Marsida BANDILLI*/ Ja përse të rinjtë mund të rivitalizojnë demokracinë!

    440
    Sigal

    Disa ditë më parë, në një ndër gazetat më të vjetra kombëtare në Britani, më konkretisht “The Guardian” u publikua një artikull mbi rëndësinë e aktivizimit dhe përfshirjes së të rinjve në projektin Europian. Më në detaje artikulli analizon sesi “brezi i Erasmus-it dhe EasyJet-it” kanë potencialin intelektual për të sjellë ndryshimin që duhet në botë, dhe jo vetëm. E ndërsa i madhi Ghandi përcillte mesazhe inspiruese që çdokush duhet të bëhet ndryshimi që dëshiron të shohë në botë, ky artikull përkundrazi prezanton një formë të re pjesëmarrje, përmes: “bëhu prezent, qëndro aty në botë”. Në konceptimin teorik të demokracisë, vazhdimisht theksohet potenciali i pranisë (edhe pse jo gjithmonë) i konfliktit. Ndërmjet grupeve të ndryshme të akademikëve, tradicionalisht është diskutuar mbi atë që përfaqëson demokracia dhe sesi mund t’i përafrohemi ‘idealit’ të saj. Pavarësisht debateve, dhe ndryshimeve konceptuale sidomos gjatë viteve 1960–1970, dominon përgjithësisht mendimi se demokracia liberale, është një ndër modelet më të mira të qeverisjes. Kjo ndodh jo vetëm për faktin se është modeli dominues në botën perëndimore, ku shumëçka që vjen nga perëndimi, mirëpritet si ‘e mirë, e duhur’ dhe gati-gati edhe ‘e drejtë’. Por mbi të gjitha, sepse liberalizmi është një qasje politiko-ekonomike që ka në thelb të sajin zhvillimin dhe mirëqenien e individëve. Liberalët dhe modeli i demokracisë liberale tejçon idenë se demokracia është një proces dhe jo një ndodhi ose ngjarje në një moment të caktuar në kohë. Ndërsa debatet mbi demokracinë liberale vazhdojnë me idenë nëse duhet të jetë konflikti apo konsensusi ai që duhet të dominojë më tepër, ky artikull shtjellon se përse grupet e caktuara të shoqërisë mund të luajnë një rol themelor në rivitalizimin e demokracisë. Një ndër artikulimet kryesore teorike por edhe praktike, ka të bëjë me faktin se individët janë mjeti i kudogjendur i jetës sociale. Për shkak të roleve dhe statuseve që çdokush mund të ketë në shoqëri, me shumë gjasa individët përballen në shumicën e rasteve me disa role, të cilat ndodh që përplasen me njëri-tjetrin. Dy dallime themelore duhen bërë në këtë drejtim: ‘mbingarkesa në role’ dhe ‘konflikti i roleve’. Ndërsa e para i referohet kryesisht individit që është aktiv në disa sfera njëkohësisht dhe pikërisht prej kësaj, duhet që të ‘t’i kalojë’ disa nga rolet e tij aktorëve të tjerë të shoqërisë, e dyta i referohet pikërisht asaj se çfarë pritet nga individi në një vend dhe kohë të caktuar. Pavarësisht përpjekjeve për të ndërtuar kulturën dhe aftësitë që kushdo duhet të ketë në demokraci, vërehet dukshëm se ka ‘një apati të përgjithshme’ që ndryshe do të përkthehej në një mungesë interesimi për t’u aktivizuar në disa drejtime. Gjithashtu, ka një përsëritje dhe mbivendosje të diskutimeve, argumenteve dhe observimeve se pse grupe të caktuara të shoqërisë janë disi pasive dhe sesi ato mund të ri-aktivizohen. Edhe pse studimet e fundit i referohen të rinjve, si një target-grup, i cili është më pak aktiv dhe i angazhuar në shoqërinë dhe komunitetin ku ata jetojnë, në të njëjtën kohë ekzistojnë shumë diskutime mbi atë se çfarë pritet nga çdo individ në një kohë dhe vend të caktuar. Në njërën anë, ‘Facebook-u, whatsappi dhe smartphone’ krijojnë një realitet mahnitës virtual, duke lejuar komunikimin në të katërta anët e botës, por në të njëjtën kohë ky realitet i ka pajisur të rinjtë me ‘një stil të llastuar jetese’. Në anën tjetër, nuk ka një model standard të pjesëmarrjes aktive në shoqëri, është përgjithësisht e mirëpranuar se individët duhet të jenë të përfshirë në jetën dhe çështjet publike në nivelet e ndryshme: lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky artikull prezanton një koncept të ri të pjesëmarrjes aktive në shoqëri. Në çfarë mënyrë? “Duke u bërë prezent, duke qëndruar aty në botë”, për pasojë, përmes përfshirjes në mënyrë aktive në komunitet, përmes trajtimit të problemeve që duhen zgjidhur urgjentisht, për të sjellë ndryshimin ose për t’i rezistuar ndryshimit të padëshiruar. Në historinë e zhvillimeve botërore të rinjtë kanë treguar shumë herë se janë ‘shtylla kurrizore’ e çfarëdolloj sistemi ekonomiko-politik në shumë forma. Më së fundmi, lëvizjet studentore dhe sociale si ‘Occupy Wall Street’, do të ishin të pamundura nëse të rinjtë nuk do të ndjenin kundërshtinë dhe gati ‘antipatinë’ ndaj ngjarjeve dhe zhvillimeve të shoqërisë së tyre. Tradicionalisht ndodh që të rinjtë shtyhen të reagojnë në momente kyçe ku ndjesia e urgjencës se diçka nuk po shkon ashtu siç duhet me vendin e tyre, fuqizohet. Megjithatë përkundër këtij modeli mekanik të veprim-reagim, ajo që i duhet shoqërisë së sotme janë të rinjtë të cilët janë pikësëpari të ndërgjegjshëm për rolin dhe përgjegjësinë që ata duhet të luajnë në shoqëri. Edhe pse është normale dhe deri-diku e pritshme që në çdo realitet të mbizotërojë njëfarë pesimizmi intelektual mbi mënyrën sesi portretizohet realiteti e ndoshta edhe e ardhmja. Ajo që duhet kuptuar, pa përjashtim nga çdo grup i shoqërisë por mbi të gjitha nga të rinjtë është se: “demokracia ka nevojë për ta”, jo vetëm nëpërmjet pjesëmarrjes në votime dhe kësisoj artikulimit të vullnetit politik, por mbi të gjitha përmes përfaqësimit të zërit të tyre në shoqëri. Për pasojë, çdokush mund të pyesë: çfarë mundësish mund të kem unë për t’u aktivizuar, për të ndërvepruar dhe sa mundem unë realisht të bëj një gjë të tillë? Për më tepër si mund të përdor mjetet e ndryshme online ‘në mënyrën e duhur’ për të theksuar, dhe jo zbehur pjesëmarrjen aktive? Përgjigja është se kushdo, mbi të gjitha të rinjtë duhet të ndërgjegjësohen për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së tyre veçanërisht në debatet dhe vendimet që merren për ta dhe mirëqenien e tyre. Për më tepër, sugjerimi i një modeli të ri të pjesëmarrjes: ‘bëhu prezent, qëndro aty në botë’ ripohon domosdoshmërinë që të rinjtë duhet të ndjejnë nevojën e urgjencës për t’u aktivizuar dhe për të përdorur një nga format e ndryshme interaktive të komunikimit në shoqëri. Në këtë sens, interneti që etiketohet shpesh si një nga mjetet që i largon të rinjtë nga pjesëmarrja në shoqëri, por nëse përdoret në mënyrën e duhur mund të forcojë angazhimin dhe pjesëmarrjen qytetare. Përgjigja është: Po, të rinjtë mund të rivitalizojnë demokracinë, përmes përdorimit të mundësive online, netuorkut si dhe aktiviteteve të ndryshme qytetare dhe politike. Ndërlidhja, komunikimi online, e-maili, kërkimi i informacionit, kërkimi i uebsajteve të ndryshme, nënshkrimi i peticioneve etj, janë vetëm disa nga format potenciale që të rinjtë mund të përdorin në internet për t’u angazhuar dhe për të dhënë mendimin e tyre. Përveç kësaj, ekziston një tërësi mundësish të tjera jo-online për të cilat të rinjtë duhet të jenë entuziastë dhe aktivë për t’i praktikuar. Dhe në momentin kur çdokush do përfshihet përmes punës vullnetare, protestave, lëvizjeve sociale etj, do të ndërgjegjësohet në të njëjtën kohë se i ka të gjitha aftësitë dhe cilësitë për të përmirësuar jetën e tij/saj por dhe të komunitetit ku jeton. Për rrjedhojë një i ri aktiv, nuk është ai/ajo që ‘vepron mirë’, është thjesht një i ri që vepron: pa ndjekur rregulla, dhe pa u sjellë në një mënyrë të caktuar. Në fund fare është thjesht një i ri që i pranon dhe sfidon rregullat dhe strukturat ekzistuese dhe vazhdon të kontribuojë për një qytetari demokratike aktive duke respektuar drejtësinë, demokracinë, sundimin e ligjit, tolerancën dhe inkurajon mbrojtjen e pikëvështrimeve të ndryshme si dhe një vullnet të mirë për të dëgjuar, për të punuar dhe për të mbështetur të tjerët. Ja përse të rinjtë mund të rivitalizojnë demokracinë…!

    * Autorja është Kandidate Doktorature për Shkencat Politike në Universitetin e Antwerpit, Belgjikë, njëkohësisht dhe fituese e Çmimit “Qytetarët Aktivë të Europës” për vitin 2014