Majlinda Keta:“Auditori i vërtetë duhet parë si qeliza që prodhon cilësinë e universiteteve”

    522
    Sigal

    Intervistë me lektoren e Shkencave Sociale, Doktorante në Filozofi, Majlinda Keta: “Uroj që listat e partive për zgjedhjet 2013 të konceptohen nga kryetarët e listave si “Abetare” e integrimit europian të vendit”

    Aristoteli i madh ka thënë: “Ata që i mësojnë fëmijët mirë janë për tu nderuar më shumë se sa ata që i sjellin në jetë, sepse këta të fundit i dhanë vetëm jetën ndërsa edukuesit i japin artin e të jetuarit mirë”. E nisa shkrimin me këtë citat nga filozofi i madh grek për të prezantuar personalitetin e kësaj jave në rubrikën e Shkencave Sociale. Ajo ka një jetë të tërë të kaluar mes auditorësh studentore duke dhënë dhe marrë dije e eksperienca të panumërta. Nëse frekuentoni një leksion të dhënë prej saj do të shihni që studentët e dashurojnë atë, për çiltërsinë, lirshmërinë dhe zgjuarsinë që ajo përdor kur i drejtohet atyre. Duket sikur ajo mendon, “Në qoftë se do të arrij të harmonizojë së bashku komedinë dhe filozofinë, atëherë do të kem bërë një punë të mirë. Synimi primar gjithmonë do të jetë buzëqeshja dhe qëllimi pasardhës gjithmonë do të jetë thënia e diçkaje, pa qenë një leksion në vetvete por që të ketë substancë”. Lektorja e filozofisë në Shkencat Sociale në UT, Dr. Majlinda Keta, ndër të tjera dallohet dhe për një jetë aktive dhe të pasur në realitetin tonë socio-politik. Gjithmonë e kemi parë të jetë në favor të kauzave të tilla si, reformimi i arsimit shqiptar dhe forcimi i rolit të gruas në jetën politike, akademike dhe sociale. Për më tej ndiqni këtë intervistë të sinqertë dhe direkte që ajo ka dhënë  për “Telegraf”.

     -Prof. Majlinda, ju kemi zgjedhur të jeni pjesë e bashkëudhëtimit tonë me personalitetet që kontribuojnë në auditorët e universiteteve shqiptare dhe më gjerë. Çfarë është auditori universitar për ju?

    Auditori universitar është mjedisi ku takohet edukimi, kërkimi shkencor dhe inovacioni. Ai është vendi ku pedagogu dhe studentët sjellin e shkëmbejnë energji mendimi. Është mjedisi ku takohet mundësia, sfida dhe pengesat për fazat e mëtejshme të rritjes së individit në raport me veten dhe shoqërinë. Është mjedisi ku përsosja e dijes për aftësim progreson ne raport me dëshirën për të mësuar gjithë jetën. Është mjedisi ku lektori mundëson lidhjen e shkuar – e tashme dhe ngjiz besimin për të ardhmen. Është mjedisi ku askush nuk ka të drejtë të pohojë se “Unë kam monopolin në këtë fushë dije”, qoftë ky PRESIDENT , Kryetar i Akademisë së Shkencave apo Prof. Dr., i fushës. Ai nuk është vetëm Salla 401, por edhe Auditori i hapur me të ftuar ekspertë, është Muzeu Historik, është Auditori i Hapur ku studentët mbrojnë tezat e tyre, është aktiviteti shkencor së bashku me kolegë. Është Auditori i Hapur i një Shoqërie të Hapur Demokratike. Është mjedisi ku formësohet identiteti kombëtar për t’i shërbyer interesave kombëtare. Kjo pasi auditori i vërtetë duhet parë si qeliza që prodhon Universitetet si “inxhinieri shoqërore”  për qeverisjen sot dhe në të ardhmen.

    -Çfarë është UT-ja për ju?

    Është kontributori i qenësisë time intelektuale dhe publike bashkuar prej 6 vitesh edhe me fatin dhe nderin që të kontribuoj si lektore auditori për realizimin e misionit të tij përmes konceptit të mësipërm të auditorit universitar. UT është një ndjesi qenësie që të dhemb kur ta prekin për t’a sharë dhe ku angazhohesh për ta përmirësuar kur t’a kritikojnë. Ai është konkurrenca brenda vetes po aq sa me të tjerë në rrjet universitetesh. Është djepi i Elitarizmit në 60 vite për këtë komb po aq sa kontributor për cilësinë e jetës intelektuale të familjes time. Është ai institucion për të cilin krenohet kombi. Është Institucioni që në  progresin e tij i bashkëngjis emra të përveçëm të reformatorëve dhe ku në dhimbjen a lëndimin në jetën brenda tij quaj “mjeranë dhe viruse kombëtare” gjithkënd që mbi atë Mision Kombëtar  bashkëngjit mediokritetin, korrupsionin dhe antihumanizmin.

     -Sa e nxit sipas jush sistemi universitar shqiptar ngjitjen nga personi te personaliteti?

    Është një përgjigje që do më kërkonte kohë dhe investim në ide për të të dhënë një përgjigje të saktë e të argumentuar, por do ju përgjigjem me shprehjen që ja pohoj miqve të mi brenda dhe jashtë Shqipërisë: “Do vazhdoj marrëdhënien me UT-në sa kohë fryma, filozofia e punëdhënësit nuk do cenojë lirinë time akademike në mbretërinë tonë “Auditor” me studentët, sa kohë kjo do më shtyjë për progres profesional; sa kohë që do ndjehem më e fortë se “mjeranët dhe viruset kombëtare”edhe pas një lëndimi me kosto; aq kohë sa do e ruaj shëndetin e institucionit duke kontribuar me “Vaksina mendësore” për progres personal profesional dhe institucional……aq kohë sa studentëve t’i duhet personaliteti im personal e profesional për të qenë të sigurt për të ardhmen e tyre në këtë vend e përtej tij”. T’u përgjigja me ndjesinë dhe betimin tim që në fakt jep të materializuar individ sistem në arsimin e lartë.

    -A ekziston një hendek cilësor mes universitetit shtetëror dhe atij privat sipas jush?

    Nëse angazhimet dhe investimet publike a private ruajnë në aktivitet të përditshëm misionin që kanë si “Universitet” potencialisht nuk kanë hendek mes tyre. Kur këto angazhime misionohen drejt fitimit personal, përdorimit të shërbimit korrupstiv për pushtet personal apo për presion nga i cili përfiton të ardhura nga fondet publike ….këtu hendeqet thellohen tmerrësisht shumë. Nga modelet e realizuara deri tash nga iniciativa private në Shqipëri, fare pak prej tyre meritojnë të quhen partnerë misioni me UT-në.

     -Personat e afërt ju përshkruajnë si grua me karakter të fortë në karrierë, raporte të shumta miqësore dhe e devotshme në familje. Çfarë është për ju “karakteri i fortë” i një femre në karrierë në një shoqëri maskiliste?

    Së pari, është vlerësimi për veten bashkëngjitur me kërkesën për të progresuar aty ku femra merr role dhe detyra në shoqëri. Kjo kërkesë ndaj vetes të bën të sigurt e të hapur me sfidën së pari me familjen, krijimin e së cilës e quaj misionin më sublim të një femre, e më pas prej këtij trualli të ngrohtë e inkurajues forcohesh dhe shfaqesh “e fortë” në gjithë raportet e tjera me të cilat jeta dhe profesioni, angazhimi por dhe dëshira “të imponojnë” të jetësosh veten. Femra në karrierë këtë “forcë” nuk duhet ta konceptojë ta marrë apo t’ia dhurojnë nga fortësija e muskujve, zërit apo koketeria në deviancë. Këtë ajo e reflekton nëse vlerëson veten, familjen dhe institucionin shtetëror. A është shoqëria maskiliste? Derisa ka femra në karriera të ndershme që shtohen çdo ditë në këtë vend mund të pohoj se “ëe can” nëse udhëhiqemi nga disa parime si ato që në mënyrë të thjeshtëzuar unë i përshkrova më sipër. Kjo është sfidë e përditshme dhe duhet punuar që të fuqizohen ritmet pasi Shqipërisë i duhet dhuruar më shumë kontribut dhe cilësi pushteti nga femra me karakter të fortë. Shoqëritë tranzitive e kanë shumë më të domosdoshëm këtë lloj kurimi.

    -Karriera e një femre a dallon nga ajo e një mashkulli në fushën akademike? Ka ardhur duke u lehtësuar apo duke u vështirësuar karriera në fushën akademike?

    Karriera e një femre e parë me pikënisje dhe pikëmbërritje, në këtë shoqëri maskiliste me vendimmarrje të maxhorancës maskiliste sigurisht është shumë më e rriskuar dhe më me barriera për femrën. Në produkt e kontribute nuk shoh askurrfarë dallimi për të mos anuar nga femrat. Karriera në fushën akademike ka 20 vite që gjendet mes mediokritetit dhe arrogancave politike duke prodhuar bllokime të palogjikshme përmes barrierave sikurse prej disa muajsh ka kaluar në një liberalizëm të tejskajshëm që do shterojë Akademizmin Informal. Personalisht shoh me shumë shqetësim përqendrimin e shumë vendimmarrjeve në duart e një grushti akademikësh që akademizmin e tyre e kanë ngjizur na mënyrë të diskutueshme, pa i matur kush utilitarizmin e kërkimit të tyre për këtë shoqëri po aq sa kanë krijuar precedentë të marrjes nga edhe 2 grada menjëherë thjesht me përkthime si shumë të tjera në këtë shoqëri anarshiko politike të “mikut” dhe  “grup-interesit monopol”. Pak ditë më parë jam kënaqur nga një ndërhyrje e Ministrit të Arsimit dhe Rektorit Kule në interpretim ku fuqinë vendimmarrëse e zbret në departamente. Është një hap që do i sjellë ndryshimet e gjendjes kritike nën barrierë të “zotmarrësve” në vendim për “Pro” a “Kundër” karrierës tënde akademike. Po këto “zotmarrës” në Universitetet Jopublike në këtë kohë absurde të liberalizimit të titujve janë tolerantët më të mëdhenj për të hapur rrugën për karriera akademike të askushit pasi këtë e lidhin më pagat e majme që marrin nga pronarët e UJP-ve për të cilët titulli i marrë në shtet i jep imunitet ndaj asaj që kërkojnë ato shkresat e përmendura më sipër. Doktorantët apo pretenduesit e gradave në Universitet Publik rënkojnë të lodhur nga lufta që i vjen nga pushteti i këtyre viruseve kombëtare. Këtë unë e ndjej shumë mirë në fakultetin që unë jam në raport me miq të mi që doktoraturat i kanë filluar tek Universitetet e certifikuara jopublike, ku drejtues janë po këto Prof. Dr.. Ligji për Arsimin e Lartë duhet urgjentisht riparë edhe në këto rubrika. Nuk ka asnjë vend të botës që të ketë fenomene të tilla. Fryma e Rektorit për mbështetjen e kërkimit shkencor dhe përfshirjen në karrierë akademike të femrave dhe të rinjve është shumë larg asaj që unë ndjej që degradon në nivel fakultetesh. E di që nuk do i pëlqeje ky pohim një grushti të vogël akademikësh, por për shumë prej tyre dhe të tjerë të futur në proces të marrjes së titujve dhe gradave është e vërteta që duhet thënë më forcë se ka shkuar atje ku nuk mban më. Ky lloj produkti “nga njerëz me tituj” për pozita monopol në fushë bashkëngjitur me politikën që futi hundët me modelin e karrierës akoademiko- politike dhe shkatërroi për vite normalitetin në kohë e cilësi të karrierave akademike. Ka cilësi të atilla diskutimesh dhe nihilizma për grupin në emër të Unit Zotmarrës në jetën e departamenteve që të bëjnë të mendosh se këto nuk janë as në nivelin e departamenteve të parauniversitarit e jo më t’i paraprijnë inovacionit shoqëror. Në raport me 1986-1991 kur unë kam pasur përvojën e parë me auditorin universitar janë si nata me ditën. Atëherë dhe Prof. Dr më i madh në fakultet motivonte karrierën profesionale e akademike tonën dhe na shtynin ne në përmbushjen e detyrimeve për grada. E pra kësaj të vërtete i ka ardhur koha të shprehet. Personalisht nuk kam ndërmend që për një doktoraturë a progres në tituj të humb dinjitetin personal e profesional në 30 vite kontribute në arsim e jetë publike. Nga ana tjetër i them vetes nuk ka vdekur asnjë se nuk shkroi në letrat e administratës Prof.Dr kur këtë titull më shumë se ato që ta japin ta vlerësojnë rezultatet e punës në 30 vite. Ligji duhet riparë urgjentisht nga fisnikë akademikë që nuk kanë lindur bashkë me inferioritetin.

    -A mund të themi se shoqëria shqiptare karakterizohet nga një apatizëm social dhe nënshtrim i theksuar nga klasa politike?

    Pohimin e një vajze në karrierë në Shkenca Politike do e respektoj dhe do e fuqizoj me mendimin se, ne edhe në brezin që formuan në këto 22 vite demokraci e kemi të mangët edukimin e lirisë dhe të përgjegjësisë. Ne jemi ende një shoqëri deficitare në edukimin me lirinë dhe përgjegjshmërinë e përdorimit të saj në çdo institucion, martesë, familje, fëmijë, shkollë, shtet, institucion besimi, media, politikë, shoqëri civile etj., etj. Ajo që mua më shqetëson është se në maxhorancë, ( jo raste të veçanta apo të pakta që të mund të krijojnë frymë) kemi të njëjtat simptoma sëmundje të sjelljes me lirinë tek 22 vjeçarët sikurse tek 60 vjeçarët, tek femrat dhe tek meshkujt, tek shteti dhe tek privati, tek populli dhe tek të vetëquajturit politikanë, në fshat si dhe në qytet. Ndryshimi ka filluar dhe ndjehet midis atyre që suksesin e kanë ndërtuar në perëndim. Kjo pamje tregon se pak kemi kontribuar në ndryshimin e mendësive për sjellje, nuk kemi qenë rezultative në shumësi institucionesh në kontributin për qytetarin mendje hapur dhe aktiv në shoqëri. Marrim vetëm një aspekt, atë të qëndrimit alogjik, për të mos thënë keqdashës, të Reformatorëve të Arsimit ndaj vendit dhe rolit të shkencave shoqërore në kurrikulën e parauniversitarit. Ato kanë ardhur duke u tkurrur e tkurrur për të ardhur në një qëndrim totalisht armiqësor ndaj filozofisë. Në gjithë botën formimi filozofik shihet si SHKOLLA E LIRISË pasi ajo nxënie dije vlerëson dhe nxit edukimin me lirinë, vetëvlerësimin, virtyte pa të cilat nuk mund të kuptohet funksionalizmi i një shoqërie të hapur në luftë të shpallur me apatizmin social dhe nënshtrimin e shoqërisë ndaj klasës politike. Ne ende pas 22 vitesh ndjejmë shumë vakët nevojën e arkitektëve të mendimit dhe ndryshimit të mendësive në raport Kryetarët e Partive apo shefave ekzekutivë të prodhuar më së shumti nga cilësia e mendësive të Kryetarëve Politikë. Kjo sepse modeli me të cilin funksionojmë deri më sot, për mua, në maxhorancë vlerësimi nuk është demokratik përkundrazi çdo ditë e më shumë po mbartet me autoritarizëm abuzivist. Ti si një gazetare që vjen nga Shkencat Politike merr dhe analizo diferencat e ne pedagogëve tuaj në raport me konceptin për auditorin. Bëj një vlerësim dhe kthehu tek pohimi “learning by the doing”. Jemi në deficit me cilësinë e demokracisë që kemi modeluar apo vazhdojmë “të edukojmë” nga gjithë ato institucionet e sipërpërmendura.

     Sa efektive mendoni se është hyrja e intelektualëve në politikë për realizimin e detyrave politike?

    Në binomin intelektual-politikë ne ende vazhdojmë me një raport të përmbysur në disfavor të intelektualizmit në politikë. Edhe hyrjet herë pas here të intelektualëve të spikatur nga fusha të ndryshme në politikë janë shoqëruar me largime të tyre pasi për një intelektual të vërtetë liria e mendimit dhe veprimit është parim shumë i shenjtë dhe bazik në progresin e tij si model i gjallë apo për të motivuar të tjerët. Ndërkohë mediokrit e shumë profesioneve konvertohen lehtë me “diktaturën” e kryetarit brenda partisë. Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të vetëm që pas 2 mandatesh politike në parlament  të mund të kemi dalje të vullnetshme prej tij për t’u “refresh-ur” profesionalisht dhe më pas për t’u rifutur me profesionalizëm e intelektualizëm të shtuar. Tek ne rrinë në 4, 5 legjislatura pa pasur elementët më minimalë të politikanit, për të mos thënë që edhe CV-në në poste ekzekutive e kanë me dështime, e pseudoreforma që veç regrese kanë sjellë. Këtu nuk po fus korrupsionistët e politikës që përmes këtij profesioni, “politika për xhepin tim”, që në model degjenerojnë ekzistencën e intelektualizmit në bërjen politikë. Për të qenë realiste dhe e vërtetë janë shumë pak ato raste të hyrjes nga intelektualizmi në politikë që kanë histori korrupsioni. Por faleminderit që ekzistojnë si raste dhe i kemi miq. Intelektuali kur është vërtetë i tillë nuk luan me politikën, ai veç i dhuron asaj nga liria dhe mençuria e tij. Pra me to nuk mund të ketë politikë konfliktuale, as bllokuese për më tepër kundër interesave kombëtare. Uroj që listat e partive për Elektoralet 2013-të të konceptohen nga Kryetarët e listave si “Abetare” ku ne votuesit do mësojmë shkronjat dhe do lexojmë Projekt Qeverisjen Politike me Intelektualizëm fushe dhe zë publik të gjithhershëm për progresin në fushë, pa CV politike të bashkëjetuar me qeverisje korrupsioniste dhe kundër interesave kombëtare.