Majlinda Keta: “Më pëlqeu shumë ky standard i ambasadorit Arvizu në gjuhën shqipe”

619
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Majlinda Keta, pedagoge e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës

Tashmë Facebook-u mund të quhet risia në komunikimin elektoral të Zgjedhjeve Parlamentare 2013-të”, kështu e nis intervistën e saj dhënë për “Telegraf”, pedagogia e Shkencave Sociale Majlinda Keta, e cila komenton komunikimin e fundit që ka bërë ambasadori amerikan Arvizu me qytetarët shqiptarë. Sipas znj. Keta, pyetjet e bëra, një javë para zgjedhjeve, para një ambasadori të huaj, në pjesën më të madhe janë si të shmangim presionin nga qeveria apo aktorë të tjerë.

Zonja Keta sapo shkelëm javën e fundit drejt ditës së Zgjedhjeve Parlamentare të 23 Qershorit 2013. Po sot pamë një komunikim të ambasadorit amerikan në Facebook me qytetarët shqiptarë. Çfarë ofroi ambasadori me ‘të?

Tashmë Facebook-u mund të quhet risia në komunikimin elektoral të Zgjedhjeve Parlamentare 2013. Këtë e provoi në përdorim edhe ambasadori. Personalisht e vlerësoj shumë pasi është komunikim publik rezultativ me një audiencë të sigurt dhe me një dimension social shumëformësh dhe që çdo ditë e më shumë po zgjeron e pasuron komunikimin e shqiptarëve kudo që janë dhe përtej tyre. Ajo që vërejta në komunikimin e Ambasadorit është formati etik i ofruar, i sugjeruar qysh në hapje, ku me shumë delikatesë “udhëzonte” komunikimin me fokus zgjedhjet dhe pyetjet apo shqetësimet e qytetarëve shqiptarë për to. Për me një sy të vëmendshëm të analizës së tekstit ishte një lloj edukimi publik për standard komunikimi në një shoqëri demokratike, nga kohështrirja e procesit, fokusimi në të pyetur, formatin e të shprehurit në pyetje-fjali, standardi i të përgjigjurit, respektimi i Kodit të Etikës mes bashkëbiseduesve etj.. Vënia në qendër e votuesit shqiptar, me dilemat, pyetjet, paqartësitë, pasiguritë dhe kontributi për t’i kujtuar dhe udhëzuar vlerën e pazëvendësueshme që kanë ato në këtë proces pjesëmarrje ishte misioni standard i ofruar nga rasti. Mund të ndërtojmë institucionet e procesit elektoral, mund të prodhojmë dhe çarçaf fletë votimi me emra partish, por nëse nuk kemi pjesëmarrje të vlerësueshme në votim nuk kemi proces demokratik votimi pasi demos-i duhet të shprehet për preferencën e tij për pushtetin që do ndërtojë e bëjë funksional e në shërbim shtetin. Ky lloj komunikimi me këtë format etik mund të ishte një nga formatet rezultative në se në të gjithë ditët që parashikon Kodi Elektoral bëhej nga faqet zyrtare të 66 partive politike pjesëmarrëse në fletën e votimit, duke ofruar si standard demokratik të zgjedhjeve qartësimin dhe ndërgjegjësimin e votuesit shqiptarë për rëndësinë që ka pjesëmarrja dhe rregullsia e procesit të votimit prej tyre. Ky kontribut do t’i shërbente amortizimit deri diku të një negativiteti elektoral që po na ndodh tash sa muaj mes nesh, ku Zgjedhjet Parlamentare janë minimizuar në funksionin e tyre duke u perceptuar si zgjedhjet për Kryeministrin (më saktë Mbretin) e Shqipërisë, duke u larguar nga parimi se votuesi kontribuon për formatin qeverisës që në vetvete si qëllim është shumë dimensional se karrigia e Kryeministrit Mbret. Leximi i shqetësimit dhe besimit publik ndaj votës dhe procesit zgjedhor është një nga standardet që vendet e NATO-s e zotërojnë sikurse dhe adresimin institucional për zgjidhje e kanë mision për t’u përmbushur të gjitha ambasadat e vendeve anëtare, kjo u lexua qartë nga rasti. Leximin mund ta bëjnë në shumësi komunikimesh, por ky i radhës hyn tek formatet transparente, me të cilat kontribuohet në katër drejtime, 1. Për votuesin shqiptar 2. Për qeverinë si përgjegjëse e standardeve demokratike në zgjedhje si dhe 3. Një lexim dhe pohim leximi “pa dorashka” për qeverinë amerikane, taksapaguesin amerikan që në mos gaboj, veç të tjerave, ka investuar 1 milion dollarë për standardet  demokratike të këtyre Zgjedhjeve 2013 po aq sa kontribuon 4. Si një “raport” për institucionet ndërkombëtare si ODIHR, OSBE, BE të interesuara direkt për Zgjedhjet 2013 në Shqipëri. Të shprehesh në gjuhën e vendit kujt i dedikohet ky format kontributi demokratik është një standard tjetër i ofruar nga ambasadori ndonëse jo rrallë shqiptarët pyesnin në anglisht. Më pëlqeu shumë ky standard i ambasadorit në gjuhën shqipe.

Si do t’i vlerësonit pyetjet e bëra nga shqiptarët drejt ambasadorit?

Në demokraci ka rëndësi të pyesësh dhe të komunikosh dhe pak rëndësi ka të kërkosh standard akademik. Kam bindjen se disa pyetje si ato mbi presionet e votës në vendet e punës apo kërkesave për fotografim i janë besuar për t’u shprehur më shumë ambasadorit se 2 kandidatëve për Kryeministër në Town Hall-et e tyre. Këtë duhet ta lexojnë mirë këto 2 të fundit.

Së dyti, vlerësova faktin që votuesi shqiptar është ende në mendime për votimin, me gjithë elementët e tij, qysh nga pasiguria për pjesëmarrje e deri tek dyshimi mbi rezultatin real e të pranuar nga palët. Pra, shqiptarët arrijnë të perceptojnë rëndësinë e çdo elementi demokratik zgjedhor dhe duan të sigurojnë votën e tyre.

Së treti, më duket se adresimi i problemeve përkonte përgjithësisht me fokusimin e kërkuar nga ambasadori.

Së katërti, gjykoj se pyetësit shqiptarë ishin “më të zhveshur nga militantizmi politik” në komunikim me ambasadorin se në Town Hall-et e kryetarëve apo komunikimet e tyre në Facebook, gjë që flet për standarde që përfitohen pak nga pak nga votuesi shqiptar.

Së pesti, kemi një balancë gjinore në radhët e pyetësve, kjo është gjë shumë e mirë.

Së gjashti, mbizotëronin të rinjtë.

A ka pika kritike që lexohen mbi pyetjet e bëra?

Së pari, ende vazhdojmë të shfaqemi me një karakter ende të paformuar qytetar si votues. Pyetjet e bëra, një javë para zgjedhjeve, para një Ambasadori të huaj, në pjesën më të madhe janë “si të shmangim presionin nga qeveria apo aktorë të tjerë…”. Ky është problem shqetësues i yni, i karakterit dhe sjelljes tonë me votën. Për më tepër tregoi se është një element i pranishëm më shumë tek të rinjtë dhe punonjësit në administratë. Shenja të këqija për demokracinë e shtetin në zhvillim. Kjo pohon edhe njëherë që të gjithë bashkë jemi debitorë në edukimin qytetar të shtetasve gjë që na sjell votues jo cilësorë dhe jo të përgjegjshëm për fatet e vendit.

Së dyti, për nga momenti, ku fokusohen pyetjet, por jo nga rëndësia për mua, është rënkimi publik mbi probleme të arsimit të lartë në Shqipëri votuesja për herë të parë. Një shoqëri që ka të cenuara standardet e arsimimit dhe të edukimit të votuesit në orientimin dhe besimin ndaj votës mbetet një shoqëri në risk ndaj demokracisë. Më e rënduar paraqitet gjendja se mes pyetjeve të tyre nuk sheh e nuk ndjen në sfond besimin për ndryshim edhe pas këtij procesi. Këtë duhet të lexojmë mirë të gjithë si votues, por mbi të gjithë politika pjesëmarrëse në lista konkurrimi për pushtet e karrige kryeministri.

Brenda të njëjtës ditë SHBA ka një komunikim intensiv me qytetarët shqiptarë, nga njëra anë ambasadori dhe nga ana tjetër një Town Hall -i Donald Rumsfeld, ish-sekretar i Mbrojtjes në WDC për shumë vite ndërsa në shtyp ka dalë letra e Rohrabacher, kryetar i Nënkomitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit për Europën, Euroazinë për Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA dhe Komisionit Federal të Zgjedhjeve në SHBA, ku kërkohet të nisë hetimet për foton e Edi Ramës me Presidentin amerikan, Obama. Si i vlerësoni këto zhvillime?

Të tre pamjet janë standarde të demokracisë funksionale nga një shteti të NATO-s po aq sa një interes i shprehur në nivel të lartë përfaqësimi nga aktorë të jetës demokratike të një shteti për Zgjedhjet Parlamentare në Shqipëri. Ambasadori vijon të tregojë që shteti amerikan zotëron çdo element të informimit të cilësisë së procesit zgjedhor në Shqipëri. Njëkohësisht ai ofron institucionalisht adresime dhe kontribute për zgjidhje deri në minutat e fundit për të çdo standardi të domosdoshëm për zgjedhje të lira, të ndershme, institucionale dhe të pranuara nga palët e përfshira për shqiptarët votues, institucionet zgjedhore, shtetërore dhe të shoqërisë civile, por dhe për institucionet ndërkombëtare që merren me zgjedhjet, përfshirë edhe këto Parlamentare 2013. Ai ruan mjeshtërisht paanshmërinë politike në trajtesë e sugjerim. Zoti Rumsfeld u konceptua nga unë si një model mbështetje brenda së djathtës, por brenda një Kodi Etik Politik në çdo frazë të komunikimit në Town Hall. Sigurisht i bashkëngjitur me formatin e dekorimit të tij nga Presidenti i Republikës do më pëlqente që kjo të bëhej në sallën e Parlamentit Shqiptar të pas 23 Qershorit, kjo për vlerën që ka kjo figurë e lartë e shtetit amerikan, pro Shqipërisë në NATO dhe vlerësuesit të idealeve dhe vlerave të një populli që siç u shpreh ai vetë janë partnerë dinjitozë pasi “Gjërat nuk bëhen vetëm, ne e vlerësojmë shumë partneritetin me Shqipërinë. Jam në mbështetje të Shqipërisë dhe i besoj fort shqiptarëve, e di që çfarë i sjellin shqiptarët NATO-s, energji pozitive, qasjen e re të lidershipit ushtarak e civil, ju po luani një rol shumë të rëndësishëm në aleancë”. Letra e Rohrabacher, kryetar i Nënkomitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit për Europën, Euroazinë për Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA dhe Komisionit Federal të Zgjedhjeve në SHBA, ku kërkohet të nisë hetimet për foton e Edi Ramës me Presidentin Amerikan, Obama është një standard që SHBA-ja ja kërkon t’ja edukojë prej vitesh shtetit dhe politikës shqiptare si kontribut kryesor për demokracinë dhe shtetin e mirëqenies për të gjithë shqiptarët. SHBA-ja politikat anikorrupsion nuk i ngre me fushata brenda shteteve anëtare të NATO-s për më tepër shteteve në zhvillim e që bashkëjetojnë ende me varfërinë e problem politike si Shqipëria jonë. Të tre modelet janë kontribute direkte për edukimin e votuesit shqiptar që me besim e fuqi duhet të vlerësojë të drejtën e tij politike të votës si pjesëmarrje direkte për cilësinë e qeverisjes dhe kontrollin mbi të pas 23 Qershorit.