Maksi Rushi: Niko Peleshi dhe Sotiraq Filo zhgënjejnë personat e paaftë

    401
    Sigal

    Intervistë me Kryetarin e Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë, Maksi Rushi

    Me Bashkinë e Korçës asnjë bashkëpunim, mjekët të pandjeshëm ndaj shëndetit të personave të paaftë. Do të denoncojmë çdo rast në Prokurori

     Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë me qendër në qytetin e Korçës, e kryesuar nga ish-gazetari Maksim Rushi, sot invalid, (ndryshe nga shoqatat e tjera që i kanë selitë e tyre në Tiranë), gati dy vjet nga dita e themelimit të saj, (4 dhjetor 1912), ka mbetur e tronditur nga ajo çfarë ka konstatuar gjatë këtij harku kohor. Qeverisja vendore e qarkut Korçë nuk ofron asnjë bashkëpunim dhe në këtë rast bëhet fjalë veçanërisht për Bashkinë e Korçës, duke filluar që nga koha kur ky institucion drejtohej nga z. Niko Peleshi, zëvendëskryeministër i sotëm i Shqipërisë dhe Sotiraq Filo, kryetari aktual i kësaj bashkie. Edhe pse kjo kategori njerëzish përballen me vështirësi të shumta ekonomike dhe financiare dhe pamundësi në përballimin e jetës, qeverisja vendore mban një qëndrim refraktar përballë problemeve të shumta të tyre. Jo pak shqetësime janë evidentuar edhe pranë komisioneve mjekoligjore, ku këta të fundit tregojnë një pandjeshmëri ndaj personave të paaftë, a thua se pagesën e paaftësisë do ta japin nga xhepi i tyre. Mjaft raste të tilla janë denoncuar në institucionet qendrore të shtetit, por tashmë nga vetë shoqata është menduar që raste të tilla flagrante të zvarritjeve dhe pengesave për marrjen e paaftësisë të paditen edhe në organin e akuzës. Megjithatë, për të mësuar më shumë se çfarë ndodh mes kësaj shoqate dhe qeverisjes vendore, ashtu sikurse edhe me komisionet mjekoligjore dhe problemet e tjera, ne patëm këtë bisedë me Maksi Rushin, Kryetarin Kombëtar të Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë, me dëmtim fizik dhe pluridifekt.

     Cilat janë arsyet që qeverisja vendore nuk tregohet bashkëpunuese?

    Gjithçka varet nga vizioni që kanë drejtuesit e bashkisë. Tashmë ne kemi degët tona pothuajse në të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit tonë, por drejtuesit e tyre diku tregohen bashkëpunues dhe diku jo. Duket se ende nuk ka një përvojë të konsoliduar mirë mes shoqatave që kanë në përbërje të tyre komunitete të mëdha njerëzish dhe njësive të qeverisjes vendore, me qëllim për të ndihmuar njëri-tjetrin. Në shumë komuna dhe bashki kemi patur bashkëpunim të suksesshëm, përfshi këtu edhe bashkinë e Pogradecit, si një nga bashkitë më të mëdha të qarkut Korçë, ndërsa rasti mbetet flagrant përsa i përket Bashkisë së Korçës. Kësaj të fundit i kërkuam të na jepte një ambient pune, kuptohet, sipas të gjitha ligjeve, rregullave dhe mundësisë së bashkisë, por përgjigjja që morëm ishte tejet shpërfillëse. Z. Niko Peleshi gjatë gjithë qëndrimit të tij në bashki nuk denjoi të na jepte asnjë përgjigje, a thua se të qenit tonë invalid e shihte me përbuzje, ndërsa pasuesi i tij Sotiraq Filo na dha këtë përgjigje: “Nuk u ndihmojmë dot se vetë bashkia punon në zyra me qira dhe një përgjigje e tillë na u servir, pikërisht kur nga kjo godina e bashkisë u largua Gjykata e Shkallës së Parë dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, zyrat e tyre mbetën të boshatisura. Veç sa më sipër, dëshiroj të shtoj edhe diçka tjetër; kjo shoqatë ka marrë në mbrojtje personat me dëmtim fizik dhe pluri difekt, numri i të cilëve shkon mbi 100.000. Sigurisht, ne do të bëjmë të pamundurën që të gjithë këta njerëz të jenë anëtarë të shoqatës tonë, e cila do të jetë një nga shoqëritë më të mëdha të vendit, ndaj dhe bashkëpunimi me qeverisjen vendore, por edhe atë qendrore mbetet parësor për ne.

     Mendoni se në të ardhmen do ta gjeni këtë bashkëpunim të munguar?

    Nuk jam shumë optimist, sepse të tillë drejtues kemi zgjedhur deri më sot me votat tona dhe të tilla administrata kemi mundur të ngrehim, të cilat (në shumë raste) nuk kanë qenë në dispozicion të qytetarëve, por në shërbim të ryshfetit, mikut, njerëzve me pushtet dhe korrupsionit. Megjithatë, shpresojmë te përpjekjet që po bëhen për ndryshim. Por, edhe nëse nuk do të ndodhë kështu, nuk do të heshtim. Ne të gjithë, organet drejtuese të degëve në rrethe, jemi të përkushtuar për të përmirësuar jetën e personave të paaftë duke harmonizuar interesat e tyre e duke këmbëngulur në ruajtjen e të drejtave themelore që shërbejnë për integrimin social, ekonomik e politik të tyre. Më duhet të vë në dukje gjithashtu se kjo kategori njerëzish është shtresa më e diskriminuar në aspektin financiar, ku një pjesë e tyre trajtohen nga komunat dhe bashkitë, ku jetojnë me vetëm 9.750 lekë në muaj.

     Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur me komisionet mjekoligjore?

    Po, siç e theksova edhe më herët në bisedën paraprake që patëm, Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë ka denoncuar në institucionet qendrore të vendit mjaft raste padrejtësish, të cilat lidhen me trajtimin shqetësues që po u bëhet personave të paaftë në zyrat e KMCAP nëpër rrethe, ku mjekët e këtij komisioni po tregohen sa joprofesionistë aq edhe të pandjeshëm përballë gjendjes shëndetësore të tyre, madje edhe në ato raste kur s’ka nevojë për kurrfarë dyzimi, nëse e meritojnë ose jo marrjen e pagesës së paaftësisë së tyre. Për këtë arsye, shoqata jonë ka qenë tepër e shqetësuar, por edhe e indinjuar nga bluzat e bardha, pasi në mjaft rrethe të vendit po kthehen në makth për personat e paaftë, për shkakun se po abuzohet rëndë dhe turpshëm me këta njerëz, të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të jetuar përpos pagesës simbolike, e cila shpesh herë shërben vetëm për trajtimin mjekësor të tyre. Nga takimet me të sëmurët dhe familjet e personave të paaftë, jemi në dijeni të dhjetëra e dhjetëra rasteve, të cilat na kanë lënë të tronditur mendjen dhe shpirtin, pasi vendimet e mjekëve, (anëtarë të komisionit mjekoligjor), po shndërrohen në vuajtje të pashtershme për këtë komunitet, të cilëve u duhet të përballen në të njëjtën kohë edhe me mbijetesën e tyre të vështirë. Për fat të keq, raste të tilla janë shtuar shumë në gjithë Shqipërinë. 

     Si mund të dilet nga kjo gjendje, keni ndonjë ide?

    Sigurisht që e kemi një zgjidhje dhe do të bëjmë gjithçka për ta realizuar atë. E vërteta është se ne nuk kemi reshtur së kërkuari, që pranë KMCAP-it në rrethe të asistojë edhe një përfaqësues nga shoqata jonë për të qenë sa më pranë shqetësimeve të lindura qoftë për ata persona që u takon pagesa e paaftësisë, qoftë edhe për të tjerët që nëpërmjet ryshfeteve përpiqen të përfitojnë pagesën e paaftësisë, gjë që çon në fryrjen e listave ashtu siç ndodhi gjatë viteve të fundit. Krahas përpjekjeve të tilla, siç e theksova edhe më lart, nëse deri më tani, mjaft raste të tilla i kemi denoncuar në institucionet qendrore të shtetit, tashmë nga vetë shoqata është menduar që raste të tilla flagrante të zvarritjeve dhe pengesave për marrjen e paaftësisë të paditen edhe në organin e akuzës.

     Do t’i riktheheni kërkesës drejtuar bashkisë Korçë për bashkëpunim?

    Sigurisht nuk do të ndalemi asnjëherë në realizimin e qëllimeve tona, sepse ne jemi një nga shoqatat më të mëdha të vendit dhe për këtë gjë kemi edhe përgjegjësitë tona. Bashkia e Korçës ka një numër të madh personash të paaftë, gjë që e bën edhe këtë të fundit të jetë bashkëpunuese. Mungesa e vullnetit për bashkëpunim, e treguar deri me tani, vijon të mbetet për ne e pashpjegueshme. Nëse do t’u referoheshim zhvillimeve, mbështetjes së ideve dhe praktikave njerëzore, Korça mbetej qyteti më i duhur për atë që ne kërkojmë të bëjmë. Megjithatë, ne shpresojmë ende te qyteti i Korçës që njihet si djep i kulturës dhe humanizmit. Dhe nuk dëshirojmë që ky qytet të kthehet në një bashki, ku respektohet vetëm fasada, interesat vetjake apo për më keq akoma, ku shkelet personaliteti i individit apo komuniteteve të caktuara me problematika të ndryshme, si ky i personave të paaftë. Në këtë qytet me tradita në mirëqeverisjen demokratike, (por që nuk e treguan veten të tillë as zotërinjtë Niko Peleshi dhe Sotiraq Filo), ne do t’i drejtohemi për ndihmë e bashkëpunim Këshillit të Bashkisë, (këtij të sotmit, por edhe dhe atij që do të zgjidhet), duke shpresuar se në krye të bashkisë do të vijnë njerëz të denjë që dinë të jenë në shërbim të njerëzve, sepse prej tyre votohen.

     Bisedoi Vepror Hasani

     

     

    Som

    Nuk jam shumë optimist për bashkëpunim me bashkinë, sepse të tillë drejtues kemi zgjedhur deri më sot me votat tona dhe të tilla administrata kemi mundur të ngrehim, të cilat (në shumë raste) nuk kanë qenë në dispozicion të qytetarëve, por në shërbim të ryshfetit, mikut, njerëzve me pushtet dhe korrupsionit. Megjithatë, shpresojmë te përpjekjet që po bëhen për ndryshim…

    Som

    Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë ka denoncuar në institucionet qendrore të vendit mjaft raste padrejtësish, të cilat lidhen me trajtimin shqetësues që po u bëhet personave të paaftë në zyrat e KMCAP nëpër rrethe, ku mjekët e këtij komisioni po tregohen sa joprofesionistë aq edhe të pandjeshëm përballë gjendjes shëndetësore të tyre, madje edhe në ato raste kur s’ka nevojë për kurrfarë dyzimi, nëse e meritojnë ose jo marrjen e pagesës së paaftësisë së tyre