Mafia po mban peng pacientët dhe tregtarët shqiptarë

    392
    Sigal

    Pullat e kontrollit të barnave ende në proces tenderimi

    Mungesa e barnave në tregun tonë farmaceutik, shqetësimi i pacientëve, të cilët frikohen për sigurinë e jetës dhe shëndetit të tyre, për këtë shkak, “magazinimi” i qindra miliona lekëve të tregtarëve farmaceutikë, apo lulëzimi i kontrabandës është panorama që na ofron mungesa e pullës së kontrollit të barnave. Vendosja e pullave të barnave deri në gusht, është bërë nga një kompani koncesionare, ndërkohë që Këshilli i Ministrave ka vendosur, pas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë se autoriteti kontraktor për një procedurë të tillë do të jetë QKKB-ja. Vendosja e pullave të barnave nga koncesionari, nuk është as më shumë e as më pak, por i njëjtë me problemin e ngjyruesit të karburanteve, problem që shkoi deri në Gjykatën Kushtetuese. Pse këto biznese fitimprurëse në dorë të koncesionarëve të huaj? Cilat janë lidhjet apo qëllimet? Kush fshihet pas koncesionarit? Pse duhet që të harxhohen nga buxheti i shtetit miliona e miliona lekë të taksapaguesve shqiptarë, për t’ia dhënë një firme të huaj koncesionare, kur fare mirë kjo mund të bëhet nga vetë shteti shqiptar, siç edhe u vendos, përkohësisht, në rastin e pullave të barnave që autoriteti kontraktor të jetë QKKB-ja. Në fakt, pullat fiskale që do të vendosen në tabletat e ilaçeve do të paguhen nga buxheti i shtetit. Qendra Kombëtare e Kontrollit të barnave do të blejë 8.4 milionë lekë pulla me TVSH për ilaçet, ndërsa procedurat për tenderin janë ende të hapura. Çdo pullë do të ketë një kosto nga 3-4 lekë të vjetra, e cila deri në dhjetor do të përballohet nga buxheti i shtetit dhe më pas do t’i faturohet si kosto shqiptarëve. Vendimi për prodhimin e pullave me paratë e taksapaguesve është marrë në mbledhjen e 28 gushtit të qeverisë “Berisha” dhe parashikon kryerjen e procedurës së prokurimit publik me objekt “Blerje pullash kontrolli me element sigurie për barnat dhe aksesorë për shtypjen e tyre. Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Agjencia e Prokurimit Publik kanë përgjegjësi për ndjekjen e procedurave nga zhvillimi i tenderit dhe deri te vendosja e pullës në tabletat e ilaçeve. Në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik, tenderi me emër kontrate “Blerje pulla kontrolli me elemente sigurie për barnat”; me numër REF-89080-09-05-2013; nga autoriteti kontraktues “Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave Tiranë”; me vlerë të përllogaritur 7 milion lekë pa TVSH; me datë të publikimit 5.09.2013 dhe datë të mbylljes 14.10.2013, si procedurë është ende e hapur. Por, ndërkohë tregtarëve farmaceutikë u janë “bllokuar” miliona e miliona lekë në magazinat e barnave në pritje të pullës së kontrollit. Kërkesa e tyre për daljen në treg të mallit për të cilën kanë investuar qindra miliona lekë është mëse e drejtë. Nga ana tjetër, kërkesa e pacientëve për një bar të caktuar dhe mungesa e saj në tregun farmaceutik sjell lulëzimin e  kontrabandës. Janë pikërisht këta pacientë, të cilët nga nevoja për ta gjetur këtë ilaç, do të nxisin kontrabandën dhe kontrabandistët në këtë rast do të shtojnë çmimin e barnave, i cili do të rëndojë xhepat e qytetarit.

    box

    QKKB: Pulla për barnat spitalore, të rimbursimit dhe molekulat e vetme. Të tjerat në përfundim të tenderit

    Shqetësimit të grosistëve farnaceutikë për “magazinimin” e qindra miliona lekëve, për shkak të mungesës së pullës së kontrollit të barnave, nëndrejtoresha e Qendrës së Kontrollit të barnave u përgjigjet se “në momentin  e daljes së VKM-së (që autoriteti kontraktor për pullat e barnave të jetë QKKB), ne kemi nisur menjëherë procedurat, pa lënë asnjë ditë bosh dhe besoj se në përfundim të kësaj procedure, pra, me shpalljen e fituesit të tenderit do të normalizohet situata.

    Deri ku jemi me tenderimin për pullat e barnave, meqë me anë të një VKM-je është pikërisht QKKB që ka fituar të drejtën e tenderit?

    Normalisht jemi në procedurë e sipër të prokurimit të pullave të kontrollit të barnave, tenderi është ende i hapur. Është një procedurë që ka kohë që ka filluar, mbi një muaj dhe jemi duke ndjekur të gjitha hapat ligjor deri në përfundim dhe të mbylljes të procedurës së prokurimit të tenderit të pullave, i cili besoj se do përfundojë brenda një afati shumë të shkurtër. Këto janë procedura që kanë etapat e tyre.

    Si mbulohen nevojat emergjente të tregut?

    Atëherë, ajo që do të thosha unë, është që QKKB-ja po siguron të gjitha spitalet me pullat për barnat spitalore. Po jepen të gjitha pullat në listën e barnave të rimbursimi, e cila është akoma në fuqi për vitin 2013, gjithashtu po japim pulla edhe për molekulat e vetme të barit, pra, për ato të cilat nuk mund të zëvendësohen me një alternativë tjetër.

    A ka paraqitur nevoja të tjera tregu farmaceutik?

    Të gjitha nevojat urgjente që ka tregu farmaceutik ne jemi të gatshëm t’i mbulojmë deri në përfundim të  prokurimit të pullave. Normalisht, ne kemi planifikuar rreth 20 milion pulla për këtë vit që vjen, i cili besoj se do t’i plotësojë të gjitha nevojat e tregut.

    Po përsa i përket problemit të grosistëve farmaceutik, të cilët janë të shqetësuar për milionat e lekëve të tyre që i kanë të “magazinuara”, ndërkohë që ata duan që mallin e tyre ta nxjerrin në treg?

    Unë e kuptoj shumë shqetësimin e tyre, por tenderi i pullave dhe situata që ka qenë  për prokurimin e pullave të kontrollit erdhi si rrjedhojë e një ligji për koncesionarin, i cili ishte në fuqi deri në gusht dhe, siç e thatë dhe ju vetë, me anë të një VKM-je iu hoq e drejta koncesionarit dhe iu kthye e drejta QKKB-së për të prokuruar me tender të hapur pullat e kontrollit. Që në momentin që ka dalë VKM-ja, ne kemi nisur menjëherë procedurat, pa lënë asnjë ditë bosh dhe besoj se në përfundim të kësaj procedure, pra, me shpalljen e fituesit të tenderit për pullat e kontrollit do të normalizohet situata.