Mark TOPOLLAJ/ Si lindi lëvizja e dhjetorit dhe pardesytë e bardha

    72

    *kinoregjizor

     Dhjetor i vitit 1990. Binte shi. Ishte ftohtë. Sistemi komunist prodhoi konsekuenca të mëdha. Kjo do të thotë një përplasje ballë për ballë e dhemb për dhemb me mëkatarët.

    Një goditje e ndërsjellë dhe radikale. Kështu duhet të ishte, por revolucioni demokratik ishte universalmente konfuz. Ekuilibri i revolucionit kërkohet në rrugën e Katovicës dhe zhvillohet nën ideologjinë e ideve komuniste. Kjo teori e re e moslëshim të pushtetit do t’i vendosë demokratët përsëri mbi arkivolin e kombit si kompensim i zhvillimit të kryelartësisë kombëtare.

    Konsekuencat nuk merren parasysh. Qëllimi justifikon mjetin. Mjeti ishte pardesyja e bardhë.

    Binte shi. Në dhjetor nata vjen shpejt. Ambienti i jashtëm te godinat e studentëve ishte me baltë, një baltë që nuk të shkitej nga këpucët. Këtë llucë e ndihmonte popullsia e Tiranës, që ishte prezent gjithë ditën. E mira dhe e keqja tashmë janë përballë njëra-tjetrës të vendosur në sferën e të drejtës dhe të lëvizjes demokratike. Sali Berisha fliste me këmbë e duar me disa studentë që e kundërshtonin. Liria e secilit nga ne është e vendosur përballë drejtësisë së instancës  supreme, e ky është presidenti.

    Njëri nga studentët i përgjigjet: Edhe e keqja është një vullnet pozitiv që është përballë së mirës dhe kur ndodhet përballë drejtësisë, instancës supreme del i pafajshëm, pra këto mendime si pikë vështrimi kanë utopinë politike. Kjo nuk mund të quhet perspektivë e fitores.

    “- Jo nuk desha të them këtë….”

    Unë isha me Zef Brozin dhe disa pedagogë pak më larg. Zef Brozi ishte përkrahësi dhe organizatori i studentëve në revolucionin demokratik.

    U bë natë, rrugën për në shtëpi e bëra me Sali Berishën. Shiu nuk pushonte. Këmbët i kishim të lagura. As njëri, as tjetri nuk kishim çadër. Ashtu të lagur e të lodhur ecnim pa folur. Heshtjen e prishi Saliu.

    “- Partinë e kemi jashtë”.

    “- Jo i thashë. Ajo është në zemrën e çdo shqiptari.”

    “- E thashë për një zyrë, ku të mblidheshim e të punonim”.

    “- Shpejt ka për të ardhur edhe ajo”.

    Në këtë moment na del përpara regjisori i mirënjohur Dhimitër Anagnosti. Ai kishte çadër dhe këpucët e thata.

    “- Hajde i thashë. Ktheu se tani është natë e nuk takon njeri”.

    “- Jo, jo do të shkoj se e kam bërë zakon, çdo natë dal tek qendra e studentëve.”

    Ne vazhduam rrugën për në shtëpi.

    “-Sa lek ke në xhep, më pyeti Saliu. Mbasi kontrollova xhepat, i thashë: Pesëmbëdhjetë lek”.

    “- Edhe unë pesëmbëdhjetë kam. A marrim nga një byrek?”

    Byreku ishte i nxehtë dhe na shijoi shumë.

    “- Ikim, se kjo palltoja ime është rënduar shumë”, i thashë.

    “- Unë do të kthehem tek shtëpia e Gramoz Pashkos. Pasi u mendova pak, i thashë një përgjigje ashtu si më erdhi.

    “- Doktor, andej nga Mirdita thonë: “”Mashkulli i Gjinkallës këndon vetëm një verë”.

    “- Vera nuk ka ardhur akoma, dhe iku. Ishte ora kur mblidheshin komunistët. Pashë duke hyrë tek shtëpia e Gramozit, Genc Ruli, Arben Imami, Sali Berisha e të tjerë.

    Një erë e lehtë e verilindjes paralajmëronte shtrëngatë, ashtu i lodhur u nisa dalëngadalë për në shtëpi. Në kokë më vinin lloj-lloj mendimesh. Fëmijët i gjeta në gjumë. Mbasi u ngroha u ula për të ngrënë diçka. Byreku ma kishte prerë oreksin. Mendimet po më lodhnin shumë. Thëniet mund të jenë të shumta dhe të rënda, mund të jenë të rreme dhe të pa vërtetueshme, e vërteta dhe e arsyeshmja janë të mohueshme. Thonë se politikanët mbahen udhëheqës për të verbrit, edukatorë për të paditurit. Predikojnë të mos vidhet, por nuk është e sigurt ndershmëria e tyre. Përdorin pabesinë për të vlerësuar besnikërinë. Pra në revolucionin demokratik shqiptar po përgatitet e keqja që të vijë rezultati i Katovicës. Dyshimet e mia ishin të hershme, se brenda lëvizjes demokratike kishte hyrë veprimtaria psiko-historike. I nisur nga konteksti historiko-social, në kohën tonë dhe në qoftë se jemi në gjendje të shpjegojmë bëmat e Holokaustit, duhet të pranojmë se në Partinë Demokratike diçka po ndodh.

    Për të mos u përsëritur kultura e zverdhur e mendimit kombëtar duhej të bëhej analizë e hershme e kryesisht në momentet historike e sociale që ka kaluar shoqëria Shqiptare.

    Personazhe të tillë japin efekte katastrofike sepse më shumë se kushdo janë të prirur nën pushtetin e mëkatit dhe të shkatërrimit. Unë jam i zhytur në një hutim të lumtur.

    A kemi ne si popull arsye që të lartësohemi me popujt e kulturuara të Europës?

    Pa dyshim që po, mjafton të njohim e të zbatojmë ligjin, si bazë themelore e qytetërimit modern. Sali Berisha çdo veprim njerëzor në lëvizjen demokratike e quante si meritë të tij, dhe ato mendime që ishin në këndvështrim me orientimet që kishte marrë nga Ramiz Alia i kundërshtonte.  Pra luante rolin e kryetarit pa qenë kryetar. Ai nënvizonte se “demokracia në Shqipëri është pastrimi i thonjve të përgjakur të komunizmit” mendime bombastike.

    Në këto rrethana lindi “Berishizmi”, një fenomen primitiv aq dhe historik që na erdhi nga mbeturinat e komunizmit dhe u bekua nga analet e UDB-së. Kjo e bën “Berishizmin” një fenomen kompleks. Ai u zhvillua shumë shpejt dhe krijoi një pamje tronditëse sepse u fekondua dhe nga forcat shpirtërore e Helenizmit shovinist Grek. “Berishizmi” është stimuluar edhe nga korentet fetare orientale, këtu e ka burimin krimi ose kultura e thikës pas shpine. “Berishizmi” është vendosur si një konsideratë ekstreme për të thërrmuar kulturën dhe për të tronditur popullin e vet. Interpretimi i “Berishizmit” primitiv prezantohet si një mundësi e  re zhvillimi por e vërteta shpalos vulgaritetin e një kaosi total. Një politikan xheloz i cili në ngjyrën plumb të qiellit po merr për dore vallen e dhimbjes shqiptare. Në krye të kësaj dhimbje pozon si një romak i rilindur dhe i vetëdijshëm në kuptimin e moslënies së pushtetit. I shkreti, nuk është në gjendje ta kuptojë se faraonët dhe krokodilët e mëdhenj lindin në Lumin Nil.