Mars 1997, Shqipëria digjej, Sali Berisha po “vetëzgjidhej” President

    476
    Sigal

     9 Mars 1997, formohet Qeveria e Pajtimit Kombëtar, me në krye Bashkim Finon, Kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës

     Një “vetëzgjedhje” të tillë nuk tentoi ta bënte as Assad as Janukovviç

      Marsi i vitit 1997, është cilësuar në historinë e Shqipërisë si një vit I mbrapshtë. Ky vit solli shkatërrimin e firmave piramidale, të cilat me një skemë super mashtrimi, mbollën tek shqiptarët dembelizmin, rrënimin ekonomik, shkatërrimin e ushtrisë dhe armatosjen  në mënyrë vetjake të të gjithë popullit. Një situatë kritike. Mbi 600 mijë familjeve shqiptare humbën kursimet,  një situatë që sot as mund të konceptohet, një situatë që nuk u pa as në momentin e përmbysjes së sistemit komunist. Mbi 600 mijë familje shqiptare, humbën kursimet e tyre në këto firma fantazmë, duke shitur shtëpitë dhe duke qëndruar në mes të katër rrugëve. Këto firma u zhvatën shqiptarëve çdo qindarkë.

    Për çudi, pikërisht në këto momente kaq delikate të popullit shqiptar, kur tërë Shqipëria shkatërrohej, digjej, e plaçkitej dhe shqiptarët në emër të absurdit vriteshin me njëri-tjetrin, duke u konfrontuar edhe me policë e ushtarë, ish- Kryetari i PD-së, ish -Presidenti Sali Berisha për çudi edhe të vetë faktorit ndërkombëtar, nuk e lëshonte kolltukun.  Për më tej, si për ironi të fatit, kur zemërimi popullor, për humbjet piramidale kishte arritur kulmin, Sali Berisha provokonte në mënyrën më të hapur, dhe të inskenonte sërishmi qëndrimin në pushtet, duke u “vetë-deklaruar” për të dytën herë radhazi si President i Republikës së Shqipërisë. Më 3 mars 1997, kur pritej dorëheqja e tij dhe hapja e rrugës për një qeveri të përkohshme, Sali Berisha, mes brohoritjeve frenetike të paimagjinuara, nën mbrojtjen e  SHIK-ut që kishte rrethuar e mbushur Sallën e parlamentit, Ai, Kryetari i PD-së dhe Presidenti, u vetë-deklarua në mënyrën më të pakonceptueshme, për herë të dytë President Republike. Po jashtë Parlamentit dhe në gjithë Shqipërinë çfarë po ndodhte? Një situatë e pabesueshme. Një situatë tejet e acaruar. Kudo katrahurë. Shteti de facto kishte rënë. Në të gjithë jugun, por edhe në Shqipërinë e Mesme populli kishte rrëmbyer armët, kishte hyrë në repartet ushtarake, madje kishte rrëmbyer dhe tanket. Një situatë tejet kritike në të gjithë vendin. Veç një hap e ndante Shqipërinë nga lufta civile. Ç’po ndodhte në të vërtetë? Vendi ishte kthyer në një shesh lufte, pa armik frontal. Askush nuk dinte kë deh me se do të luftonte. Zemërimi ishte i tejskajshëm.  Një gjendje kaosi i paparë. Filluan të sundojnë maskat dhe kapuçonët e zinj. Fëmijët në çdo hap luanin me vdekjen. Nuk flitej më as për shtet, as për ushtri, as për polici, as për shkollë, spitale apo çdo gjë që kishte lidhje me shtetin. Shteti ishte tejet inekzistent. Por Sali Berisha, sikur të ishte qindra km larg kësaj situate, merrte hapin më të nxituar të jetës së vet politike, duke u vetë-emëruar përsëri president. 3 mars 1997, do të mbahet mend si një ditë e zezë ku Berisha vetë-rizgjidhet President,  kur Shqipëria ishte në gjendje të jashtëzakonshme. Të gjithë këtë skenar të jashtëlogjikshëm në një shtet demokratik, Berisha e bëri nën mbështetjen e të gjitha instrumenteve shtetërorë që ai kishte nën urdhra. Lind pyetja, për cilat arsye veproi Berisha kështu? Përgjigjet janë nga më të pabesueshmet, ku mbizotëron ajo që e kanë theksuar shumë analistë “Etja për pushtet”. Një etje që doli mbi përgjegjësinë për të respektuar popullin e vet, normat demokratike të ndërtimit dhe të funksionimit të një shteti. Dhe në këtë Mars të mbrapshtë u vranë 3000 shqiptarë midis të cilëve shumë oficerë policie, ushtrie dhe ushtarë. Një vend që u mboll zia. Kudo shkatërrime, anije luftarake të djegura. 4 nëndetëse të shkrumbuara. Qindra reparte ushtarake pa asnjë shenjë ekzistence. Një shtet pa shtet. N.q.s do të bëjmë një krahasim, as Assad i Sirisë nuk po guxon të rizgjidhet President në gjendje lufte civile, siç bëri Sali Berisha në 3 mars 1997. As Janukovviç, nuk e bëri atë që bëri Sali Berisha, por ia mbathi nga pushteti e nga Ukraina. Tashmë të gjithë i dinë rregullat e demokracisë. Askush nuk mund të luajë me fatet e popullit. Por nuk do të vononte shumë nga kjo datë kur Berisha do të “dorëzohej”. Më 9 Mars 1997 formohet Qeveria e Pajtimit Kombëtar, me në krye Bashkim Finon, Kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës.

    Ja ngjarjet kryesore të marsit ‘97, kur Sali Berisha po rizgjidhej President ndërsa Shqipëria ishte në kaos.

    – Data 1 Mars 1997: PS shpall të paligjshëm lidershipin e PD-së, ndërpriten transmetimet e “BBC” dhe “VOA” në Shqipëri, si reagim për pasigurinë e krijuar.

    – Data 1 Mars 1997: Nën drejtimin e Arben Imamit, sulmohet Marina Luftarake Sarandë dhe e pushtojnë atë, duke ngritur flamurin grek, me spotin: “Saliu, qen, kriminel dhe agjent serb”.

    – Data 2 Mars 1997: Parlamenti miraton shef të operacionit për rivendosjen e rendit, shefin e SHIK, Bashkim Gazidede, i cili urdhëron mbylljen e shkollave në mbarë vendin, me afat të pacaktuar.

    – Data 2 Mars 1997: Gjeneral Gazidede, jep urdhër të mos botohen gazetat, për të mos publikuar krimet e pushtetit “Berisha”.

    – Data 2 Mars 1997: Në Kavajë, bastion i PD, mbi 5000 veta vullnetarisht armatosen për të mbrojtur qytetin nga një sulm i mundshëm nga bandat e armatosura.

    – Data 2 Mars 1997: Digjet me urdhër të Berishës, redaksia e gazetës “Koha Jonë”.

    – Data 2 Mars 1997: Studentët e Vlorës lëshojnë ultimatumin: “Nëse deri në orën 17:00 nuk plotësohen kërkesat tona, forca të armatosura nga Vlora, do të sulmojnë Tiranën”.

    – Data 3 Mars 1997: Sali Berisha vetëzgjidhet President i Republikës vetëm me votat dhe duartrokitjet e deputetëve të PD-së.

    – Data 3 Mars 1997 : Pas vetëzgjedhjes së Sali Berishës si President Republike, shpërthejnë revoltat në Vlorë dhe Tepelenë.

    – Data 4 Mars 1997: Ura e Mifolit bllokohet dhe minohet. Ngrihen kudo barrikada për të penguar hyrjen e ushtrisë dhe SHIK-ut. Që nga data 1 Mars, vriten 19 persona.

    – Data 4 Mars 1997: Në Shkodër, ushtria kapitullon dhe dorëzon repartet e depot ushtarake.

    – Data 4 Mars 1997: Në Sarandë, bandat patrullojnë detin me anijet e marinës, qyteti shpall autonominë, duke deklaruar se në këtë zonë banojnë 20.000 grekë.

    – Data 4 Mars 1997: Në Qafë-Gjashtë të Sarandës, një agjent i SHIK me emrin Gjergj Mehmeti digjet i gjallë, ndërsa njëri merret peng.

    – Data 4 Mars 1997: një efektiv me 50 ushtarë bashkohet me rebelët, 2 pilotë të Forcave Ajrore dezertojnë dhe shkojnë në Itali.

    – Data 5 Mars 1997: TV grek; Mega, mbështet thirrjen e Arben Imamit, për shkëputjen nga Shqipëria të Qarkut jugor Gjirokastër, duke transmetuar pamje të valëvitjes në Jug, të flamurit të Vorio-Epirit prej ushtrisë së “gjeneral” Arben Imamit.

    – Data 5 Mars 1997: Partia Socialiste i bën të ditur Presidentit Sali Berisha, platformën për zgjidhjen e krizës.

    – Data 6 Mars 1997: Shkaktari i luftës civile Sali Berisha, fton partitë politike të nënshkruajnë deklaratë, për të dënuar shpërthimet e depove dhe bëjnë thirrje për dorëzim të armëve.

    – Data 6 Mars 1997: Sulmohet Aeroporti Kombëtar i Rinasit nga fshatarë të zonave përreth.

    – Data 6 Mars 1997: Plaçkitet në mënyrë barbare Universiteti Bujqësor i Tiranës.

    – Data 6 Mars 1997: Me urdhër të gjeneral Arben Imamit, zhvillohet gjyqi popullor i 11 robërve të kapur në sheshin kryesor të Sarandës, punonjës të SHIK-ut dhe me origjinë veriore, dënohen me vdekje, por falen me qëllim që të shajnë Berishën në ekranet e TV-greke.

    – Data 7 Mars 1997: Dorëzohet divizioni ushtarak i Gjirokastrës, bien në duart e “ushtrisë popullore” 32 automjete ushtarake të mbushura me ushtarë, oficerë, armë e municione.

    – Data 8 Mars 1997: Presidenti Berisha organizon mbledhje me të gjitha partitë, lidhur me krijimin e qeverisë së re.

    – Data 9 Mars 1997: Dorëzohet pushtet-sundimi “Berisha”, formohet Qeveria e Pajtimit Kombëtar, me në krye Bashkim Finon, kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës.

    – Data 9 Mars 1997: Komiteti i Shpëtimit të Vlorës, përshëndet marrëveshjen e 9 marsit.

    – Data 10 Mars 1997: Në Gramsh rebelët sulmojnë godinën e policisë, drejtohen drejt Fierit dhe marrin kontrollin e rrugëve.

    – Data 10 Mars 1997: Në Kuçovë, komitetet marrin nën kontroll 19 aeroplanë luftarakë të tipit ;MIG;.

    – Data 11 Mars 1997: Persona të armatosur, sulmojnë repartet ushtarake në Kukës, drejtuesit e Divizionit të Kukësit kërkojnë leje nga Ministri i Mbrojtjes Zhulali, për të hapur zjarr mbi popullin dhe për të mbrojtur repartet.

    – Data 12 Mars 1997: Presidenti Berisha dekreton Qeverinë e Pajtimit Kombëtar.

    -Data 12 Mars 1997: Qytetarët e Kukësit braktisin qytetin, për shkak të një njoftimi, se ushtria serbe ka kaluar kufirin dhe po pushton Shqipërinë, me urdhër të Sali Berishës, vijnë dy tanke drejt vijës së kuqe të kufirit, të cilët sulmojnë doganën shqiptare të Morinit.

    – Data 13 Mars 1997: Presidenti Berisha dhe Kryeministri Fino, iu kërkojnë ndërkombëtarëve ndihmë ushtarake për zgjidhjen e krizës.

    – Data 14 Mars 1997: Dorëzohet Berisha, Franz Vranitski, emërohet për të zgjidhur krizën shqiptare. Në ekranin e TVSH, shfaqet thirrja: “Atdheu në rrezik”!

    – Data 15 Mars 1997: Rimerret kontrolli i Aeroportit të Rinasit. Parlamenti miraton; Qeverinë e Pajtimit Kombëtar. Krijohet Komiteti për Mbrojtjen e Durrësit. Fillon çarmatimi i bandave në Elbasan, 14 persona vriten nga të shtënat në Tiranë.

    – Data 16 Mars 1997: data 16 Mars, shpallet “Ditë Zie Kombëtare” në nderim të viktimave të rebelimit.

    – Data 17 Mars 1997: Presidenti Berisha dekreton amnistinë për 51 të burgosur.

    – Data 18 Mars 1997: Një Komitet për Shpëtimin e Veriut krijuar prej SHIK dhe PD, kërcënon qeverinë “Fino”, se nëse njeh komitetet e Jugut, do të përballet me sulme ushtarake në gjithë Veriun e vendit.

    – Data 19 Mars 1997: Zhvillohet në Tepelenë Kuvendi i Komiteteve të Shpëtimit Publik. Kërkohet vrasja e Sali Berishës, njoftohet marshimi drejt Tiranës për ekzekutimin e tij me motivin: “Kriminel i popullit-tradhtar i Shqipërisë”.

    – Data 21 Mars 1997: Greqia kërkon të futet në territorin shqiptar, me pretekstin e mbrojtjes së minoritarëve, deklarojnë se u ka dhënë leje Sali Berisha, por Berisha kërkon në media ndihmë ushtarake prej Turqisë.

    – Data 21 Mars 1997: Shefi i SHIK, Bashkim Gazidede, në seancë në parlamentare, akuzon qarqet greke anti-shqiptare, socialistët shqiptarë, ushtarakët dhe protestuesit anti-piramida, për situatën e krijuar.

    – Data 22 Mars 1997: Situata në Sarandë, Berat dhe Gjirokastër kontrollohet nga bandat e armatosura, në spitalin e Tiranës 40 fëmijë shtrohen me plagë të rënda nga eksplozivët.

    – Data 23 Mars 1997: Komitetet vendosin kontrollin mbi Portin e Durrësit, shteti largohet nga drejtimi i tij.

    – Data 24 Mars 1997: Që prej datës 12 mars, 46 persona kanë mbetur të plagosur dhe 3 kanë mbetur të vrarë në Kukës nga gjuajtjet me armë.

    – Data 25 Mars 1997: Vriten 3 policë në Vlorë. Në Sarandë bëhen përpjekje për të rivendosur rendin dhe ligjin. Vritet një polic në Burrel.

    – Data 26 Mars 1997: Ish-shefi i SHIK-ut Bashkim Gazidede, deklaron në Parlament, për një plan të qeverisë greke, i quajtur “LOTOS” që kishte qëllim “Çlirimin e Vorio-Epirit” nga sundimi shqiptar, me anë të një rebelimi të armatosur.

    – Data 26 Mars 1997: Sali Berisha akuzon qarqet greke në Greqi dhe SHBA, si dhe Nicholas Gage (person non-grata në Shqipëri dhe i akuzuar si financues i masakrës së Peshkopisë) si financuesit e këtij plani grek.

    – Data 28 Mars 1997: Në kanalin e Otrantos, një anije shqiptare sulmohet nga Marina italiane dhe fundoset, bilanci është 82 të vdekur.

    – Data 28 Mars 1997: Në fshatin Levan të Fierit, ndodh masakra më e madhe e ngjarjeve të 1997 me 24 persona të vrarë nga përleshjet midis arixhinjve dhe njërës prej bandave më të rrezikshme të vendit.

    – Data 28 Mars 1997: Bilanci i kësaj dite është mbi 110 të vdekur në mbarë vendin, Kombet e Bashkuara miratojnë rezolutën Nr. 1101 për ndihmë humanitare ndaj Shqipërisë.

    – Data 29 Mars 1997: Vriten 5 persona në Shkodër dhe 8 në Berat, 69 persona plagosen në Kurbin nga shpërthimet e bombave dhe goditjet me armë.

    – Data 31 Mars 1997: Shpallet Zi Kombëtare në nderim të viktimave të Kanalit të Otrantos. Qeveria italiane dërgon ngushëllimet e veta mbi tragjedinë.