Maksim RUSHI/ PAK ulur “këmbëkryq” me varfërinë. Pagesa që nuk përballojnë dot çmimet

    369
    Sigal

    3 dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe problemet e tyre në Shqipëri

    3 dhjetori është një datë simbol, sepse që prej vitit 1981 ajo është vendosur nga Kombet e Bashkuara për të qenë Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara. Mbi një miliard njerëz, ose rreth 15 për qind e popullsisë së botës, jetojnë me një formë të aftësisë së kufizuar. Shumica e tyre ndodhen në shoqëri të varfra dhe nuk kanë qasje të barabartë në shërbimet themelore, të tilla si: arsimi, punësimi dhe kujdesi shëndetësor. Kjo është arsyeja pse Kombet e Bashkuara shpesh bëjnë thirrje: “Thyeni barrierat, hapni dyert për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe zhvillim për të gjithë”. Vendet e zhvilluara të Europës përpiqen të përmirësojnë çdo ditë e më tepër standardin e jetesës për këtë kategori personash, që ata ta përballojnë jetën denjësisht me të gjitha shpenzimet, duke siguruar mundësitë reale për vetëplotësim.

    Problemet e PAK në Shqipëri

    Në Shqipëri kjo ditë i gjen ata përballë barrierave të hershme dhe sfidave të reja. Megjithëse në vitet e fundit, kuadri ligjor dhe ndjeshmëria e shoqërisë ndaj personave me aftësi të kufizuara është përmirësuar, kjo kategori është në një pozitë më inferiore se pjesa tjetër e shoqërisë. Diskriminimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë kundrejt PAK ekziston në të gjitha aspektet e jetës sociale dhe është më i theksuar në punësim, arsim, aksesin në ndërtesa dhe shërbime si dhe në jetën e pavarur. Pozita në të cilën ata ndodhen mund të vëzhgohet më mirë, duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë, nivelin e ulët të arsimit, varfërinë, përfaqësimin e ulët në jetën politike, riskun e institucionalizimit si dhe mungesën e përshtatjes për këtë kategori si në ndërtesa ashtu edhe në shërbime.

    3 dhjetori nuk mund të jetë një shkop magjik që bën mrekulli në një ditë, por le të ndihmojë kjo ditë për të rritur nivelin e vëmendjes dhe për të thyer kulturën e indiferencës dhe të diskriminimit kundrejt PAK që ende ekziston në shoqëri.Ditë si kjo, le të na ndihmojë për t’u përqendruar tek dinjiteti, autonomia, pavarësia, liria e zgjedhjes, pjesëmarrja dhe përfshirja sociale, respekti dhe vlerësimi për personat me aftësi të kufizuara që nuk janë as më shumë e as më pak, por pjesë e diversitetit njerëzor.

    3 dhjetori le të na japë mundësinë, për të pohuar me bindje të plotë se aftësia e kufizuar është një koncept dinamik dhe në zhvillim, e cila duhet përkrahur dhe inkurajuar për të ecur përpara në shoqëri mbi baza të barabarta me të tjerët.

    Le të jetë 3 dhjetori, dita e reflektimit të çdo vendimmarrësi qendror dhe lokal për atë se sa ka bërë dhe çfarë mund të bëjë më mirë për komunitetin e aftësisë së kufizuar në institucionin, ku ai vepron apo ushtron detyrën e vet.

    Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë, zëri i PAK

    Ishte gjithashtu çështje reflektimi dhe ndërgjegjësimi edhe krijimi i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë, sepse duke parë nevojën që kishin personat e paaftë për të patur pranë një zë të fuqishëm për zgjidhjen e problemeve dhe shqetësimeve të tyre, nuk mund të tërhiqeshim pas. Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë ka pjesë të qëllimit dhe një ndër objektivat kryesorë të saj kujdesin për kategorinë e qytetarëve me dëmtim fizik e pluridefekt, të cilët janë persona të mbuluar nga skema e sigurimeve shoqërore, por jo vetëm, duke përfshirë edhe ata të cilët nuk janë të mbuluar nga kjo skemë dhe që nuk janë pak. Të gjithë personat me aftësi të kufizuar kanë nevojë të ndihen të vlerësuar e të mbrojtur, të besojnë tek përfitimi i të drejtave që u garanton ligji dhe SHSHPP ka ditur që ta injektojë këtë tek çdo anëtar i vet. Momentet që po kalon sot shoqëria shqiptare, e veçanërisht shtresa e personave të paaftë, janë sa të vështira, aq edhe të papërballueshme për një ekonomi si e familjeve tona. Aty ku varfëria është ulur “ këmbëkryq”, ku pagat nuk mund të përballojnë çmimet, nevoja për të qenë bashkë është shumëfish më e lartë.

    Indiferenca e shtetit ndaj kërkesave tona

    – Disa herë përfaqësues të shoqatës tonë kanë zhvilluar takime me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku janë ngritur probleme qenësore dhe imediate për zgjidhje. Problemet si: Përcaktimi i minimumit jetik dhe problemi i punësimit të personave të paaftë dhe pjesëtarëve të familjeve të tyre janë diskutuar me synimin se do të gjendej fryma e bashkëpunimit. Jo vetëm kaq, por janë prezantuar me fakte dhe dokumente problemet si heqja e pagesës mujore të paaftësisë nga ana e KMCAP-it nëpër rrethe, si dhe heqja nga puna e pjesëtarëve të familjeve, ku ka persona me aftësi të kufizuara apo shurdhëria ndaj ankesave dhe kërkesave tona me shkrim të cilat kanë mbetur pa përgjigje. Këto probleme janë ngritur edhe për opinionin publik në mediat vizive dhe të shkruara, të cilat me impaktin e tyre në publik e kanë përforcuar dhe lehtësuar arritjen e qëllimit të shoqatës tonë. Shqetësimi ynë mbetet fakti që në shumë komuna e bashki mjaft persona me dëmtim fizik e pluridefekt si: të verbër e para/tetraplegjikë për muaj të tërë nuk kanë marrë kompensimin e energjisë elektrike dhe kjo është bërë shkak që shumë prej tyre nuk kanë patur mundësi për të kryer pagesat e konsumimit mujor të energjisë elektrike.

    Ne jemi përpjekur të intensifikojmë kontaktet me Drejtoritë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, sepse puna e tyre konsiston në përcaktimin e pagesës së paaftësisë për personat me aftësi të kufizuara dhe shpesh aty gjendet “thembra e Akilit”.

    Po kaq i rëndësishëm është edhe bashkëpunimin ynë me kryetarët e bashkive ku u janë drejtuar kërkesa për pajisjen me ambiente pune për degët e kësaj shoqate në rrethe. Kjo përbën një rëndësi të madhe për qytetarët e paaftë, sepse ata meritojnë që të kenë një derë ku të ndajnë problemet dhe shqetësimet e tyre me drejtuesit e degëve të shoqatës. Drejtuesit vendorë duhet ta kenë të qartë se sukseset e mëdha vijnë nga vlerësimi i gjërave që në dukje janë të vogla, por që përbën një rëndësi të madhe për shoqërinë. Ditët kalojnë shpejt dhe zgjedhjet lokale të Majit 2015 janë pranë, por tashmë personat e paaftë e kanë humbur besimin tek drejtues që nuk i kanë përfillur kurrë.

    Për pasqyrimin e problematikave të caktuara dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik kanë shërbyer mediat vizive dhe të shkruara. Në to pasqyrohet me detaje ajo që vetë teleshikuesit dhe lexuesit dëshirojnë të trajtohet dhe është në interes të së mirës së përgjithshme shoqërore. Dua të shpreh mirënjohjen time për mediat, e në mënyrë të veçantë për gazetën “Telegraf”, që me profesionalizmin e saj i ka dhënë një kuptim të mirëfilltë dimensionit të gazetarisë, duke e bërë sa praktike aq edhe të dobishme për shqetësimet e personave me aftësi të kufizuara, të cilët falë tyre nuk ndihen të braktisur. Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë me forcën që na jep ligji, e drejta dhe morali do të ushtrojë një presion të vazhdueshëm ndaj çdo institucioni apo drejtuesi që të veprojë në përputhje me kërkesat dhe nevojat e personave me aftësi të kufizuara.

     *Kryetar Kombëtar i SHSHPP-së