardhura. Nga ana tjetër duhet theksuar se gratë kanë qenë gjithmonë më të diskriminuara dhe nuk iu është lejuar as të arsimohen sepse primare për to ka qenë përkujdesi për familjen. Vitet që kanë pasuar kanë sjellë ndryshim pozitiv për emancipimin e grave, por kjo ende e frenuar nga vetë padituria e vetë grave dhe nga burrat. Sigurisht që shumë gra dinë të flasin për të drejtat e tyre, por ka edhe shumë të tjera që si përfundim nxjerrin se burrat mbeten burra dhe duhet të jenë primarë. Pabarazitë në respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave thellohen edhe nga niveli i dobët i përfaqësimit të tyre në procesin e vendimmarrjes, apo dhe nga fakti që shoqëria shqiptare, ende nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur eliminimit të transmetimit steriotipeve gjinore në edukimin mbi pozicionin që të dy palët duhet të kenë si brenda familjes ashtu edhe në jetën shoqërore. Problemet për gratë nuk mbarojnë këtu, pasi edhe për ato që kanë zgjedhur të bëjnë karrierë duhet të përballen me paragjykime të vazhdueshme. Përvoja primare e një nënë të punësuar është fajësuese. Shumë gra i kanë thyer mitet e mëmësisë edhe pse duhet të mbajnë përsipër etiketimet si nëna jo të përshtatshme meqenëse ato nuk qëndrojnë bashkë me fëmijët e tyre për 24 orë. Fajësimi që nënat i bëjnë vetes shpesh mund të sjellë rezultate jo të larta në punën e tyre. Nënat e punësuara përjetojnë një nivel të lartë stresi dhe konfliktualitet rolesh me veten e tyre dhe me të tjerët. Në këtë mënyrë disa zgjedhin  të heqin dorë nga kjo punë ose të mos ngrihen në detyrë. Për këtë arsye shumë vajza zgjedhin profesione që nuk kërkojnë orare të zgjatura, apo shumë përkushtim edhe pas pune. Për burrat kjo situatë nuk ndodh thuajse asnjëherë. Nëse baballarët mungojnë qoftë edhe me ditë në ambientin familjar, janë të justifikuar. Ata mund ta përdorin kohën e tyre edhe për punë jashtë orarit zyrtar duke ia shtuar vetes shanset për tu rritur në detyrë. Ndoshta këto arsyetime anashkalohen dhe nuk trajtohen si duhet nga partnerët. Nëse ata do të ndanin më mirë kohën për kujdesin familjar edhe gruaja do të gjente hapësira për veten e saj. Shumë ekspertë të kujdesit fëminor pranojnë se, për sa kohë që fëmijët do të marrin një kujdes alternativ dhe një vëmendje të plotë nga të dy prindërit, fëmijët do të jenë shumë mirë. Fatmirësisht kohë pas kohe, po bëhen përmirësime në jetën familjare edhe pse vetëm në vendet urbane. Ka shumë gra që janë arsimuar dhe fitojnë shumë të ardhura nga profesioni që ato kryejnë. Burrat po e ndjejnë më tepër përgjegjësinë në familje dhe e kanë shtuar ndihmën e tyre. Njëkohësisht ka edhe gra të cilat me krenari absurde shprehen se burrat e tyre janë shumë tolerantë aq sa i lejojnë që ato të punojnë. Nuk mund të presim ndryshime të menjëhershme pasi shoqëria jonë ende po pëson trazira nga kultura që kemi trashëguar brez pas brezi apo edhe nga feja, të cilat gruan e fusin brenda kornizës së mëmësisë. Ndryshimet duan kohë të ndodhin, por përsëri nuk mund të presim shekuj të tjerë që gratë dhe burrat të jenë përfundimisht të barabartë.