Marjana Leka:Po krijohet një kulturë për operën“Madam Baterfly” e Puçinit, “Traviata” e Verdit dy nga rolet më të vështirë

717
Sigal

INTERVISTA/ Flet sopranoja e TOB-it, Marjana Leka: “Toska” një rol shumë i vështirë, por edhe shumë i bukur

Ka mbi 24 vjet që interpreton si soliste në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Ka interpretuar Violetën tek “Traviata” e Verdit, Lejlën tek “Peshkatarët e perlave” të Bizesë, Xhildën tek “Rigoleto” e Xhuzepe Verdit, Zerlinën tek “Don Giovanni”  Moxartit, Sofian, te  Bruschino” i Rosinit, Michaelen tek “Carmeni” i Bizesë, Fiordiligin tek “Cosi fan Tutte” i Moxartit, Mimin tek “La Bohem” e Puçinit, Madam Baterfly e Puçinit, Otello roli Desdemonës, Normën e Belinit, Adinen e Donixetit, Suzanën tek “Martesa e Figaros” së Moxartit dhe Clarisën tek “Il mondo dell luna” e Haydenit dhe së fundi Toskën e Puçinit. Të gjitha role të bukura dhe tepër të vështirë,  por edhe interpretimet e saj solistike në koncertet ku ka interpretuar “Stabat Mater” të Pergolezit, të Rosinit , “Requieme” të Moxartit, “The Messsiah” të Handelit etj., janë të përkryera.

Disa nga çmimet kombëtare dhe ndërkombëtare, që ka fituar sopranoja Marjana Leka:

  • Çmimi i dytë ne Konkursin Kombëtar të këngëtarëve lirikë Tefta Toshko, 1984.
  • Çmimi Katia Riççiareli, Itali 1992. Pas këtij çmimi specializohet në Itali pranë Katia Riççiarelit.
  • Çmimi i parë në konkursin ndërkombëtar të Operës italiane zhvilluar në Gjermani 1996.
  • Çmimin e parë “Marije Kraja në Festivalin Operistik në Tiranë 1999,
  • Çmimin “KULT” 2005 si këngëtarja më e mirë lirike për vitin 2005.

   Këtë radhë në skenë me Toskën e Puçinit. Si është ky rol për ju?

 Është  një rol shumë i vështirë, por edhe shumë i bukur.  Për mua ky rol do të jetë premierë pasi nuk e kam kënduar asnjëherë këtë vepër. Pra e këndoj  për herë të parë ndaj dhe e pres me shumë emocione dhe me kënaqësi njëkohësisht pasi është një rol që  më ka mobilizuar. Nga ky këndvështrim mendoj se do të bëjë përshtypje në publik.

Ju thatë që është rol i vështirë. Atëherë, cilët janë disa nga vështirësitë e këtij roli?

Vështirësitë vokale dhe interpretative. Është një oper që ka kurba. Sidomos akti i dytë i Toskës është një dramë e vërtetë që e bën shumë të vështirë këtë rol.

Çfarë përfaqëson në vetvete Toska?

Një  vajzë sa koketë dhe e dashuruar, po aq dhe një vajzë që sakrifikon shumë për dashurinë e saj deri në vdekje. Ajo është një femër shumë posesive, që e do  në maksimum Maroin, e do vetëm për vete. Ajo dashuron pastër, por ethshëm. Është një femër idealiste, që kërkon të finalizojë dashurinë e saj.

Keni realizuar shumë role, cili ka qenë roli më i vështirë për ju?

Secili rol ka vështirësinë e vet, ka të veçantat e tij, por unë do të veçoja “Madam Baterfly” e Puçinit, “Traviata” e Verdit janë dy nga rolet më të vështira. Këtu flitet për Opera me përmasa botërore, që kur vihen në skenë duhet të jesh e kompletuar. Këto dy role kanë lënë shumë gjurmë tek unë. Këto njihen si role të vështirë kudo në botë.

 Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenën e TOB dhe si jeni ndjerë?

Roli i parë ka qenë roli i Violetës tek “Traviata” e Verdit. Ishte viti 1989. Unë sapo kisha mbaruar shkollën. Ishte një rol tepër i vështirë për mua. Një rol që vërtet të mbërthen. Emocionet ishin të patreguara. E kupton çdo të thotë dalje për herë të parë me një rol kaq të madh? Ishte me shumë përgjegjësi. Por doli një shfaqje shumë e bukur që vendosi çdo gjë për mua. Pra, ai rol mund të ishte dështimi im ose vazhdimi me sukses. Triumfoi e dyta.

Që të arrinit deri në këtë dalje kush ishte nxitësi apo zbuluesi i zërit tuaj?

 Mendoj se isha vetë që pëlqeja zërin tim. Këndoja vazhdimisht dhe sa herë dëgjoja opera filloja interpretimin. Por duhet të them se në këtë kohë, unë kam pasur dajon në TOB në kor dhe ai duke parë zërin tim më çoi tek një kolegu i tij Xhoni Athanas që më dëgjoi  për herë të parë. Unë këndova disa pjesë dhe ai duke më dëgjuar me vëmendje më tha se ke një zë shumë të bukur dhe duhet të vazhdosh punën për soprano. Pas atij momenti unë brenda vetes vendosa se do të vazhdoj këtë rrugë.

Jeni penduar që keni zgjedhur këtë rrugë?

Absolutisht jo. Ishte dëshira, ishte prirja ime, dhuntia ime që më detyruan të ecja në këtë rrugë. Kur kthej kokën pas kurrë nuk them se kam gabuar. Kam zgjedhur profesionin e zemrës, të asaj që ishte brenda meje.

Sa e vështirë është të jesh sot artiste?

Është shumë e vështirë, pasi kërkon shumë sakrifica, shumë punë. Nuk është e lehtë. Sa e bukur është skena, kur këndon por është po aq e vështirë deri sa të dalësh dhe të këndosh. Skena pa pune paraprake është një ngrehinë që ose të zbeh ose të bën madhështor.

Keni ndonjë peng deri tani?

Them se jo. Kam qenë me fat. Këtë e them se kam kënduar vepra, kryevepra dhe role shumë të mëdhenj. Kam akoma rrugë të gjatë dhe mendoj se edhe ndonjë peng të rastit do ta kapërcej.

A e ka gjetur  femra shqiptare veten në këtë shoqëri plot probleme?

Them se jo plotësisht. Duhet akoma punë dhe kohë për ta gjetur. Nga njëra anë duhet më shumë këmbëngulje nga ana e femrës dhe nga ana tjetër  ajo duhet të gjejë mbështetjen e politikës.

Kjo mbase vjen se shoqëria shqiptare është maskiliste?

Sigurisht. Kjo është njëra anë. Shoqëria shqiptare duhet të emancipohet më shumë.

Cilët janë këngëtarët operistikë më të pëlqyer nga ju?

Në botë idhujt e mi janë: Maria Kalas,  Anxhela Georgiu, ndërsa në Shqipëri po t’i marr që nga brezi i vjetër Maria Kraja, Nina Mula,  Ramiz Kovaçi, Gaqo Çako, Inva Mula e shumë të tjerë…

Shkolla shqiptare e operistikes a është në nivelet e atyre evropiane?

Në fakt them se kemi një shkollë kantoje shumë të mirë pasi nga ajo ka pasur prurje shumë të mira. Shumë nga këngëtarët lirikë që kanë dalë nga shkolla jonë kanë çarë nëpër botë.

Vetëm një TOB në Shqipëri, a është e mjaftueshme kjo?

Nuk është e mjaftueshme, por këto janë kushtet e Shqipërisë

A është krijuar kultura për ndjekjen e operës në Shqipëri?

Mendoj se deri në një farë mase. Dua të them se për çdo vit ne po e rrisim audiencën. Pra është rritur interesi për operën pasi janë luajtur opera nga më të bukurat të autorëve të mëdhenj si Puçini, Verdi, vepra gjermane, vepra franceze etj.. Por ka dhe njerëz që vijnë edhe për kuriozitet.

Këtë radhë do të jeni përkrah një tenori italian, si ndiheni?

 Po është përgjegjësi, por me Leonardo Gramenjën  kam pas  raste të luaj dhe herë tjetër, pasi me të kam lozur rolin e Dezdemonës tek Otello, prandaj e njoh mirë si tenor tepër special, që të bën të ndihesh e sigurt në skenë qoftë vokalisht qoftë skenikisht.