Lypsarët e natës, shkaktarë të aksidenteve në kryeqytet

    409
    Tirana është qyteti, i cili numëron numrin më të madh të personave që detyrohen të lypin në rrugë. Por situata në lidhje me këtë kategori personash të cilët shfaqen rëndom rrugëve të kryeqytetit gjatë ditës, por edhe gjatë orëve të natës, ka bërë që rastet e aksidenteve të shkaktuara të mos jenë të pakta, dhe kjo për shkak të vërshimit të këtyre personave në rrugë në momentin që drejtuesit qëndrojnë në semafor. Ndalesat që këta persona bëjnë gjatë kohës që automjetet janë të ndaluara në semafor, shfaqen mjaft të rrezikshme, kjo për shkak se në momentin kur automjetet duhet të largohen me ndezjen e semaforit, këta persona qëndrojnë ende në rrugë, duke u bërë burim serioz aksidentesh. Kjo situatë shfaqet problematike në mjaft rrugë të Tiranës, por më të ekspozuara janë ato rrugë, ku dhe trafiku është më i madh. E njëjta situatë paraqitet dhe me ata persona të cilët ofrojnë shërbime rruge për këto mjete, si larje xhamash, shitje produktesh të ndryshme në kohën që automjetet janë të ndaluara në semafor. Vetë shoferët e automjeteve e cilësojnë këtë problem si një situatë, e cila duhet të marrë një zgjidhje të menjëhershme nga instancat përkatëse, për të evituar shkaktimin e aksidenteve, për të cilat fajtorë cilësohet drejtuesit e automjeteve, edhe pse këta të fundit nuk kanë faj në këtë rast. 
    Sigal

    Shtohet numri i tutorëve që shfrytëzojnë këtë kategori personash

    Shfrytëzimi i këtyre personave në shumë raste vjen nga kontrolli, i cili u bëhet nga “Bosët” e tyre, të cilët detyrojnë këtë kategori të lypin, për t’i dorëzuar më pas në duart e tutorëve të tyre të ardhurat e mbledhura, duke iu lënë në dorë aq para sa për të nxjerrë bukën e gojës. Numri i këtyre personave të cilët detyrojnë këtë kategori njerëzish të dalin në rrugë është tepër i madh, dhe një fenomen sa shqetësues, aq dhe makabër, kjo sepse në shumë raste këta lypsa dhunohen në rastet kur nuk dëshirojnë të bëjnë atë që u thuhet nga “Bosi” i tyre. Situata në lidhje me këtë kategori personash shkon deri në ekstrem. Ka shumë raste kur këta lypsa vënë në gjumë fëmijët e tyre, për t’i bërë të duken si të sëmurë para njerëzve, thjesht dhe vetëm për të marrë para. Foshnjat në duart e lypsareve flenë gjatë gjithë ditës, kjo sepse atyre iu jepet drogë për t’i mbajtur në gjumë. Organet e foshnjave nuk janë në gjendje të durojnë një shok të tillë, duke shkaktuar në disa raste dhe vdekjen e këtyre fëmijëve në duart e shfrytëzuesve. Në shumë raste foshnjat që mbajnë lypset në dorë, nuk janë fëmijët biologjikë të tyre, por janë foshnje të vjedhura nga spitalet, apo jetimoret, por edhe të marra nga familje të ndryshim në zona të thella. Kjo situatë bën që këta persona të mos ndjenë mëshirë, duke ushtruar dhunë të vazhdueshme. Sipas studimeve tregohet se një fëmijë në rrugë në ditë arrin të mbledhë një shifër prej 10 mijë lekësh të reja, para këto që nuk shkojnë në familje, por në duar e tutorëve të tyre. 

    Institucionet përkatëse heshtin

    Askush deri më tani nuk është marrë me këtë kategori personash, të cilët dhunohen në fshehtësi nga tutorët, të cilët i mbajnë vetëm si mjet shfrytëzimi. Askush nuk merret me këtë fenomen, për te hetuar se ku shkojnë paratë e mbledhura me mëshirë nga këta fëmijë, të cilat dorëzohen në fshehtësi në xhepat e “Bosëve”, shfrytëzueseve të kësaj kategorie njerëzish. Për momentin, ndërhyrjet sistematike për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge janë të kufizuara, dhe ofrohen në mënyrë rastësore, kryesisht nga shoqëria civile, ndërsa institucionet përkatëse që duhet të veprojnë për parandalimin e këtij fenomeni, janë në një gjumë letargjik, duke mos e marrë në konsideratë faktin se këta fëmijë shfrytëzohen nën ushtrimin e dhunës sistematike nga ana e tutorëve të tyre, të cilët si duket kanë krijuar lidhjet me qeveritarët, për të mos bërë asnjë lëvizje në lidhje me këtë çështje mjaft shqetësuese. Në lidhje me sistemimin e kësaj kategorie, duhet të merren ne veçanti Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Drejtësisë, të duhet të krijojnë së bashku një bazë të dhënash për fëmijët në situatë rruge. Po në lidhje me këtë çështje një vit më parë ka folur Veliaj në rolin e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, i cili iu referuar një studimi të bërë për periudhën maj 2013 – shkurt 2014, studim i bërë në kuadër të reformës së Shërbimeve Sociale nga MMSR, Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, Arsis dhe GFK, mbështetur nga UNICEF dhe Save the Children. Ku vetë z. Veliaj ka reaguar në lidhje me numrin në rritje të shfrytëzimit të fëmijëve, duke theksuar në atë kohë se kjo kategori ishte prioritet i shërbimeve sociale, ndërsa sot që gjendet në pozicionin për të rregulluar këtë problem, nuk ka shtruar ende për bisedim asnjë ligj që mund të rregullojë këtë çështje, duke lënë që situatë të vazhdojë të jetë e njëjtë. Ne sot i drejtojmë një pyetje kryetarit aktual të Bashkisë, z. Erion Veliaj, një pyetje që ai vetë e ka drejtuar në adresim të Ish-kryetarit të Bashkisë një vit më parë. Cila strukturë në Bashkinë e Tiranës është përgjegjëse për trajtimin e rasteve të fëmijëve që gjenden sot në rrugë duke lypur? Le t’i japë sot një përgjigje kësaj pyetje që vetë z. Veliaj e ka drejtuar një vit më parë dhe që sot është vetë në drejtim të kësaj bashkie, ku ende nuk ka ndërmarrë një masë për parandalimin e këtij fenomeni.