MARGËLLIÇI i Çamërisë, zemra e sanxhakut të Prevezës

    714
    Sigal

    Margëlliçi ishte vendi i zengjinëve më të mëdhenj të Çamërisë

     Margëlliçi ka qenë kryeqendra e sanxhakut të Prevezës. Në lindje, kufizohet nga mali i Kladhit, në jug me fshatin Karakar (fshat i vogël, i përbërë me 20 shtëpi), në perëndim me fushën afër fshatit Luarat, ndërsa në veri kufizohet me fshatin Vrastovë. Ekzistonin katër lagje kryesore, të cilat njiheshin me emrat e vendeve që ishin vendosur. Në lindje të qytetit, në faqen e malit, gjendej mëhalla “Shkallë”; në pjesën jugore ishte lagja “Trap”, e emërtuar e tillë për shkak të shtëpive të përqendruara, vendosur në një gropë; lagjja “Sulltan Bajazit” e pjesës perëndimore të qytetit, shquhej për familjet intelektuale dhe patriotike; ndërsa mëhalla “Piri Pasha” në veriperëndim të qytetit, fillimisht ishte e banuar vetëm nga popullsi e krishterë, më pas, një pjesë e madhe e saj, u islamizua. Margëlliçi ishte vendi i zengjinëve më të mëdhenj të Çamërisë, me shumë pronarë, të pasur me çifligje dhe kullota. Kulturat bujqësore që prodhoheshin ishin gruri, misri dhe orizi në fushën e Frarit. Tokat, prej një përzierje të gëlqeres me gurë ranore ishin shumë të përshtatshme për kultivimin e një lloji të rrallë duhani me emrin “jebli”. Margëlliçi është një qytet i ndërtuar para pushtimit osman. Në vitin 1572, qyteti u pushtua nga venecianët, ndërsa më vonë ra nën sundimin turk. Në vitin 1815, qyteti i Margëlliçit i kalonte 10.000 banorë. Në shek. E XIX-të, si rrjedhim i sëmundjeve dhe epidemisë së kolerës, 2/3 e popullsisë vdiqën. Para Luftërave Ballkanike ky qytet ka paSur rreth 800 shtëpi, të banuara kryesisht nga shqiptarë-çamë të besimit mysliman dhe të krishterë. Në këtë periudhë, Margëlliçi ishte qendër kazaje dhe së bashku me nahijet e Pargës dhe të Fanarit, përfshinin 71 fshatra me afërsisht 25.000 banorë. E gjithë popullsia ishte shqiptare, nga të cilët, pjesa dërrmuese myslimanë. Pas aneksimit të Çamërisë nga Greqia (1913), një pjesë e kësaj popullsie emigroi në Turqi dhe në Shqipëri. Në pragun e shpërnguljes së plotë (1944), Margëlliçi kishte 400 familje, nga të cilat 20 të krishtera shqiptare, ndërsa të tjerat shqiptare të besimit mysliman. Në vitin 1821, Margëlliçi përmblidhte 40 fshatra dhe një popullsi prej 15. 860 banorë. Gjuha e tyre ishte shqipja dhe komunikimi bëhej nëpërmjet të folmes çame. Qyteti i Margëlliçit, në atë kohë kishte 500 shtëpi myslimane dhe 100 të krishtera.

    Kalaja e Margëlliçit daton qysh prej vitit 1575. Ajo gjendet në një vend të lartë, që zotëron pamjen e gjerë të hapësirave përreth. Rrëzë kodrës ku ndodhet kalaja, janë ngritur të gjitha shtëpitë e parisë së Margëlliçit. Në dallim nga kullat dy-tre katëshe të zengjinëve, të ndërtuara me gur të gdhendur dhe mure të trashë, shtëpitë e familjeve të thjeshta ishin përdhese, të ndërtuara në fusha, larg kullave të bejlerëve dhe agallarëve. Margëlliçi është një qendër e rëndësishme artizanale dhe tregtare. Qyteti ka pasur 50 dyqane, dy fabrika mielli, dy fabrika vaji, gjashtë punishte vaji, 5 hane etj. Në periudhën e sundimit osman, ka pasur një medrese. Qyteti ka dy kala të ndërtuara nga turqit, njëra prej tyre e ndërtuar për të mbrojtur Margëlliçin nga venecianët, të cilët mbanin të pushtuar Pargën. Gazetari anglez Valentino Chirol, pasi vizitoi qytetin e Margëlliçit dhe rrethinat përreth, në librin e tij shkroi: “një grykë e ngushtë ndërmjet shkëmbinjve gëlqerorë, të çojnë në rrafshnaltën e Margëlliçit, një rrafshnaltë pjellore e rrethuar nga të gjitha anët me kodra. Shpatet e pjerrëta të kodrave që e rrethonin rrafshnaltën, që zgjatej deri në skajin jugor, ishin të mbushura me fshatra të shumta, ndërsa në anën lindore, shiheshin minaret e larta të xhamive që dalloheshin mes gjelbërimit të gjetheve”. Ai e quan Margëlliçin “Zemra e Çamërisë”. Peizazhi mahnitës i këtij qyteti ishte mbresëlënës për vizitorin anglez.