Marko Bello: Njerëzit do t’i kthejnë shpinën kësaj politike, nëse nuk pastrohet nga të inkriminuarit dhe të korruptuarit

451
Sigal

Ish deputeti socialist Marko Bello, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke analizuar fenomenin “CIPRA”, pohon se kjo fitore e së majtës radikale, kundër sistemit politik aktual, ka ngjallur entuziazëm të grupimet ekstreme të majta. Sipas zotit Bello, “Fakti që në Shqipëri ka mungesë të theksuar të përgjegjësisë politike, dëshmon jo vetëm arrogancën e pushtetarëve, por edhe kulturën e pakët demokratike nga ana e zgjedhësve”. “Dekriminalizimi dhe pastrimi i politikës nga të inkriminuarit, arrogantët, të korruptuarit, nuk është një slogan, por një imperativ që duhet marrë seriozisht. Ndryshe, Shqipëria do të lëngojë në një tranzicion që nuk mbaron..”, shpreh bindjen e tij ish-deputeti Bello. Por kjo politikë,  shton zoti Bello, do të bëjë që njerëzit t’i kthejnë shpinën kësaj politike, dhe SYRIZA shqiptare nuk do të vonojë të vijë.

– Zoti Bello, fenomeni SYRIZA a mund të sjellë një përmbysje të statuskuosë politike të socialdemokracisë, kështu siç e njohim deri tani, ku fasadën politike e ka të majtë, ndërkohë në qeverisje zbaton gjithnjë politika sociale të së djathtës.

– Fitorja e Syriza-s në Greqi ka ngjallur reagime dhe ka gjetur pasqyrim në të gjitha mediumet e botës. Kjo edhe për vetë situatën e vështirë, në të cilën gjendet vendi fqinj, por me siguri shumë më tepër për mënyrën sesi kjo parti e spektrit të majtë kërkon të zgjidhë problemet e borxhit me institucionet financiare dhe vetë BE. Nga ana tjetër, Tsipras dhe koalicioni që qeveris tani Greqinë, duket se do të shërbejnë si shembull për t’u ndjekur edhe nga grupime të tjera politike të ngjashme në Spanjë e vende të tjera të Bashkimit Europian, të cilat kërkojnë një tjetër qasje të Unionit sa i përket krizës, por edhe një politikë të jashtme ndryshe, të paktën sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë. Krahas dyshimit dhe një farë maturie që vihet re në disa kancelari europiane, që drejtohen nga e djathta, duhet thënë se fitorja e Syrizës ka ngjallur entuziazëm tek grupet e ekstremit të majtë, të cilat janë kundër politikave liberale dhe masave shtrënguese që ka adoptuar burokracia e Brukselit, nën dirigjimin e Gjermanisë. Është ende shpejt të flitet nëse “amoku” Syriza do të kaplojë kontinentin, apo vetë Tsipras do të heqë gradualisht dorë nga një pjesë e programit elektoral, duke fituar më shumë kohë nga Brukseli për afatin e pagesës së borxhit.

–  Përse politika jonë reagoi keq, madje deri aty sa e cilësoi Ciprën edhe antishqiptar?

– Nga sa kam konstatuar, vetëm LSI dhe Ilir Meta kanë reaguar pozitivisht dhe kanë përshëndetur fitoren e kësaj partie. PS dhe Edi Rama janë përpjekur të duken disi indiferentë, ndërsa heshtja e opozitës së djathtë nuk është e vështirë të merret me mend. Ajo që të habit disi, është reagimi i vakët i qeverisë shqiptare, e cila ndoshta i druhet përsëritjes së të njëjtit fenomen në krejt Ballkanin, çka do të thotë ditë të vështira për socialdemokracinë dhe të ardhmen e saj. Humbja katastrofike e PASOK-ut vërteton pikërisht frikën që po përjetojnë partitë socialdemokrate, të pagëzuara të majta.

–    A ka substancë akuza dhe kundërakuza maxhorancë-opozitë, me sfond krimin dhe drogën, dhe a ndihmojnë këto në zgjidhjen e problemeve e ngërçeve politike?

– Është fatkeqësi kjo që ndodh në Shqipëri, ku forcat politike akuzojnë njëra-tjetrën nga mëngjesi deri në mbrëmje, sa për t’i hedhur hi syve qytetarëve, por njëlloj si korbat, bëjnë kujdes që të mos ia nxjerrin sytë njëra-tjetrës. Nuk besoj se ka vend të dytë në planet ku politika luhet në mënyrë kaq të rëndomtë e të pështirë, pa e vrarë mendjen për të ndërmarrë reforma reale që do të hapnin perspektiva reale për zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Bota e qytetëruar ka derdhur gjak e shumë djersë për të garantuar siguri dhe mirëqenie për qytetarët, duke sanksionuar në Kushtetutë disa të drejta të patjetërsueshme, si e drejta për jetën, punën, pronën, familjen, liritë e shprehjes dhe fshehtësinë e votës, korrespondencës etj. Ndërsa tek ne, po provohet përjashtimi dhe jo rregulla, pra theksi po i vihet represionit, burgimit, goditjes, shkatërrimit dhe fare pak ndërtimit, punësimit, strehimit, shkollimit dhe edukimit.

–  Ju si e shpjegoni që në Shqipëri, edhe për skandale që ndodhin kaq flagrante, ende nuk ka në asnjë rast përgjegjësi politike?

– Si në çdo vend demokratik, edhe tek ne, përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të akuzosh në bllok, siç bëjnë forcat politike. Duhet të dallojmë akuzat politike nga ato penale, ashtu sikurse përgjegjësitë ligjore, nga ato politike dhe morale. Fakti që në Shqipëri ka mungesë të theksuar të përgjegjësisë politike, dëshmon jo vetëm arrogancën e pushtetarëve, por edhe kulturën e pakët demokratike nga ana e zgjedhësve. Duket se partitë politike janë mësuar me premtime të ekzagjeruara, sa për të marrë votat dhe pastaj i kthejnë shpinën elektoratit. Ka ardhur koha që njerëzit të maten mirë kur votojnë, të mos nguten kur hedhin fletën e votimit, se pastaj u duhet të presin 4 vite sa të vijnë zgjedhjet e radhës. Duhen ndëshkuar të gjithë politikanët mashtrues, që abuzojnë, sillen në mënyrë arrogante dhe pasurohen nga një palë zgjedhje në tjetrën. Dekriminalizimi dhe pastrimi i politikës nga të inkriminuarit, arrogantët, të korruptuarit nuk është një slogan, por një imperativ që duhet marrë seriozisht. Ndryshe, Shqipëria do të lëngojë në një tranzicion që nuk mbaron.

–  Kësisoj, a mund të pretendojnë, qoftë maxhoranca, qoftë opozita, që me këto acarime të klimës politike, jemi në rrugën e normalitetit e të progresit të integrimit?

– Duhet të dallojmë luftën politike, në kuptimin e një debati politik të shëndetshëm që i bën mirë demokracisë, nga gërr-vërret dhe sherret bajate që e tjetërsojnë misionin e politikës, për të qeverisur me dhe për qytetarët. U bënë më shumë se dy dekada që politika shqiptare i ka bishtnuar misionit të saj kryesor, duke e lodhur votuesin me zënka bajate, duke tërhequr në kurth edhe mediat, të cilat i japin shumë hapësira dhe kohë politikës shterpe dhe pa thelb. Nuk do të jetë e largët dita kur njerëzit do t’ia kthejnë shpinën kësaj politike dhe kësaj medie. Nuk është rastësi që rrjetet sociale po fitojnë terren kundrejt mediave, që i bëjnë fresk politikës dhe politikanëve, ashtu sikurse monopoli i partive të mëdha do të kërcënohet seriozisht nga dalja në skenë e partive apo grupimeve që do të përfaqësojnë realisht interesat e shumicës së elektoratit. “Syriza shqiptare” nuk ka për të vonuar..

Duhet një Drejtori brenda Prokurorisë së Përgjithshme, që të bëjë hetime për afera korrupsioni

–     Nëse politika nuk nxjerr përgjegjësitë dhe përgjegjësit për  këto raste, a mund të kultivojë kjo politikë besimin e qytetarëve për shtetin?

– Korrupsioni është sot një fenomen shqetësues edhe për vende me demokraci të konsoliduar, por në këto vende, ndryshe nga sa ndodh tek ne, korrupsioni luftohet seriozisht, ndërsa ata që abuzojnë me funksionet publike, ata që pasurohen në kurriz të qytetarëve dhe që shkelin ligjin, përfundojnë prapa hekurave pa pikë mëshirë. Sigurisht, në bazë të provave dhe një procesi të rregullt ligjor. Korrupsioni nuk luftohet me fjalë, as me programe, por konkretisht. Politika ka përgjegjësi për reforma dhe iniciativa ligjore që do të përmirësonin funksionimin më të mirë të sistemit në të gjitha hallkat e tij. Duhen masa parandaluese dhe ligjzbatuese, struktura elastike dhe fonde përkatëse. Nëse zbatohet ligji, pra nëse kontrolli mbi zbatimin e ligjit është efikas, nuk ka nevojë të hapen burgje të reja, pasi do të ngushtohen edhe hapësirat për abuzim. Nga ana tjetër, gjyqësori dhe trupat gjyqësore duhet të ndëshkojnë pa hezitim këdo shkel ligjin, pa lejuar asnjë politikan të ndërhyjë në tejkalim të ligjit. Duhet një njësi speciale, një Drejtori brenda Prokurorisë së Përgjithshme, e ngarkuar që të bëjë hetime për afera korrupsioni edhe kryesisht, si dhe të ngrejë akuza para gjykatave për cilindo funksionar publik, që nga Presidenti, kryeministri, ministrat, deputetet, gjyqtarët e prokurorët që “tallen” me ligjin. Ligji është i shenjtë dhe para tij të gjithë duhet të jenë të barabartë. Shoqëria shqiptare e ka humbur besimin, sa kohë që asnjë prej “peshqve” të mëdhenj nuk ka ngecur në rrjetën e drejtësisë.

  – Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA