Marrëveshja me CEZ/ Kopac: Zgjidhje e kënaqshme për të dy palët

632
Drejtori i Sekretariatit të Energjisë Janez Kopac, deklaroi të hënën se Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mbështeti arritjen e marrëveshjes mes kompanisë çeke ÇEZ dhe qeverisë shqiptare, ndërsa komentoi se ajo jepte një zgjidhje të kënaqshme për të dy palët. Duke prezantuar raportin e këtij sekretariati para komisionit të veprimtarive prodhuese në Kuvend, Kopac tha se Sekretariati i i Komunitetit të Energjisë është i lumtur që kjo çështje u zgjidh sepse i gjithë vendi mbetej peng i kësaj mosmarrëveshje të pazgjidhur. Sipas tij, ishin penguar të gjitha reformat dhe çdo investim potencial nga jashtë. Procedura e arbitrazhit, vijoi ai, zakonisht zgjat 10 vite. “I gjithë vendi do të kishte mbetur peng për 10 vite”, deklaroi Kopac.

Ne, vijoi Kopac, si Sekretariat ishim shumë të përfshirë në këtë çështje dhe marrëveshja përfundimtare mes CEZ-it dhe qeverisë është nënshkruar në zyrën time.
Sipas tij, arritja e marrëveshjes ishte kusht nga Çekia për dhënien e votës pro për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në BE. “Pas arritjes së marrëveshjes Çekia hoqi veton. Marrëveshja ishte përfekte për të dy palët. Kjo ishte një marrëveshje kompromisi dhe sigurisht duhet të ketë diçka për të dy palët. Çështja ishte shumë e komplikuar. Janë zhvilluar 10 raunde negociatash dhe kjo është zgjidhur në mënyrë të kënaqshme për të dy palet dhe tani jam shumë i pakënaqur që kjo çështje është hapur përsëri. Ju duhet të jeni të kënaqur që kjo çështje u mbyll”, deklaroi Kopac.

I pyetur nga deputetë të komisionit mbi një qëndrim rreth çështjes së DIA-s, Kopac tha DIA nuk ka të bëjë me marrëveshjen mes CEZ-it dhe Shqipërisë. “Ne merremi vetëm me çështjet e energjisë dhe jo të biznesit. S’ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e komitetit të Energjisë”, deklaroi Kopac. Sa i takon hetimit, Kopac u shpreh se nëse nuk ka besim në vend, mund të kërkosh hetim jashtë vendit. Duke folur për zhvillimet në sektorin e energjisë në vend, Kopac tha se përmirësimi i statistikave dhe rritja e efiçencës së energjisë janë dy sugjerimet e Sekretariatit të Energjisë. “Përmirësimi i statistikave, dhe e dyta që është dhe më e rëndësishmja, rritja e efiçencës së energjisë, ta përdorni në mënyrë më efikase. Sigurisht që mund të mos keni nevojë për aq shumë import energjie, që sigurisht nuk është energji e rinovueshme. Me këto masa mund të kuptoni që do të jetë më pak e nevojshme përdorimi i energjisë së importuar dhe të përdorni energjinë ekzistuese në mënyrë efikase”, tha Kopac.

Duke prezantuar këtë raport, Kopac tha se sektori i energjisë në Shqipëri ka pasur ndryshime pozitive, por nevojitet një fond për efiçencën e energjisë. Shqipëria, tha ai, ka potencial për energjinë e rinovueshme. Ndërsa duke u ndalur në situatën në vend, Kryetari i Komisionit të veprimtarisë, Eduart Shqalsi tha se kemi hartuar disa ndryshime në ligjin për funksionimin e Entit Rregullator të Energjisë ku kërkohet që titullarët er ERE-s të përjashtohen nga statusi i nëpunësit civil. Synojmë që ky ent i rëndësishëm të funksionojë larg lojrave politike apo interesave të ngushta politike.
Sigal