Manifestime të dhunshme në ishullin Kos

    434
    Kriza e emigrantëve në ishullin Grek, Kos, po i çon ata në limitet e fundit. Një manifestim i dhunshëm ndodhi gjatë një procedure regjistrimi ku u përfshinë më shumë se 1 mijë emigrantë. Protesta zgjati për disa orë dhe u zhvillua jashtë një stadiumi të futbollit të zonës. Emigrantët duke kërkuar regjistrim të shpejtë, bllokuan rrugën nën thirrjet: “Ne duam dokumenta. Ne duam të hamë!”. Për të shpërndarë manifestuesit, policia përdori ujë me presion dhe shkopinj gome. Edhe pse ditën e hënë një polic u pezullua për abuzim ndaj emigrantëve, përsëri forcat e sigurisë morën masa të ashpra ndaj tyre. 
    Ndërkohë, Greqia po lufton për të përballuar rritjen e fluksit te emigrantëve që mbërrijnë në territorin helen. Mësohet se në Greqi, rreth 124 mijë persona kanë zbarkuar këtë vit më së shumti në ishujt lindore afër kufirit me Turqinë. Ndërkaq, autoritetet e kanë të pamundur që të mbajnë rendin. 

    Të premten agjencia e refugjatëve të OKB-së, paralajmëroi vendin që të marrë kontrollin në të ashtuquajturin “kaos total” në ishujt mesdhetarë. Shumica prej tyre vijnë me gomone dhe shkak i largimit të tyre është ikja nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Duke rrezikuar jetën e tyre dhe duke dorëzuar kursimet e tyre tek kontrabandistët, ata shpesh herë mbesin të bllokuar në bregdetin mesdhetar të Evropës. Në ishullin Kos, një emigrant tha se atij i kushton 100 euro çdo ditë qëndrimi në hotel. 
    Ndërsa, një femër siriane në gjendje të dëshpëruar bëri thirrje për ndihmë dhe kërkoi që mos ta kthenin në Siri, pasi vendi atje ka shumë probleme. Majori i ishullit Kos, bëri thirrje imediate për ndihmë, duke paralajmëruar se mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi pasi situata mund të dalë nga kontrolli. Ditën e hënë, Bashkimi Europian, premtoi 2.4 bilion euro ndihmë për të përballuar krizën e emigrantëve. Ndërsa, shteti grek pritet të marrë 473 milionë Euro.
    Gjendej e vështirë paraqitet edhe për emigrantë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë prej kohësh në këtë ishull, ata tani gjenden pa punë dhe pa ndonjë përkrahje sociale, siç ndodh me qytetarët grekë, ndaj të cilëve qeveria ka miratuar një paketë masash.
    Sigal