Manifest për një arsim universitar publik, cilësor dhe falas

590
Sigal

Valbona Nathanaili

Ne, qytetarët e Shqipërisë, me sfond të ndryshëm social e të ardhurash, bëjmë thirrje, sot, për një transformim rrënjësor të institucionit të arsimit të lartë publik dhe arsimit në përgjithësi.  Ky manifest përmban propozime konkrete, por në formën e draftit dhe, për këtë arsye, janë të hapura të gjitha mundësitë për sugjerime, vërejtje e propozime të tjera, për t’i dhënë formën përfundimtare e më pas për t’ia paraqitur Parlamentit për aprovim. Në këtë fazë, mund të nënshkruhet nga të gjithë qytetarët shqiptarë, ndërkohë që janë të hapura mundësitë për përmirësime nga të gjithë ata që i njohin vetes dashurinë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

Mbas një jave të gjatë, mbushur me protesta të studentëve të universiteteve publike në rrugën e Durrësit, përballë Ministrisë së Arsimit, dhe të mijëra studentëve të tjerë nga të gjitha universitetet publike të Shqipërisë në të gjitha qytetet ku funksionojnë këto institucione të arsimit të lartë, mbas pakënaqësive të shprehura nga studentët për tarifa të larta e papërballueshme për shumë prej tyre, ndërkohë që nuk justifikohen me cilësinë e mësimeve e të infrastrukturës, me nivelin e aftësive të shumë prej pedagogëve që u japin mësim e të diplomës që marrin, me mungesën totale të laboratorëve e mundësive për të qenë pjesë e kërkimit shkencor, – probleme që hasen në të tria nivelet e arsimit të lartë (bachelor, master e doktoraturë), – pas indiferencës dhe paaftësisë së personave përgjegjës për ndryshimin e kësaj gjendjeje, në të dyja nivelet, universitet e ministri, pas një vargu të ashtuquajturash reforma në arsimin e lartë, por që deri më sot, kanë prodhuar:

  • një ligj, për të gjitha llojet e institucioneve të arsimit të lartë, dhe që penalizon universitetet publike;
  • një vendim, për t’u regjistruar në arsimin e lartë sipas meritës e preferencës, dhe promovon amulli, kaotizëm dhe i hap luftë çdo lloj politike sociale;
  • një udhëheqje, nga një grup njerëzish të interesuar të ruajnë këtë gjendje degradimi, dhe që synim të vetëm kanë shpartallimin me sukses, ditë pas dite, të interesave të publikut;
  • zhdukjen, nga synimet prioritare të qeverisë, të zhvillimit të arsimit publik;
  • hartimin e politikave të edukimit nga një grup njerëzish, që e kanë edukimin një biznes më shumë, dhe interesat e shoqërisë një llogore tjetër që duhet shpartalluar.

Ne kërkojmë,

  • të bëjmë një ndryshim rrënjësor e cilësor në arsim, sepse arsimi nuk pret!
  • që ndërmjet shpenzimeve të luksit që propozohen për rrugë e vepra që do i kishin zili edhe vendet më të përparuara të Evropës, dhe shpenzimeve më shumë nga buxheti i shtetit për arsim të lartë publik e cilësor, të zgjedhim alternativën e dytë, sepse të gjithëve duhet t’u jepet mundësia të mësojnë e ndjekin një shkollë të lartë cilësore.

Kërkesat e të rinjve që prej një jave qëndrojnë në protestë, në bulevard, ndërkohë që duhej të ishin në auditore e laboratorët e kërkimit shkencor, janë kërkesat e gjithë shoqërisë!

Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë vendi i pabarazive dhe shpërndarjes jo simetrike të mundësive. Në këto tri dekada postkomunizëm, biseda për arsimin e lartë është mbizotëruar vetëm nga zërat që e kanë parë këtë sektor si treg, si mundësi për të bërë biznes, për të fituar dhe abuzuar, dhe asnjëherë si interes publik. Sistemi arsimor ka detyruar më shumë të rinj të largohen, ka prodhuar më shumë të papunë, ka nxitur gjithnjë e më shumë pakënaqësi.

Ne besojmë,

se si shoqëri duhet t’u japim mundësi të gjithëve të mësojnë e të ndjekin një shkollë të lartë e të marrin një arsim cilësor sa më bashkëkohor – askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar, ose i lënë mënjanë për mungesë fondesh a të ardhurash. Fëmijët e atyre që nuk kanë duhet të edukohen po aq mirë sa fëmijët e atyre që kanë.  Shërbimi që një edukim cilësor i bën shoqërisë, materializuar në një universitet publik e të arritshëm për të gjithë, është i madh. Për këtë arsye, sa më i madh të jetë shërbimi, aq më e vogël duhet të jetë pagesa e konsumatorëve të tij.

Ne propozojmë

(pas plotësimit të menjëhershëm të të gjitha kushteve të vendosura nga studentët, artikuluar qartë dhe pa ekuivokë).

 

  1. Rritjen e buxhetit të shtetit për arsimin e lartë publik, ndarë specifikisht për mësimdhënie dhe kërkim shkencor, në nivelin e mesatares së vendeve evropiane. Një e ardhur shtesë që mund të krijohet është krijimi i një takse emergjente për arsimin, për një periudhë 5 vjeçare, nga të gjitha kompanitë e korporatat me një buxhet përtej një vlere të caktuar. (Tjetër?…)
  2. Ndryshimin e mënyrës së regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë publik: si hap të parë, duke hequr listimin e universiteteve private nga formulari që plotësojnë maturantët – kandidatët për studentë.
  3. Profilizimin e Universiteteve të rretheve – disa prej tyre mund të kenë programe vetëm të nivelit të parë të studimeve.
  4. Krijimin e një Asambleje Kombëtare për Arsimin, me këto detyra e përgjegjësi:
  • Funksionon për një periudhë 2 vjeçare, me përbërje jo më shumë se 100 vetë, nga të gjitha universitetet publike, pedagogë e studentë, si dhe grupe të ndryshme interesi, që do të mblidhet në Kuvendin e Shqipërisë, një herë në muaj;
  • Ka detyrë draftimin e një strategjie për përmirësimin e zhvillimin e arsimit të lartë në veçanti dhe arsimin në përgjithësi;
  • Drafti i përgatitur, do të diskutohet publikisht nga të gjithë universitetet dhe do të jetë i detyrueshëm për t’u zbatuar nga qeveria, në të gjitha pikat që kanë lidhje me të.