Maksim Zarka/ Mauzoleuni Shën Trifoni, i vetmi objekt kulti me këtë status

    680
    Sigal

    Populli i Sheqishtes,  Mauzoleunin e Shën Trifonit e njeh me emrin Manastiri i Shën Trifonit                   

    Në lindje të Fierit jo më shumë se 7-km, ndodhet fshati Sheqishte. Sheqishtja njihet si vendbanim që në shekullin e tretë para krishtit  me emrin Itea.   Pranë Iteas së lashtë  kalonte dega jugore e Rrugës Egnatia. Aty ndodhet Mauzoleuni i Shën-Trifonit. Populli i Sheqishtes,  Mauzoleunin e Shën Trifonit e njeh me emrin Manastiri i Shën Trifonit.  Informacionin për mbajtjen e statusit “mauzeleun” të këtij objekt kulti na e jep Theofon Popa  në librin e tij “Mbishkrime të Kishave Shqiptare”.

         Objektet e kultit të krishterë në Shqipëri, Theofon Popa i quan me emra “Kisha” ose “Manastiri ”.   Vetëm Shën Trifonin e Sheqishtes ai e quan “mauzeleun. Ky objekt kulti ka dy gjëra të veçanta në raport me çdo objekt kulti tjetër në Shqipëri: është i vetmi objekt kulti me status “mauzoleun”, por njëkohësisht është i vetmi  objekt kulti  në Shqipëri me emrin Shën Trifon.  Mbajtja e statusit “mauzoleum” tregon se Shën-Trifoni ka qenë një tempull jo i radhës, por elitë e tempujve të kohës.  Kujt i dedikohej ky mauzoleun? Nga emri, domosdoshmërisht Shën-Trifonit. Cilat janë vepra e meritat e tij, që e dallojnë atë nga të shenjtët e tjerë, duke e nderuar me një mauzeleun të veçantë? Çfarë materialesh e dokumentesh ka patur ky institucion i kulturës fetare të popullit të Sheqishtes dhe rrethinave të saj? Dimë se në Luftën e Parë Botërore austriakët kanë grabitur në Shën-Trifon një basoreljev. Kjo e dhënë dokumentare tregon se Shën-Trifoni paska tërhequr vëmendjen e të huajve dhe, veçanërisht të austriakëve, të cilët janë të dalluar për vlerësimin dhe përvetësimin e antikave. Kjo do të thotë se ata (austriakët) dinin çfarë antika merrnin. A janë marrë antika të tjera nga të huajt? Deri tani nuk dimë gjë. Por ne dimë me siguri të plotë një gjë: Shën-Trifoni ka qenë Mauzoleun dhe, si i tillë, duhet të ketë patur mjaft materiale antike, qoftë ikonografike, piktura murale si dhe punime në dru.

          Mauzoleuni ka patur dhe dy kambana. Kambanat ka qenë vendosur në pjesën lindore  dhe tjetra tjetër në pjesën perëndimore. Kambanat e tij u gjenden  njëra në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” në Bishqethëm të Lushnjës dhe tjetra në kishën e “Shën-Gjergjit” në Libofshë të Fierit.  Të dyja kambanat janë punuar nga të njëjtët kambana-punues (nga dora e Gjergjit dhe e Vasilit të Caraplanitëve) dhe në të njëjtin vend, në Janinë. Këmbana e gjendur në Bishqethëm mban vitin 1859, kurse ajo e gjendur në Libofshë nuk e ka vitin. . Ekzistenca e dy kambanave në këtë objekt kulti, është një tregues i rëndësisë dhe i madhështisë së këtij institucioni. Po të shtojmë këtu dhe dëshminë historike të Theofan Popës, që e quan “Mauzoleun” godinën e Shën-Trifonit, kuptohet qartë dhe merret me mend se çfarë ka qenë ky institucion për kohën.

    Sot me informacionin që unë kam, nuk di të ketë ndonjë manastir me dy kambana në vendin tonë, përveç atij të Zvërnecit në Nartë të Vlorës.

    Mauzoleuni i Shën Trifonit kishte brenda në ndarjen veriore  një varrë. Ky varrë u prish më 1967. Godina u kthye në stallë për qetë e kooperativës. Mauzoleuni kishte një tavan të gdhendur në dru me dy lloj ornamente. Megjithëse godina shërbeu për 30-vjet stallë, tavani i gdhendur nuk u dëmtua. Ai ishte kalbur vetëm rreth 25 cm në cepin e juglindor. Ky tavan 200-vjeçar i gdhendur në dru u grabit pas vitit 2005.

    Kohën  e ndërtimit ose rindërtimit na e tregon një mbishkrim i gdhendur në një pllakë guri i vendosur në faqen e murit jugor mbi derën aktuale. Ajo tregon datën 25 mars 1804. Kemi dhe një shkrim tjetër datë për   ndërtimin e tij. Ai është i gdhendur në gurë dhe mban datën 5-maj 1831. Ndërsa në një shkrim tjetër po të gdhendur në gurë lexojmë (në greqisht) “Mbi gjetjen e lipsanëve të shenjtit” viti 1847. Interesant është shkrimi i 25 marsit 1804. Ai na jep të dhëna mbi ndërtuesit, të cilët janë vendas.

    + Ετος 1804 Μάρτιος 25. / Επιτρ οπευσε Λάζαρος. / Β. Ημσταρι. Χειρός Μαστορος / Κωσταντινο ς Σ. Κολιτσι. εκ / τισεν την ορό φην και τεμπου / λαν του ναού Τ ου αγίου Τρυ / φωνος. Σεκιστα. ‘Ιωάννης Τσάγκας

     Përkthimi: Në vitin 1804 mars 25. Ishte kujdestar Llazar Imstari. Me dorën e mjeshtrit Kostandin S. Koliçi ndërtoi të gjithë kishën dhe ikonostasin e kishës së Shën-Trifonit në Sekishtë. Jan Çanga. (Marrë nga Th.Popa.)

     Deri në vitin 1967, Shën Trifoni ka qenë një vend pelegrinazhi për popullin e rretheve Fier, Berat, Lushnje e Vlorë. Këtu luteshin dhe qëndronin besimtarët me ditë të tëra dhe, me raste, dhe me javë. Ata strehoheshin në konakët e Manastirit. Konakët ishin një ndërtese 2-katëshe me mure guri. Ato ishin strehëza e pelegrinëve. Godina e konakëve është dhe sot. Manastiri i Shën Trifonit rrethohej nga pemë të larta që quheshin vidha, kryesisht në pjesën veriore dhe lindore. Në oborr kishte një kopsht të madh. Aty gjeje pemë frutore, si: fiq, dardha, mollë, shegë e të tjera. Manastiri kishte dhe një çair ku zhvilloheshin lojëra popullore si goditje me hark, mundje klasike, gara me kuaj.

    Më 14 korrik të çdo viti këtu vinin besimtarë, tregtarë si dhe mjaft njerëz nga të gjitha shtresat. Udhëtimet kryheshin me qerre, karroca dhe kuaj. Por kishte dhe mjaft vendalinj, që vinin në këmbë. Në këtë ditë kleri ortodoks bënte lutje për të korra të mbara dhe për bukë të gëzuar. Në këtë festë sa fetare dhe popullore, ka marrë pjesë dhe Kryepeshkopi i Kishës Shqiptare të kohës, shkëlqesia e tij, Visarion Xhuvani.

    Ky objekt edhe sot është lënë në mëshirë të fatit. Fatkeqësisht nuk është as në listën e monumenteve të kulturës, megjithëse ka disa vlera: e para është godinë 208-vjeçare. E dyta mban statusin “mauzoleun”. E treta nuk ka tjetër objekt kulti me emrin Shën Trifon në Shqipëri. A nuk është tërheqës për studiuesit dhe për turistët?

    *MR. Shkenca politike-administrative