Mamografia jashtë shërbimit në disa qytete, pacientet i drejtohen Tiranës

    392
    Edhe pse muaji tetor është përcaktuar si periudha e sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, shërbimi i mamografisë në shumicën e spitaleve rajonale të qyteteve kryesore, nuk ofrohet për shkak të mungesës së aparaturave dhe mjekëve specialist. Pavarësisht fushatës sensibilizuese dhe thirrjeve ndaj femrave për kryerjen e një kontrolli shëndetësorë për evidentimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit, mungesa e aparaturave i ka venë pacientet përballë vështirësive, për shkak se në spitalet e qyteteve ku ato jetojnë nuk ofrohet një shërbim i tillë.

    Mamografia, jashtë shërbimit 

    Me gjithë apelin e drejtuar femrave që të bëhen pjese e ekzaminimeve tek dy pikat e mamografisë, njëra në spitalin rajonal ndërsa tjetra pranë poliklinikës se qytetit, qytetarët janë përballur me një realitet tjetër. Mësohet se që prej tre ditësh pacientet janë përballur me mungesën e ofrimit të këtij shërbimi. Mamografia, e cila sipas punonjësve të këtij institucioni është jashtë funksioni prej 1 jave, teksa është dërguar në Tiranë për një tjetër kontroll pas një defekti të mundshëm. Ndërkohë deri tani aparatura nuk është vënë në funksion, ndërsa pacientet nuk kanë marrë ende një përgjigje përfundimtare se kur mund të kryejnë ekzaminimin. Edhe pse oraret janë të afishuara në dyert e spitalit, vizitat vazhdojnë të mos kryhen, duke konfirmuar edhe një herë që sistemi i shëndetësisë në vendin tonë po vuan ditët më të vështira, dhe pacientët janë ata të cilët kërcënohen më së shumti përball situatave të tilla. Një nga pacientet shprehet, -“ Ka dy ditë që drejtohem në spital për të bërë mamografinë dhe e vetmja përgjigje që marrim nga mjekët është pritja për rregullimin e aparaturës së prishur. Ende nuk e dimë se kur mund të rregullohet që unë bashkë me femrat e tjera të realizojmë vizitën këtu, në të kundërt do të detyrohemi ti drejtohemi spitaleve në Tiranë”. Qytetarët dhe pacientët prej kohësh ankohen për mungesë në marrjen e shërbimeve mjekësore në spitalet rajonale në qytetet e ndryshme të vendit, kryesisht për mungesë të mjekëve specialist, por edhe aparaturave dhe medikamenteve. Ndërkohë tetori është muaji i cili i përkushtohet luftës kundër tumorit më të shpeshtë malinj tek femrat, ndërsa shiriti rozë është prej vitesh një simbol i njohur për ngritjen e vetëdijes për rreziqet e kancerit të gjirit. Objektivi kryesor i të gjitha fushatave të stolisura me shirita rozë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për këtë sëmundje të tmerrshme, zbulimin e ilaçit dhe informimin e femrave dhe vajzave adoleshente në lidhje me rëndësinë e shëndetit të gjirit dhe kontrolleve mjekësore.
    Sigal