Majlinda KETA / Kush e kërcënon brezin e ri të 100 viteve më pas

    460
    Sigal

    I madhi Anton Harapi më 1930-n, tek “Hylli i dritës” shkruan: “Na në Shqypni, nuk jemi në nji vend, ku sajohet jeta mbas nji teorije a sistemi filozofik; në ket pikpamje të gjith jemi nji lash(lëmsh) me aq fije sa janë pikpamjet e shkurtra mbas të cillave endemi. Me gjith kta mahemi si të muejshim m’e përligjë para arsyes e ditunis sistemin jetësues tonin, kemi nacjonalizëm dhe me shitë, dogmatizojm mbi fatbardhsin e kombit në mëndyrën ma kategorike, si të mos të qeshëshim nën mustakë, sa herë të na shfaqet kjo ide magjike”.

    Më goditi kjo shprehje e Harapit pasi në Shqipërinë, veçanërisht të këtij muaji, është fare e lehtë të shpërqendrohesh nga emocionet që të imponojnë brenda 24 orëve modelet me të cilat funksionojmë brenda të njëjtit shtet. Ndërsa t’i optimizohesh shpirtërisht dhe profesionalisht nga festimi madhështor i 50 -vjetorit të gjimnazit “Ismail Qemali” në kryeqytet, me një hark kohor 120 min, si nëpunës shteti apo qytetar njeh institucionin shtetëror në anemizëm dhe “korrupsion” dokumentar pas së cilës ti mendon: “Si dreqin është e sajuar kjo jetë institucionesh në vendim tim, për fëmijën tim?”. Përse ky anarkizëm sjelljesh institucionalen na shoqëron edhe pas 100 vitesh? Si mundet që ende sistemi ynë jetësues, standardet që pretendojmë se ideojmë apo funksionojnë institucionet apo reformat tona të pas 100 viteve bien e ngrihen në varësi oreksi  politikanësh, partish politike, individësh anti- institucional apo klanesh anti-shtet proxhep? Kjo është “jeta e sajuar” institucionale, anti -shtetformuese, me të cilën ne prindërit, kërcënojmë të ardhmen e fëmijëve tanë, brezit të 100 viteve të tjera të shtetformimit. Refleksioni për 1930-n na sjell më qartë riskun që ende po ju lëmë brezave përmes mos qëndrueshmërisë në dedikimin tonë si prindër për shtetformim, përmes mos qëndrueshmërisë së progresit institucional dhe keqmenaxhimin e burimeve njerëzore në to, të cilat mbeten kërcënuese potenciale të shtetformimit përmes kësaj “anarkie standardesh dhe sjelljesh institucionale” brenda të njëjtit shtet. Në këtë anarki pamjesh institucionale është vështirë që ne të modelojmë suksesshëm dhe qëndrueshëm edukimin e brezave të rinj pasi është utopike që ato të besojnë se NE “mahemi ….. m’e përligjë para arsyes e ditunis sistemin jetësues tonin”. Deri kur kështu? Përgjigje që na bëhet shpesh në auditor, por që përgjigjja ime në potencë optimiste dhe me ofrim rrugëzgjidhjesh frustohet e sfumohet jo rrallë nga fuqia e së vërtetës, që brezi i ri njeh në shkolla e auditore po aq sa nga përjetimet e përvojave të tyre, personale dhe kolektive, antishtetformuese me institucionin shtetëror. Nuk dua të sjell rastin, pasi të tilla ka shumë, por po përshkruaj fenomenin pasi jam partizane e motivimit të tyre për ta përdorur të drejtën dhe ligjin, që shteti i njeh të shkruar në ligje, dhe trishtohem kur këtë të drejtë të madhe të tyre që ju ka falur demokracia apo ja dëshirojmë që ta ushtrojmë edhe ne, prindërit e tyre, ja u zverdh, amortizon apo ja u tulat drejt frikës kolektive, një nëpunës shteti, një rrogëtar i tij, që edhe pas 100 vitesh progreson a mbijeton përmes skandalesh të përsëritura korrupsioniste apo abuziviste morale edhe pse HESHTJA, MOSDENONCIMI PUBLIK po bëhet mënyrë të sjelluri e brezit të rinj. Ne që kemi prekur këtë 100 vjetor si qytetarë dhe kontributorë të këtij shtetformimi kemi nevojë të fuqizojmë një Institucion të Zërit Publik Denoncues për ato që nuk mbajnë përgjegjësinë për cilësinë e përmbushjes së detyrë ndaj institucioneve shtetërore me qëllim që HESHTJA ndaj të keqes institucionale mos të bëhet pjesë e sjelljes së gjeneratave të reja në aftësitë shtetformuese dhe shtetkontribuese.

    Edhe ky vit i 100-të vijon të pragëzojë ditën nën kërcënime të palëve ku për njërën Shqipëria është vendi më i zhvilluar (pas Gjermanisë e Kinës!) dhe tjetra që në çdo moment përsërit se Shqipëria do të rilindë vetëm nëse “X”-si do jetë Kryeministër! Ligjërimi i skajshëm i politikanëve “jetëbërës” të shtetformimit as më shumë e as më pak na bind se edhe pse kemi një ideal për të ardhmen e fëmijëve tanë për 100 vitet e ardhshme, integrimin në familjen e madhe BE. NE, prindërit e tyre, ende nuk po ju ofrojmë në veprim por dhe si pjesë e edukimit të tyre një sistem filozofik identitar të jetës tonë pasi kemi prodhuar më shumë anarkizëm se qëndrueshmëri.

    Mbrëmë, lajmi nga një media shqiptare informonte se populli dhe qeveria austriake i bënë dhuratë shqiptarëve ardhjen e objekteve origjinale të vizionarit të shtetit shqiptar Gjergj Kastrioti. Lajm vërtetë domethënës për ta vlerësuar Perëndimin e kulturës dhe shtetit për t’i dhënë më shumë identitet 100 -vjetorit të shtetformimit tonë. E më pas po ajo media gjeneronte lajme mbi bllokimin e opozitës për statusin e vendit kandidat, por ende në mundësi për t’u marrë nga shqiptarët. Tjetra në këtë mori pluraliste mediash shtohet dhe ajo që flet po në këtë 100 vjetor për politikanët miliarderë në pak vite…….e për afera korrupsioni. Tjetra flet se Presidenti përfundoi tryezat me partitë politike për Prokurorin e Përgjithshme ndonëse nuk ka belbëzuar asnjë fjalë apo nuk ka bërë asnjë tryezë të angazhimit të partive që 28-ën ta festonim me statusin e shumëpritur. Midis kësaj lukunie lajmesh të mediave me performancë nga më perëndimoret lëvrin e ngërdheshet modeli që presin gjeneratat e reja të mësojnë nga ne prindërit, që kishim përgjegjësi që pas 100 viteve ta kishim kapur statusin që do na çonte më afër Perëndimit të lirisë dhe shtetit të së drejtës. Ne jemi kokulur para kësaj 28-te të numërimit të viteve shtetformuese ndonëse lodrojmë mes “lumturisë performike” dhe “brendësisë” ndërsa nuk flasim hapur para fëmijëve tanë për atë se çfarë nuk bëmë si duhet për këtë DETYRË BREZASH ngopemi se çfarë thonë të huajt mbi bërjen apo mosbërjen e kushteve për marrjen e statusit. Ende pas 100 vjetësh për NE rëndon më shumë analiza apo komenti i një huaji se llogaridhënia në popull për atë që duhet të bënim dhe mund ta bënim por që për mungesë ndërgjegjeje profesionale (kryesisht politike). Kjo situatë është e ngjashme me atë që Krist Maloki tek “Oriental apo Oksidental” përshkruan për Shqipërinë e asaj kohe ” Orientali shqiptar i prêt të gjitha të mirat për vete qelepir nga të tjerët, bota për të asht një burim i pashterrun mjetesh, qejfesh e lezetesh të cilët ai i shfrytëzon në çdo mënyrë e metodë, pa pyetë se kun get e ku vret……ushunjëza orientale, e pangijshme, i ngjitet trupit kolektiv dhe shoqnor dha ja thith gjakun pa asnjë droje e skrupull……e në vend që t’u turpnonte për veprën shkatërrimtare bahet edhe ma kryenalt, ma kapadai, ma qejfli…dhe i bie karadyzenit”.

    Qëndrimi ndaj institucionit shtetëror, si institucion në shërbim të shtetasve dhe me një etikë komunikimi të detyruar për to, në përgjegjshmëri apo papërgjegjshmëri të titullarëve, mbetet një standard ndarës midis Europianistit shtetformues dhe Antieuropianistit po aq sa mendimtarët e viteve 30-të shtronin e ofronin modele të zgjidhjes së dilemës së formëzimit të hershëm të shtetit shqiptar “Oriental apo Oksidental” mes “Te vjetërve”dhe “Të rinjve”.  Gjeneratës së re nuk i nevojiten më as mos qëndrueshmëria e dedikimit tonë si prindër për shtetformim, as mos qëndrueshmëria e progresit institucional dhe keqmenaxhimi i burimeve njerëzore; nuk duhet t’i qaset pafuqishmëria për ta përdorur të drejtën dhe ligjin që shteti i njeh të shkruar në ligje vetë atyre; nuk duhet t’i vazhdojë moskryerja e detyrës që brezi ka për brezin pasi ato janë të lindur në një kohë kur shqiptarët në unison brezash rrëzuan një rrëgjim që të ndërtonin Shqipërinë si gjithë Europa. Ato po prekin për të kontribuar për 100 vitet e tjera  dhe askush nuk mund të kërcënojë të ardhmen e tyre për Shqipërinë në prosperitet e zhvillim të qëndrueshëm, kontributore në familjen e madhe BE.