Marrëveshjet kartel të prodhuesve të vajit për çmimin, boshatisin xhepat e shqiptarëve

    486
    Sigal

    Raporti i Konkurrencës: Vazhdon hetimi në tregun e vajit të lulediellit; TIA nuk zbaton kontratën e koncesionit për çmimet; Tregu i gazit të lëngshëm nuk reflekton uljet në çmimin e blerjes në atë të shitjes

    Raporti vjetor 2013-2014 i Autoritetit të Konkurrencës pasqyron edhe shqyrtimin e rasteve të marrëveshjeve të ndaluara në bazë të ankesave apo nismës së Autoritetit për ndalimin e sjelljeve antikonkurruese në formën e ndarjes së tregut, fiksimit të çmimeve, kufizimit të tregut dhe/ose të prodhimit apo vendosjes së kushteve të ndryshme për transaksione të njëjta, duke i vendosur disa palë në gjendje të pafavorshme konkurrence.

    Me kalimin e viteve, thuhet në raport, është rritur numri i ankesave për marrëveshje të ndaluara për shkak të rritjes së kulturës së konkurrencës kryesisht në bizneset dhe tregjet, ku janë zhvilluar monitorime dhe hetime të Autoritetit të Konkurrencës.

    Hetim i thelluar në tregun e importit/prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit lulediellit

    Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr.249, date 09.11.2012, mbi “Hapjen e hetimit të thelluar ne tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të vajit të lulediellit”, ka hapur hetimin e thelluar për të parë nëse ka kufizime të konkurrencës në këtë treg”. Rasti ka nisur pas një ankese nga një supermarket, në lidhje me njoftimin për rritjen e çmimit të vajit vegjetal në mënyrë të menjëhershme nga disa ndërmarrje.

    Inspektorët e Autoritetit të Konkurrencës kryen inspektime (Dawn Raids) në të njëjtën ditë dhe orë në të tre ndërmarrjet “Erbiron” Sh.pk, “Olim” Sha. dhe “Crystal” Sh.pk, për gjetjen e evidencave direkte dhe indirekte të një bashkëpunimi të mundshëm midis konkurrentëve, por gjatë këtyre inspektimeve nuk u gjet asnjë provë apo evidencë direkte dhe indirekte. Në këto kushte, u përdorën teknikat e analizës ekonomike me qëllim evidentimin e sjelljes së mundshme të bashkërenduar mes konkurrenteve, për fiksimin direkt apo indirekt të çmimit të shitjes, kufizimin e ofertës, ritmet dhe masën e ndryshimit të çmimeve mesatare të shitjes me shumicë në raport me çmimet e blerjes në tregun ndërkombëtar, ndarja e tregjeve dhe burimeve të furnizimit. Për analizën e konkurrencës në tregun përkatës, Sekretariati ka kërkuar informacion nga këto ndërmarrje dhe ka bashkëpunuar me institucionet publike si Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe INSTAT.

    Rezultatet e hetimit

    Nga analiza e trendit të ndjekur nga ndërmarrjet nën hetim rezultoi se: çmimet e shitjes me shumicë në disa raste, nuk kanë reflektuar në kohë uljet dhe kanë reaguar menjëherë ndaj rritjes së çmimeve të blerjes në tregjet ndërkombëtarë; ritmi i rritjes së çmimit të shitjes me shumicë për ndërmarrjet Olim, Erbiron janë më të larta se ritmet e rritjes së çmimit të blerjes në tregun ndërkombëtar; çmimet e shitjes me shumicë për ndërmarrjet Olim dhe Erbiron kanë të njëjtin trend.

    Analiza nëpërmjet teknikës ekonometrike tregoi se ekzistonte një lidhje pozitive korreluese midis çmimeve dhe se këto produkte janë zëvendësues të afërt. Nga kjo analizë rezulton se lidhja funksionale midis serive të çmimeve është lineare për çmimin e vajit Olim kundrejt çmimit me një ditë vonesë në kohë të çmimit të vajit të tregtuar nga ndërmarrja “Erbiron” sh.p.k dhe çmimit të vajit Crystal, gjatë periudhës objekt hetimi Janar- Tetor 2012. Pra, ndërmarrjet nën hetim “Erbiron” sh.p.k dhe “Olim” shfaqin tendenca të përafërta të rritjes së çmimit, të cilat tregojnë një nivel të ulët të konkurrencës në tregun përkatës, por që nuk përbën një evidencë të mjaftueshme për të provuar ekzistencën e një marrëveshje të ndaluar në kuptim të Ligjit 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Raporti i hetimit të thelluar iu dërgua palëve në hetim duke i vënë në dispozicion edhe dosjen hetimore për konsultim. Në zbatim të nenit 39 të Ligjit me datë 09.04.2013 është organizuar seanca dëgjimore me palët nën hetim përpara marrjes së vendimit përfundimtar.

    Vendimi

    Me Vendimin e Komisionit të Konkurrencës nr. 284, datë 13.05.2013 “Për mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të vajit të lulediellit ndaj ndërmarrjeve “Erbiron” sh.p.k”, “Olim” sh.a dhe “Crystal” sh.p.k., Komisioni Konkurrencës u shpreh se: ndërmarrjet nën hetim, “Erbiron” sh.p.k dhe “Olim” sh.a gjatë periudhës objekt hetimi shfaqin tendenca të përafërta të rritjes së çmimit,të cilat tregojnë një nivel të ulët të konkurrencës në tregun përkatës, por që nuk përbën një evidencë të mjaftueshme për të provuar ekzistencën e një marrëveshje të ndaluar në kuptim të Ligjit 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

    Me këtë vendim është ngarkuar Sekretariati të vazhdojë monitorimin e tregut të prodhimit, importit dhe shitjes me shumicë të vajit të lulediellit, pasi gjatë hetimit ndërmarrjet kanë patur tendenca të përafërta të rritjes së çmimit.

    Monopoli/Kompanitë e fluturimit me kosto të ulët nuk hyjnë dot në Shqipëri nga mungesa e një aeroporti të dytë

    Gjatë gjysmës së parë të vitit 2013, përfundoi procesi i monitorimit të tregut të transportit ajror të pasagjereve dhe raporti përkatës u dërgua për mendim pranë Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Organit Shtetëror të Autorizuar, si dhe u organizuan takime në nivel ekspertësh me institucionet respektive, opinionet e të cilëve u reflektuan në raport.

    Konkluzionet kryesore të raportit janë:

    •Tregu i transportit ajror të pasagjerëve është i përbërë nga dy shërbime bazë, të cilat janë plotësues të njëri-tjetrit: shërbimi i ofruar nga aeroporti ose shërbimet aeroportuale dhe shërbimet e ofruara nga kompanitë ajrore, të cilat realizojnë lëvizjen e udhëtarëve. Këto shërbime rregullohen nga entet rregullatore, sipas specifikave dhe detyrave përkatëse.

    •Shërbimet aeroportuale ofrohen për shoqëritë ajrore vetëm nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, kështu që TIA është i vetmi operator në tregun e shërbimeve aeroportuale, pra ka pozitë dominuese në këtë treg dhe kompanitë ajrore nuk kanë mundësi tjetër zgjedhjeje për të përfituar këtë shërbim. Kompanitë “low cost” të njohura për ofrimin e shërbimeve me kosto të ulët nuk mund të hyjnë në tregun e fluturimeve në Shqipëri, pasi nuk mundësohet ofrimi i shërbimit aeroportual nga një aeroport dytësor, apo me kosto të ulët.

    •Tarifat e aeroportit “Nënë Tereza” kanë ndryshuar për herë të fundit në vitin 2007, sipas Ligjit të Koncesionit tarifat duhet të ndryshojnë çdo tre vjet, pra ka kaluar afati i ndryshimit apo rishikimit të tarifave që duhet të kryhej në vitin 2010 dhe 2013.

    •Për tarifat që aplikon aeroporti nuk ka një metodologji apo rregullore të aprovuar nga Organi Shtetëror i Autorizuar. Tregu i shërbimeve aeroportuale është me një operator të vetëm, në kushtet e mungesës së konkurrentëve duhet që rregullatori të ndikojë në rregullimin e tarifave duke i orientuar ato drejt kostos, me qëllim që të parandalohet abuzimi me pozitën dominuese në treg.

    Ndërmarrje me pozitë dominuese në tregun e gazit të lëngshëm

    Monitorimi i tregut të importit dhe tregtimit më shumicë të gazit të lëngshëm ka qenë një procedurë e cila ka disa vite që është pjesë e punës së Sekretariatit. Nga analiza e indikatorëve të konkurrencës për tregun e importit të gazit për vitin 2012 rezultoi se:

    •Struktura e tregut të gazit, paraqet ndryshime të rëndësishme pasqyruar në sigurimin e ofertës së lartë të gazit të importuar nga një ndërmarrje e vetme. Ndërmarrja kryesore zotëron 53% të tregut të importit, pjesë kjo më e madhe se e tre ndërmarrjeve e tjera në radhë, duke e klasifikuar si ndërmarrje më pozitë dominuese në treg. Ndërmarrjet e tjera në treg pasqyrojnë ndryshime të theksuara të pjesëve që zotërojnë në treg, gjë e cila tregon për një konkurrencë të fortë mes tyre.

    •Rezulton ulje e numrit të ndërmarrjeve importuese, konkretisht gjatë vitit 2012 kanë realizuar importin e gazit të lëngët 13 ndërmarrje nga 19 që kanë operuar gjatë 2011.

    •Nga analiza e treguesve të çmimit rezultoi se çmimi i shitjes me shumicë të gazit nga 4 ndërmarrjet me të mëdha në tregun e importit të tij, ndjek trendin e çmimit mesatar mujor të blerjes së gazit. Nuk ka çmime të njëjta të shitjes së gazit nga ndërmarrjet e analizuara. Në çmimin e shitjes më pakice nuk janë reflektuar uljet e konstatuara në çmimin e blerjes së gazit të lëngshëm.

    •Zhvlerësimi i monedhës vendase ndaj asaj amerikane ka sjellë një efekt rritës në masën 3.8 % të çmimit.

    Për sa më sipër, është menduar që monitorimi në vazhdim i tregut të gazit të fokusohet në vlerësimin e strukturave të ndërmjetme të shitje së gazit, të cilat nuk kanë qenë pjesë e monitorimeve të deritanishme. Analiza e kësaj strukture ka hasur në vështirë për shkak të mungesës së të dhënave të sakta. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) është kërkuar lista e subjekteve të cilat operojnë në tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë të gazit të lëngshëm, por nga databaza e DPT, subjektet që shesin gaz të lëngshëm kodifikohen me të njëjtin kod si të gjitha subjektet që shesin karburante dhe lëndë djegëse duke na krijuar vështirësi në evidentimin e ndërmarrjeve objekt monitorimi.