Mamica Kastrioti:Përkujdesja për fëmijët e ushtarakëve të rënë në detyrë

    624
    Sigal

    Flet për “Telegraf”, Mamica Kastrioti, presidente e organizatës “Në ndihmë të Familjeve të Ushtarakëve dhe Punonjësve të Policisë së Shtetit të Rënë në krye të Detyrës”

    Në 10 vjetorin e krijimit, organizata “Në ndihmë të Familjeve të Ushtarakëve dhe Punonjësve të Policisë së Shtetit të Rënë në krye të Detyrës” bën bilancin dhe flet për pikat e bashkëpunimit me organizata të tjera OJF dhe institucionet shtetërore për të ndihmuar familjet e dëshmorëve të rinj të Atdheut rënë nga radhët e ushtrisë dhe policisë. E promovuar si një nismë më 28 maj 2003 dhe e zyrtarizuar institucionalisht më 9 korrik 2003, kjo organizatë ka dhënë një ndihmesë të dukshme për të garantuar mbështetjen ligjore, përkujdesjen shtetërore dhe koordinimin me shoqata të tjera analoge brenda dhe jashtë vendit. Presidentja e organizatës NFUV, zonja Mamica Kastrioti tha për gazetën “Telegraf” se “tani kjo organizatë është konsoliduar tërësisht dhe kemi arritur të bashkëpunojmë e koordinojmë me organizma, projekte e donatorë të fuqishëm, të tillë si: Banka Botërore, Ambasada Britanike, Greke, SOROS, UNCHR, PNUD, USAID, etj, si edhe me Organizatën Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve”, Tiranë.

    -Zonja Mamica, ju jeni presidentja e kësaj organizate. Si u krijua ajo, dhe cili ka qenë qëllimi i misionit të saj në këto dhjetë vjet?

    Fillimisht dua të theksoj se Organizata “Në ndihmë të Familjeve të Ushtarakëve dhe Punonjësve të Policisë së Shtetit të Rënë në krye të Detyrës” është një organizatë që nuk ndjek qëllime politike, fetare apo financiare. Ky është edhe një shkak pse ne bashkëpunojmë edhe me organizatën Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve”. Gjatë këtyre 10 viteve ajo ka ideuar, mbështetur e realizuar mbi 100 aktivitete në dobi të familjeve dhe fëmijëve të këtij segmenti të shoqërisë shqiptare, si dhe me aktivitete të familjeve të dëshmorëve siç ishte edhe Dita e Dëshmorëve, 5 Maji. Promovimi i organizatës është bërë më 9 korrik të vitit 2003 në ambientet e Rezidencës Italiane “Cantry Rezidenc”, gjë që u përcoll edhe nga të gjithë mediat atëherë. Mesazhi i krijimit të organizatës ishte që “për fëmijët e ushtarakëve dhe oficerëve të policisë të rënë në detyrë do bëjmë gjithçka që ata të mos e ndjejnë veten të braktisur nga shoqëria, dhe që të mos e ndjejnë dhe aq shumë mungesën prindërve të tyre, tashmë dëshmorë të Atdheut”. Kjo realizohet përmes aktiviteteve artistike, por edhe të dhënies sipas rastit të dhuratave të ndryshme. Organizata jonë tashmë ka edhe logon e saj, që njihet nga të gjithë.

    -Cilat janë disa nga këto aktivitete? A mund t’i detajojmë?    

    Ky aspekt është i vazhdueshëm, sa herë që ka përvjetorë apo festa kombëtare. Kështu për shembull: kemi organizuar aktivitete korteziale në nderim të pilotëve të regjimentit të Helikopterëve të rënë në krye të detyrës më 22 nëntor 1998. Më pas, përvjetorin për studentët dhe pedagogët e Akademisë Ushtarake “Skënderbej” rënë në krye të detyrës në një stërvitje ushtarake në malin e Meçekut, në Feken, më 6 shkurt 1981. Kemi përkujtuar rënien në detyrë të marinsit shqiptaro-amerikan Ervin Dervishi rënë më 24 janar 2005 në territorin irakian. Nuk kanë munguar dhe aktivitetet në nderim të 13 pilotëve, inxhinierëve dhe teknikëve të Flotës Ajrore Amerikane rënë në detyrë në territorin e Shqipërisë (mbi malet e Gramshit) më 29 mars 2004.    

    -Po për ushtarakët shqiptarë që kanë rënë në detyrë jashtë vendit dhe që janë “Dëshmorë të Kombit”, a përfitojnë nga kjo mbështetje?

    Po. Dhe Këtu desha të ndalem pak. Është e vërtetë që Shqipëria ka edhe ushtarakë të rënë jashtë kufijve të Atdheut. Këtu bëhet fjalë për ushtarakët shqiptarë të rënë respektivisht në këto vende: Në ish Bashkimin Sovjetik, në ish Jugosllavi, në Spanjë, në Korenë e Veriut, Izrael, Republika Italiane, Republika Greke, në harkun kohor 1936-1958. Për këtë, shumë aktivitete janë organizuar në bashkëpunim me biznesin shqiptar dhe të huaj. Impakt pozitiv këtyre aktiviteteve u ka dhënë sidomos ambasada e Federatës Ruse, ajo e Spanjës, ambasada Amerikane, Greke, ambasada e Serbisë, e Kosovës, e Kinës, dhe ajo Çeke. E ritheksoj, se mes 200 shoqatave e OJF-ve në vend, organizata jonë ka siglën e vet, ka logon e vet, ka flamurin e vet dhe Hynin e vet. Jemi dekoruar disa herë nga organizata të ndryshme, jemi anëtare me të drejta të plota në BONU (Bashkimi i Organizatave Ndërkombëtare Ushtarake) me qendër ne Bruksel.  Në maj të këtij viti kemi presidencën e radhës, deri më 10 tetor 2014.

    Çfarë vlerësimi ka nga organizma të tjerë kombëtarë apo ndërkombëtarë për institucionin tuaj?

    -Ne mund të krenohemi pa dyshim me angazhimin tonë 10 vjeçar. Jemi shpallur “Ambasador dhe kavalier i paqes” nga Organizata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut” me qendër në Shtutgart të Gjermanisë. Jemi shpallur “Kalorës Kavalierë” nga shoqata “Skënderbegasi”. Organizata jonë ka dekoruar ShTZ. Bamir Topi, President i Republikës së Shqipërisë; ambasadorin e Federatës Ruse, etj.

    Projekti “Në detyrë për jetën” është një tjetër nismë juaja. Çfarë synon në fakt ajo? Është një projekt i lançuar nga ne në janar 2013 dhe ka për qëllim monitorimin e 28 vendeve anëtare të NATO-s, ku ka ushtarë dhe oficerë policie të vrarë në detyrë. Projekti së shpejti do t’i shkojë në dorë edhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Bruksel. E fundit: problemet e shumta që hasin familjet dhe fëmijët e ushtarakëve të rënëve në krye të detyrës janë tashmë të parashtruara për zgjidhje institucionale. Ne ndihmojmë maksimalisht në këtë aspekt duke u interesuar pranë sektorëve përkatës në institucionet arsimore, shëndetësore dhe bankare shqiptare. I tillë ishte edhe interesimi ynë për të përfshirë në “Fondin e Ekselencës” këtë vit për studime jashtë vendit edhe fëmijët e ushtarakëve të rënë në krye të detyrës.

     

    Dëshmorë të Atdheut

    Ushtarakë shqiptarë, të rënë në detyrë (1992-2012)

     -Idriz Hoxha (kolonel, pilot)

    -Arsen Gjini (ushtar)

    -Fatmir Shehu (kapiten)

    -Agron Myftari (kapiten)

    -Muhamet Hasmuja (kapiten)

    -Nuredin Gorçe (kapiten)

    -Arben Hoxha (toger)

    -Fatmir Koka (kapter)

    -Ismet Ishulli (kapter)

    -Xhavit Cani (kapter)

    -Ferdinand Dosti (kapiten)

    -Albert Lelaj (major)

    -Bardhyl Këlliçi (kapiten)

    -Vladimir Çumaku (major)

    -Osman Biba (nënoficer)

    -Namik Gjolena (nënoficer)

    -Ardian Hana (nënoficer)

    -Jani Tarifa (major, pilot)

    -Aqif Karai (kapiten)

    -Mehmet Hysa (kapiten)

    -Flamur Radani (kapiten)

    -Feti Vogli (kapiten, rënë në Afganistan)